Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Proverbs 31

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31]

PROV 31:1 Fjalë të mbretit Lemuel, mesazhi profetik me të cilin e mësoi e ëma.

PROV 31:2 Çfarë të të them, biri im? Çfarë të të them, biri i barkut tim? Çfarë të të them, bir i zotimeve të mia?

PROV 31:3 Mos ua jep forcën tënde grave as jetën tënde asaj që shkatërron mbretërit.

PROV 31:4 Nuk u shkon mbretërve, o Lemuel, nuk u shkon mbretërve të pinë verë as princave të dëshirojnë pije dehëse,

PROV 31:5 sepse duke pirë të mos harrojnë ligjin dhe të mos shtrembërojnë të drejtën e të pikëlluarve.

PROV 31:6 Jepini pije dehëse atij që është duke vdekur dhe verë atij që e ka zemrën të hidhëruar.

PROV 31:7 Le të pijë për të harruar varfërinë e tij dhe për të mos kujtuar më hallet e tij.

PROV 31:8 Hape gojën tënde në favor të memecit, në mbrojtje të të gjithë atyre që janë lënë pas dore.

PROV 31:9 Hape gojën tënde, gjyko me drejtësi dhe mbro çështjen e të mjerit dhe të nevojtarit.

PROV 31:10 Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve.

PROV 31:11 Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo, dhe do të ketë gjithnjë fitime.

PROV 31:12 Ajo i bën të mira dhe jo të keqe tërë ditët e jetës së saj.

PROV 31:13 Gjen lesh dhe li dhe punon me gëzim me duart e veta.

PROV 31:14 Ajo u përngjan anijeve të tregëtarëve: e sjell ushqimin e saj nga larg.

PROV 31:15 Çohet që me natë për t'i ndarë ushqimin familjes së saj dhe për t'u dhënë urdhërat e nevojshme shërbëtoreve të saj.

PROV 31:16 Ajo shikon një arë dhe e ble; me duart e saj mbjell një vresht.

PROV 31:17 Ngjesh me forcë ijët dhe i bën më të fortë krahët e saj.

PROV 31:18 E kupton që tregëtia e saj po shkon mbarë dhe llamba e saj e natës nuk i shuhet.

PROV 31:19 Shtrin dorën mbi furkën, pëllëmbat e saj zënë boshtin.

PROV 31:20 I shtrin dorën të varfërit dhe i jep dorën nevojtarit.

PROV 31:21 Nuk i trembet borës për familjen e saj, sepse tërë ata të shtëpisë së vet kanë një veshje të dyfishtë.

PROV 31:22 Bën për vete mbulesa si sixhade dhe rrobat e saj janë prej liri shumë të hollë dhe të purpurta.

PROV 31:23 Burri i saj nderohet te porta, kur ulet bashkë me pleqtë e vendit.

PROV 31:24 Përgatit rroba prej liri dhe i shet, i furnizon me breza tregtarët.

PROV 31:25 Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë.

PROV 31:26 Hap gojën e saj me dituri dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë.

PROV 31:27 Ajo mbikqyr si shkon shtëpia e vet dhe nuk ha bukën e përtacisë.

PROV 31:28 Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë:

PROV 31:29 "Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato".

PROV 31:30 Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet.

PROV 31:31 I jepni frytin e duarve të saj, dhe vet veprat e saj le ta lëvdojnë te portat.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase