Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Job 19

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40] [41] [42]

JOB 19:1 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

JOB 19:2 "Deri kur do të hidhëroni shpirtin tim dhe do të më mundoni me ligjëratat tuaja?

JOB 19:3 U bënë dhjetë herë që më përqeshni dhe nuk keni turp që më fyeni.

JOB 19:4 Edhe sikur të ishte e vërtetë që kam gabuar, gabimi im më përket vetëm mua.

JOB 19:5 Por në rast se doni pikërisht të bëheni kryelartë me mua duke më qortuar për objektin e turpit tim,

JOB 19:6 mësoni atëherë që Perëndia më ka trajtuar në mënyrë të padrejtë dhe më ka zënë në rrjetat e tij.

JOB 19:7 Ja, unë bërtas: "Dhunë!", por nuk kam asnjë përgjigje; bërtas për ndihmë, por drejtësi nuk ka!

JOB 19:8 Më ka prerë rrugën dhe kështu nuk mund të kaloj; përhapi terrin në rrugën time.

JOB 19:9 Më ka zhveshur nga nderi im dhe më ka hequr nga koka kurorën.

JOB 19:10 Më ka shkatërruar nga të gjitha anët dhe unë po shkoj; e ka shkulur si një dru shpresën time.

JOB 19:11 Zemërimi i tij kundër meje është, ndezur dhe më konsideron si armik të tij.

JOB 19:12 Ushtarët e tij kanë ardhur të gjithë së bashku dhe kanë ndërtuar rrugën e tyre kundër meje; kanë ngritur kampin e tyre rreth çadrës sime.

JOB 19:13 Ai ka larguar nga unë vëllezërit e mi, dhe të njohurit e mi janë bërë plotësisht të huaj me mua.

JOB 19:14 Farefisi im më ka braktisur dhe miqtë e mi të ngushtë më kanë harruar.

JOB 19:15 Shërbëtorët dhe shërbëtoret e mi më trajtojnë si një njeri të huaj, në sytë e tyre jam një i huaj.

JOB 19:16 Thërras shërbëtorin tim, por ai nuk përgjigjet; duhet t'i lutem me gojën time.

JOB 19:17 Fryma ime është e neveritshme për gruan time, dhe jam i neveritshëm edhe për fëmijët e barkut tim.

JOB 19:18 Edhe fëmijët më përçmojnë; në rast se provoj të ngrihem, flasin kundër meje.

JOB 19:19 Tërë miqtë më të ngushtë kanë lemeri prej meje, edhe ata që doja janë ngritur kundër meje.

JOB 19:20 Kockat e mia i ngjiten lëkurës sime dhe mishit tim dhe nuk më ka mbetur veç se lëkura e dhëmbëve.

JOB 19:21 Mëshiromëni, mëshiromëni, të paktën ju, miqtë e mi, sepse dora e Perëndisë më ka goditur.

JOB 19:22 Pse më persekutoni si bën Perëndia dhe nuk ngopeni kurrë me mishin tim?

JOB 19:23 Ah sikur fjalët e mia të ishin të shkruara; ah sikur të kishin zënë vend në një libër;

JOB 19:24 sikur të ishin të gdhendura përjetë mbi një shkëmb me një stil prej hekuri dhe me plumb!

JOB 19:25 Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë.

JOB 19:26 Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë.

JOB 19:27 Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin, dhe jo një tjetër. Po më shkrihet zemra.

JOB 19:28 Në rast se thoni: "Pse e persekutojmë?"; kur rrënja e këtyre të këqijave ndodhet tek unë,

JOB 19:29 ju druani për veten tuaj shpatën, sepse zemërimi sjell ndëshkimin e shpatës, me qëllim që të dini që ekziston një gjykim".

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase