Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Proverbs 24

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31]

PROV 24:1 Mos i ki zili njerëzit e këqij dhe mos dëshiro të rrish me ta,

PROV 24:2 sepse zemra e tyre mendon për grabitje dhe buzët e tyre thonë se do të bëjnë të keqen.

PROV 24:3 Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi.

PROV 24:4 Me dijen mbushen dhomat me lloj-lloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme.

PROV 24:5 Njeriu i urtë është plot forcë, dhe njeriu që ka dituri e rrit fuqinë e tij.

PROV 24:6 Sepse me këshilla të urta do të mund të bësh luftën tënde, dhe në numrin e madh të këshilltarëve është fitorja.

PROV 24:7 Dituria është shumë e lartë për budallanë; ai nuk e hap kurrë gojën te porta e qytetit.

PROV 24:8 Kush mendon të bëjë keq do të quhet mjeshtër intrigash.

PROV 24:9 Synimi i pamend është mëkat dhe tallësi është një neveri për njerëzit.

PROV 24:10 Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e pakët.

PROV 24:11 Çliro ata që i tërheqin drejt vdekjes dhe mbaji ata që po i çojnë në thertore.

PROV 24:12 Po të thuash: "Ja, ne nuk e dinim", ai që peshon zemrat a nuk e shikon? Ai që ruan shpirtin tënd nuk e di vallë? Ai do t'i japë secilit simbas veprave të tij.

PROV 24:13 Biri im, ha mjaltin sepse është i mirë; një huall mjalti do të jetë i ëmbël për shijen tënde.

PROV 24:14 Kështu do të jetë njohja e diturisë për shpirtin tënd. Në rast se e gjen, do të ketë një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.

PROV 24:15 O i pabesë, mos ngre kurthe kundër banesës së njeriut të drejtë, mos shkatërro vendin ku ai pushon,

PROV 24:16 sepse i drejti bie shtatë herë dhe ngrihet, kurse të pabesët përmbysen në fatkeqësi.

PROV 24:17 Kur armiku yt bie, mos u gëzo; kur është shtrirë për tokë, zemra jote të mos gëzohet,

PROV 24:18 me qëllim që Zoti të mos shikojë dhe të mos i vijë keq, dhe të mos largojë prej tij zemërimin e vet.

PROV 24:19 Mos u zemëro për shkak të atyre që bëjnë të keqen dhe mos i ki smirë të pabesët,

PROV 24:20 sepse nuk do të ketë të ardhme për të keqin; llamba e të pabesëve do të fiket.

PROV 24:21 Biri im, ki frikë nga Zoti dhe nga mbreti; mos u bashko me ata që duan të ndryshojnë;

PROV 24:22 mjerimi i tyre do të vijë papritmas, dhe shkatërrimin e të dy palëve kush e njeh?

PROV 24:23 Edhe këto gjëra janë për të urtit. Nuk është mirë të kesh preferenca personale në gjykim.

PROV 24:24 Ai që i thotë të pabesit: "Ti je i drejtë", do të mallkohet nga popujt dhe kombet do ta nëmin.

PROV 24:25 Por ata që e qortojnë të pabesin do të gjejnë kënaqësi dhe mbi ta do të zbresin bekimet më të mira.

PROV 24:26 Ai që jep një përgjigje të drejtë jep një të puthur mbi buzët.

PROV 24:27 Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde.

PROV 24:28 Mos dëshmo pa arsye kundër të afërmit tënd dhe mos gënje me buzët e tua.

PROV 24:29 Mos thuaj: "Ashtu si ma bëri mua, kështu do t'ia bëj edhe unë; do t'ia kthej simbas sjelljes së tij".

PROV 24:30 Kalova pranë arës së përtacit dhe pranë vreshtit të njeriut që s'ka mend;

PROV 24:31 dhe ja, kudo rriteshin ferrat, ferrishtet e zinin tokën dhe muri prej gurësh ishte shembur.

PROV 24:32 Duke parë këtë, u mendova me kujdes; nga sa pashë nxora një mësim:

PROV 24:33 të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish pak me duar në ije për të pushuar;

PROV 24:34 kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase