Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Job 10

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40] [41] [42]

JOB 10:1 "Jam neveritur nga jeta ime; do të shfryj lirisht vajtimin tim, duke folur në trishtimin e shpirtit tim!

JOB 10:2 Do t'i them Perëndisë: "Mos më dëno! Bëmë të ditur pse grindesh me mua.

JOB 10:3 A të duket mirë të shtypësh, të përçmosh veprën e duarve të tua dhe të tregohesh në favor të qëllimeve të njerëzve të këqij?

JOB 10:4 A ke sy prej mishi, apo shikon edhe ti si shikon njeriu?

JOB 10:5 A janë vallë ditët e tua si ditët e një të vdekshmi, vitet e tua si ditët e një njeriu,

JOB 10:6 sepse ti duhet të hetosh lidhur me fajin tim dhe të kërkosh mëkatin tim,

JOB 10:7 megjithëse e di që nuk jam fajtor dhe që nuk ka njeri që mund të më çlirojë nga dora jote?

JOB 10:8 Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë por tani ti kërkon të më zhdukësh.

JOB 10:9 Mbaj mend, të lutem, që më ke modeluar si argjila, dhe do të më bësh të kthehem në pluhur!

JOB 10:10 A nuk më ke derdhur vallë si qumështi dhe më ke piksur si djathi?

JOB 10:11 Ti më ke veshur me lëkurë dhe me mish, më ke thurur me kocka dhe me nerva.

JOB 10:12 Më ke dhënë jetë dhe dashamirësi, dhe providenca jote është kujdesur për frymën time,

JOB 10:13 por këto gjëra i fshihje në zemrën tënde; tani unë e di që ti mendoje një gjë të tillë.

JOB 10:14 Në qoftë se mëkatoj, ti më ndjek me sy dhe nuk më lë të pandëshkuar për fajin tim.

JOB 10:15 Në qoftë se jam i keq, mjerë unë! Edhe sikur të jem i drejtë, nuk do të guxoja të ngrija kokën, i ngopur siç jam nga poshtërsia dhe duke parë mjerimin tim.

JOB 10:16 Në rast se ngre kryet, ti më ndjek si luani, duke kryer përsëri mrekulli kundër meje.

JOB 10:17 Ti i përtërin dëshmitarët kundër meje, e shton zemërimin tënd kundër meje dhe trupa gjithnjë të reja më sulmojnë.

JOB 10:18 Pse, pra, më nxore nga barku? Të kisha vdekur, pa më parë sy njeriu!

JOB 10:19 Do të kisha qenë sikur të mos kisha ekzistuar kurrë, i mbartur nga barku në varr.

JOB 10:20 A nuk janë vallë të pakta ditët e mia? Jepi fund, pra, lërmë të qetë që të mund ta mbledh pak veten;

JOB 10:21 para se të shkoj për të mos u kthyer më, drejt vendit të errësirës dhe të hijes së vdekjes,

JOB 10:22 të vendit të territ dhe të errësirës së madhe të hijes së vdekjes, ku ka vetëm pështjellim, ku madje edhe drita është si errësira".

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase