Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Psalms 37

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40] [41] [42] [43] [44] [45] [46] [47] [48] [49] [50] [51] [52] [53] [54] [55] [56] [57] [58] [59] [60] [61] [62] [63] [64] [65] [66] [67] [68] [69] [70] [71] [72] [73] [74] [75] [76] [77] [78] [79] [80] [81] [82] [83] [84] [85] [86] [87] [88] [89] [90] [91] [92] [93] [94] [95] [96] [97] [98] [99] [100] [101] [102] [103] [104] [105] [106] [107] [108] [109] [110] [111] [112] [113] [114] [115] [116] [117] [118] [119] [120] [121] [122] [123] [124] [125] [126] [127] [128] [129] [130] [131] [132] [133] [134] [135] [136] [137] [138] [139] [140] [141] [142] [143] [144] [145] [146] [147] [148] [149] [150]

PS 37:1 Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi,

PS 37:2 sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë.

PS 37:3 Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.

PS 37:4 Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.

PS 37:5 Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.

PS 37:6 Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.

PS 37:7 Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij.

PS 37:8 Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen.

PS 37:9 Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës.

PS 37:10 Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më.

PS 37:11 Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.

PS 37:12 I pabesi komploton kundër të drejtit dhe kërcëllin dhëmbët kundër tij.

PS 37:13 Zoti qesh me të, sepse e sheh që vjen dita e tij.

PS 37:14 Të pabesët kanë nxjerrë shpatën dhe kanë nderur harkun e tyre për të rrëzuar të mjerin dhe nevojtarin, për të vrarë ata që ecën drejt në rrugën e tyre.

PS 37:15 Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre dhe harqet e tyre do të thyhen.

PS 37:16 Vlen më tepër e pakta e të drejtit se sa bollëku i shumë të pabesëve.

PS 37:17 Sepse krahët e të pabesëve do të thyhen, por Zoti i përkrah të drejtët.

PS 37:18 Zoti i njeh ditët e njerëzve të ndershëm dhe trashëgimia e tyre do të vazhdojë përjetë.

PS 37:19 Ata nuk do të ngatërrohen në kohën e fatkeqësisë dhe në ditët e zisë do të ngopen.

PS 37:20 Por të pabesët do të vdesin dhe armiqtë e Zotit do të konsumohen dhe do të bëhen tym si dhjami i qengjave.

PS 37:21 I pabesi merr hua dhe nuk e kthen, por i drejti ka mëshirë dhe dhuron.

PS 37:22 Sepse të bekuarit nga Zoti do të trashëgojnë tokën, por ata që janë mallkuar prej tij do të shfarosen.

PS 37:23 Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij.

PS 37:24 Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore.

PS 37:25 Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.

PS 37:26 Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim.

PS 37:27 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme.

PS 37:28 Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t'i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen.

PS 37:29 Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.

PS 37:30 Nga goja e të drejtit del dituri dhe gjuha e tij flet për drejtësi.

PS 37:31 Ligji i Perëndisë të tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden.

PS 37:32 I pabesi spiunon të drejtin dhe përpiqet ta vrasë.

PS 37:33 Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe nuk do të lejojë që të dënohet, kur të gjykohet.

PS 37:34 Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh.

PS 37:35 E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes,

PS 37:36 por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më.

PS 37:37 Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja.

PS 37:38 Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen.

PS 37:39 Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë.

PS 37:40 Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase