Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Proverbs 29

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31]

PROV 29:1 Njeriu që fortëson qafën kur qortohet, do të thyhet papritmas pa tjetër.

PROV 29:2 Kur të drejtët shumohen, populli gëzohet, por, kur sundon i pabesi, populli rënkon.

PROV 29:3 Njeriu që e do diturinë gëzon të atin; por ai që shkon me prostitutat shkapaderdh pasurinë e vet.

PROV 29:4 Mbreti e bën të qëndrueshëm vendin me anë të drejtësisë, por ai që merr dhurata e çon në shkatërrim.

PROV 29:5 Njeriu që i bën lajka të afërmit të tij shtrin një rrjetë mbi hapat e tij.

PROV 29:6 Në mëkatin e një njeriut të keq ka një lak, por i drejti këndon dhe gëzohet.

PROV 29:7 I drejti interesohet për çështjen e të varfërve, por i pabesi nuk e kupton këtë interesim.

PROV 29:8 Tallësit kurdisin trazira në qytet, por njerëzit e urtë e qetësojnë zemërimin.

PROV 29:9 Në rast se një njeri i urtë hyn në grindje me një budalla, dhe budallai zemërohet dhe qesh, nuk ka paqe.

PROV 29:10 Njerëzit gjakatarë urrejnë të ndershmin, por njerëzit e drejtë kërkojnë të mbrojnë jetën e tij.

PROV 29:11 Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por i urti e frenon dhe e ul.

PROV 29:12 Në rast se një mbret dëgjon fjalët gënjeshtare, tërë ministrat e tij bëhen të pabesë.

PROV 29:13 I varfëri dhe shtypësi kanë këtë të përbashkët: Zoti ndriçon sytë e të dy palëve.

PROV 29:14 Mbreti që u siguron drejtësi të varfërve në të vërtetë do ta ketë fronin të vendosur për gjithnjë.

PROV 29:15 Shufra dhe qortimi japin dituri; por fëmija për të cilën nuk kujdeset kurrkush e turpëron nënen e vet.

PROV 29:16 Kur shtohen të pabesët shtohen edhe shkeljet, por të drejtët do të shohin shkatërrimin e tyre.

PROV 29:17 Korrigjo birin tënd, ai do të japë rehatinë dhe do t'i sigurojë kënaqësi shpirtit tënd.

PROV 29:18 Kur nuk ka një vizion profetik, populli bëhet i shfrenuar, por lum ai që respekton ligjin.

PROV 29:19 Një shërbëtor nuk ndreqet vetëm me fjalë; edhe kur i kupton, nuk bindet.

PROV 29:20 A ke parë një njeri që ngutet në të folur? Ka më tepër shpresa te një budalla se sa te ai.

PROV 29:21 Në se dikush rrit me përkujdesje qysh në fëmijëri shërbëtorin e vet, në fund ai do të dojë të bëhet trashëgimtar i tij.

PROV 29:22 Njeriu zemërak kurdis grindje dhe njeriu idhnak kryen shumë mëkate.

PROV 29:23 Kryelartësia e njeriut e çon poshtë atë, por ai që ka një shpirt të përvuajtur do të ketë lavdi.

PROV 29:24 Kush bëhet ortak me një vjedhës urren jetën e vet. Ai dëgjon betimin, por nuk padit asgjë.

PROV 29:25 Frika e njeriut përbën një lak, por ai që ka besim te Zoti është i siguruar.

PROV 29:26 Të shumtë janë ata që kërkojnë favorin e princit, por drejtësia për çdo njeri vjen nga Zoti.

PROV 29:27 Njeriu jo i drejtë është një neveri për të drejtët, dhe ai që ecën me ndershmëri është një neveri për të pabesët.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase