Main Index: Albanian Bible UTF8

 

John 19

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21]

JN 19:1 Atëherë Pilati mori Jezusin dhe dha urdhër ta fshikullonin.

JN 19:2 Dhe ushtarët thurrën një kurorë me gjemba, ia vunë mbi krye dhe i veshën siper një mantel të purpurt,

JN 19:3 dhe thoshnin: ''Tungjatjeta, o mbret i Judenjve''; dhe i binin me shuplaka.

JN 19:4 Pastaj Pilati doli përsëri dhe u tha atyre: ''Ja, po jua nxjerr jashtë, që ta dini se nuk gjej në të asnjë faj''.

JN 19:5 Jezusi, pra, doli, duke mbajtur kurorën prej gjembash dhe mantelin e purpurit. Dhe Pilati u tha atyre: ''Ja njeriu!''.

JN 19:6 Kur e panë krerët e priftërinjve dhe rojet, filluan të bërtasin, duke thënë: ''Kryqëzoje, kryqëzoje!''. Pilati u tha atyre: ''Merreni ju dhe kryqëzojeni, sepse unë nuk gjej në të asnjë faj''.

JN 19:7 Judenjtë iu përgjigjën: ''Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit tonë ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë''.

JN 19:8 Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, kishte akoma më shumë frikë;

JN 19:9 dhe, si u kthye në pretorium, i tha Jezusit: ''Nga je ti?''. Por Jezusi nuk i dha kurrfarë përgjigje.

JN 19:10 Për këtë arsye Pilati i tha: ''S'po më flet? ti s'e di që unë kam pushtet të të kryqëzoj dhe pushtet të të liroj?''.

JN 19:11 Jezusi u përgjigj: ''Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti; prandaj ai që më dorëzoi tek ti ka faj më të madh''.

JN 19:12 Që nga ai moment Pilati kërkoi ta lironte; por Judenjtë bërtisnin, duke thënë: ''Po e lirove këtë, nuk je mik i Cezarit; kush e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit''.

JN 19:13 Pilati, pra, kur i dëgjoi këto fjalë, e çoi jashtë Jezusin dhe u ul në selinë e gjykatës, në vendin e quajtur "Kalldrëm", e në hebraisht "Gabatha";

JN 19:14 tani ishte dita e përgatitjes së Pashkës, dhe ishte afërsisht ora e gjashtë; dhe u tha Judenjve: ''Ja mbreti juaj''.

JN 19:15 Por ata bërtitën: ''Largoje! Largoje! Kryqëzoje!''. Pilati u tha atyre: ''Ta kryqëzoj mbretin tuaj?''. Krerët e priftërinjve u përgjigjën: ''Ne s'kemi mbret tjetër përveç Cezarit!''.

JN 19:16 Atëherë ai ua dorëzoi që të kryqëzohej. Dhe ata e morën Jezusin dhe e çuan tutje.

JN 19:17 Dhe ai, duke mbartur kryqin e tij, u nis drejt vendit që quhej "Kafka", që në hebraisht quhet "Golgota",

JN 19:18 ku e kryqëzuan, dhe me të dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, dhe Jezusi në mes.

JN 19:19 Dhe Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri në kryq; dhe atje ishte shkruar: "JEZUSI NAZAREAS, MBRETI I JUDENJVE".

JN 19:20 Kështu këtë mbishkrim e lexuan shumë nga Judenjtë, sepse vendi ku u kryqëzua Jezusi ishte afër qytetit; dhe mbishkrimi ishte shkruar hebraisht, greqisht dhe latinisht.

JN 19:21 Prandaj krerët e priftërinjve të Judenjve i thanë Pilatit: ''Mos shkruaj: "Mbreti i Judenjve", por se ai ka thënë: "Unë jam mbreti i Judenjve"''.

JN 19:22 Pilati u përgjigj: ''Atë që kam shkruar, e kam shkruar!''.

JN 19:23 Dhe ushtarët, mbasi e kishin kryqëzuar Jezusin, morën rrobat e tij dhe bënë katër pjesë, një pjesë për çdo ushtar, dhe tunikën. Por tunika ishte pa tegel, e endur një copë nga maja e deri në fund.

JN 19:24 Prandaj ata i thanë njëri-tjetrit: ''Nuk e grisim, por hedhim short kujt t'i bjerë''; që të përmbushej Shkrimi, që thotë: ''I ndanë midis tyre rrobat e mia, dhe hodhën short për tunikën time''. Ushtarët, pra, i bënë këto gjëra.

JN 19:25 Por afër kryqit të Jezusit, qendronin nëna e tij dhe motra e nënës së tij, Maria e Kleopas dhe Maria Magdalenë.

JN 19:26 Atëherë Jezusi, kur pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha nënës së tij: ''O grua, ja biri yt!''.

JN 19:27 Pastaj i tha dishepullit: ''Ja nëna jote!''. Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet.

JN 19:28 Pas kësaj, Jezusi, duke ditur që tashmë çdo gjë ishte kryer, që të përmbushej Shkrimi, tha: ''Kam etje!''.

JN 19:29 Por aty ishte një enë plot me uthull. Pasi shtinë një sfungjer në uthull dhe e vunë në majë të një dege hisopi, ia afruan te goja.

JN 19:30 Kur Jezusi e mori uthullën, tha: ''U krye!''. Dhe duke ulur kryet, dha frymën.

JN 19:31 Duke qenë se ishte dita e Përgatitjes, me qëllim që trupat të mos qëndronin në kryq të shtunën, sepse ajo e shtunë ishte një ditë me rëndësi të veçantë, Judenjtë i kërkuan Pilatit që atyre t'u thyheshin kërcinjtë dhe të hiqeshin që andej.

JN 19:32 Ushtarët, pra, erdhën dhe ia thyen kërcinjtë të parit dhe pastaj edhe tjetrit që ishte kryqëzuar me të;

JN 19:33 por, kur erdhën te Jezusi, dhe si panë se ai tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë,

JN 19:34 por njëri nga ushtarët ia tejshpoi brinjën me një heshtë, dhe menjëherë i doli gjak e ujë.

JN 19:35 Dhe ai që ka parë, ka dëshmuar për këtë, dhe dëshmia e tij është e vërtetë; dhe ai e di se thotë të vërtetën, që ju të besoni.

JN 19:36 Këto gjëra në fakt ndodhën që të përmbushet Shkrimi: ''Nuk do t'i thyhet asnjë eshtër''.

JN 19:37 Dhe akoma një Shkrim tjetër thotë: ''Do të vështrojnë atë që e kanë tejshpuar''.

JN 19:38 Pas këtyre gjërave, Jozefi nga Arimatea, që ishte dishepull i Jezusit, por fshehtas nga druajtja e Judenjve, i kërkoi Pilatit që mund ta merrte trupin e Jezusit; dhe Pilati i dha leje. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin e Jezusit.

JN 19:39 Por erdhi dhe Nikodemi, i cili më përpara kishte vajtur te Jezusi natën, duke sjellë një përzierje prej mirre dhe aloe, prej rreth njëqind librash.

JN 19:40 Ata, pra, e morën trupin e Jezusit dhe e mbështollën në pëlhura liri me erëra të këndëshme, sipas zakonit të varrimit që ndiqnin Judenjtë.

JN 19:41 Por në atë vend ku ai u kryqëzua ishte një kopsht, dhe në kopsht një varr i ri, në të cilën ende nuk ishte vënë askush.

JN 19:42 Aty, pra, për shkak të Përgatitjes së Judenjve, e vunë Jezusin, sepse varri ishte afër.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase