Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Job 6

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40] [41] [42]

JOB 6:1 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

JOB 6:2 "Ah, sikur dhembja ime të ishte peshuar tërësisht, dhe fatkeqësia ime të vihej bashkë mbi peshoren,

JOB 6:3 do të ishte me siguri më e rëndë se rëra e detit! Për këtë arsye fjalët e mia nuk u përfillën.

JOB 6:4 Duke qenë se shigjetat e të Plotfuqishmit janë brenda meje, shpirti im ua pi vrerin; tmerrete Perëndisë janë renditur kundër meje.

JOB 6:5 Gomari i egër a pëllet vallë përpara barit, ose kau a buluron para forazhit të tij?

JOB 6:6 A hahet vallë një ushqim i amësht pa kripë, apo ka ndonjë farë shije në të bardhën e vezës?

JOB 6:7 Shpirti im nuk pranon të prekë gjëra të tilla, ato për mua janë si një ushqim i neveritshëm.

JOB 6:8 Ah sikur të mund të kisha atë që kërkoj, dhe Perëndia të më jepte atë që shpresoj!

JOB 6:9 Dashtë Perëndia të më shtypë, të shtrijë dorën e tij dhe të më shkatërrojë!

JOB 6:10 Kam megjithatë këtë ngushëllim dhe ngazëllehem në dhembjet që nuk po më kursehen, sepse nuk i kam fshehur fjalët e të Shenjtit.

JOB 6:11 Cila është forca ime që ende të mund të shpresoj, dhe cili është fundi im që të mund ta zgjas jetën time?

JOB 6:12 Forca ime a është vallë ajo e gurëve, ose mishi im është prej bronzi?

JOB 6:13 A s'jam fare pa ndihmë në veten time, dhe a nuk është larguar nga unë dituria?

JOB 6:14 Për atë që është i pikëlluar, miku duhet të tregojë dhembshuri, edhe në qoftë se ai braktis frikën e të Plotfuqishmit.

JOB 6:15 Por vëllezërit e mi më kanë zhgënjyer si një përrua, si ujërat e përrenjve që zhduken.

JOB 6:16 Ato turbullohen për shkak të akullit dhe në to fshihet bora,

JOB 6:17 por gjatë stinës së nxehtë ato zhduken; me vapën e verës ato nuk duken më në vendin e tyre.

JOB 6:18 Ato gjarpërojnë në shtigjet e shtretërve të tyre; futen në shketëtirë dhe mbarojnë.

JOB 6:19 Karvanet e Temas i kërkojnë me kujdes, udhëtarët e Shebës kanë shpresa tek ata,

JOB 6:20 por ata mbeten të zhgënjyer megjithë shpresat e tyre; kur arrijnë aty mbeten të hutuar.

JOB 6:21 Tani për mua ju jeni e njëjta gjë, shikoni tronditjen time të thellë dhe keni frikë.

JOB 6:22 A ju kam thënë vallë: "Më jepni diçka" o "më bëni një dhuratë nga pasuria juaj",

JOB 6:23 ose "liromëni nga duart e armikut", ose "më shpengoni nga duart e personave që përdorin dhunën"?

JOB 6:24 Më udhëzoni, dhe do të hesht; më bëni të kuptoj ku kam gabuar.

JOB 6:25 Sa të frytshme janë fjalët e drejta! Por çfarë provojnë argumentet tuaja?

JOB 6:26 Mos keni ndërmend vallë të qortoni ashpër fjalët e mia dhe fjalimet e një të dëshpëruari, që janë si era?

JOB 6:27 Ju do të hidhnit në short edhe një jetim dhe do të hapnit një gropë për mikun tuaj.

JOB 6:28 Por tani pranoni të më shikoni, sepse nuk do të gënjej para jush.

JOB 6:29 Ndërroni mendim, ju lutem, që të mos bëhet padrejtësi! Po, ndërroni mendim, sepse bëhet fjalë për drejtësinë time.

JOB 6:30 A ka vallë paudhësi në gjuhën time apo qiellza ime nuk i dallon më ligësitë?".

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase