Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Job 16

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40] [41] [42]

JOB 16:1 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

JOB 16:2 "Gjëra të tilla kam dëgjuar shumë! Të gjithë ju jeni ngushëllues të mërzitshëm!

JOB 16:3 Kur do të marrin fund fjalimet tuaja boshe? Ose çfarë të shtyn të përgjigjesh?

JOB 16:4 Edhe unë mund të flisja si ju, po të ishit ju në vendin tim; do të mund të radhitja fjalë kundër jush duke tundur kokën time kundër jush.

JOB 16:5 Por do t'ju jepja kurajo me gojën time dhe ngushëllimi i buzëve të mia do ta lehtësonte dhembjen tuaj.

JOB 16:6 Në rast se flas, dhembja ime nuk pakësohet, në qoftë se nuk flas më, çfarë lehtësimi kam?

JOB 16:7 Por tani ai më ka çuar në pikën e fundit të forcave të mia. Ti ke shkatërruar tërë familjen time;

JOB 16:8 më ke mbuluar me rrudha dhe kjo dëshmon kundër meje, dobësia ime ngrihet dhe dëshmon kundër meje.

JOB 16:9 Zemërimi i tij më grin dhe më përndjek, kërcëllin dhëmbët kundër meje; Armiku im mpreh shikimin mbi mua.

JOB 16:10 Duke hapur gojën e tyre kundër meje, ata më godasin me përçmim mbi faqet, mblidhen tok kundër meje.

JOB 16:11 Perëndia më ka dhënë në duart e të pabesëve, më ka dorëzuar në duart e njerëzve të këqij.

JOB 16:12 Jetoja i qetë, por ai më shkatërroi, më kapi për qafe dhe më bëri copë-copë, dhe më shndërroi në objekt goditjeje.

JOB 16:13 Harkëtarët e tij më rrethojnë në çdo anë, më shpon pa mëshirë veshkat, derdh për tokë vrerin tim.

JOB 16:14 Ai më sulmon vazhdimisht me forcë, më sulet si një luftëtar.

JOB 16:15 kam qepur një grathore mbi lëkurën time, e kam ulur ballin tim në pluhur,

JOB 16:16 Fytyra ime është e kuqe nga të qarat dhe mbi qepallat e mia po zë vend hija e vdekjes,

JOB 16:17 megjithëse nuk ka asnjë dhunë në duart e mia, dhe lutja ime është e pastër.

JOB 16:18 O tokë, mos e mbulo gjakun tim, dhe britma ime mos gjeftë asnjë vend qetësimi.

JOB 16:19 Që tani, ja, dëshmitari im është në qiell, garanti im është lart.

JOB 16:20 Shokët e mi më përqeshin, por sytë e mi derdhin lotë përpara Perëndisë.

JOB 16:21 Le të përkrahë ai arsyetimet e njeriut pranë Perëndisë, ashtu si bën njeriu me fqinjin e tij.

JOB 16:22 Do të kalojnë në të vërtetë edhe pak vjet akoma dhe unë do të shkoj pastaj në një rrugë pa kthim.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase