Main Index: Albanian Bible UTF8

 

John 11

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21]

JN 11:1 Ishte atëherë i sëmurë një farë Llazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i Martës, motrës së saj.

JN 11:2 Maria ishte ajo që e vajosi me vaj erëkëndëshëm Zotin dhe ia fshiu këmbët me flokët e saj; dhe vëllai i saj, Llazari, ishte i sëmurë.

JN 11:3 Prandaj motrat i dërguan fjalë Jezusit: ''Zot, ja, ai që ti e do shumë është i sëmurë''.

JN 11:4 Dhe Jezusi si dëgjoi këto tha: ''Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që nëpërmjet saj të përlëvdohet Biri i Perëndisë''.

JN 11:5 Por Jezusi e donte Martën, motrën e saj dhe Llazarin.

JN 11:6 Kur dëgjoi se Llazari ishte i sëmurë, qëndroi edhe dy ditë në vendin ku ishte.

JN 11:7 Pastaj u tha dishepujve: ''Të kthehemi përsëri në Jude''.

JN 11:8 Dishepujt i thanë: ''Mësues, pak më parë Judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë dhe ti po shkon përsëri atje?''.

JN 11:9 Jezusi u përgjigj: ''Nuk janë vallë dymbëdhjetë, orët e ditës? Kur dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote,

JN 11:10 por nëse dikush ecën natën, pengohet, sepse drita nuk është në të''.

JN 11:11 Mbasi i tha këto gjëra, shtoi: ''Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj''.

JN 11:12 Atëherë dishepujt e tij thanë: ''Zot, po të flejë, do të shpëtojë''.

JN 11:13 Por Jezusi u kishte folur për vdekjen e tij, kurse ata pandehnin se kishte folur për fjetjen e gjumit.

JN 11:14 Atëherë Jezusi u tha atyre haptas: ''Llazari ka vdekur.

JN 11:15 Edhe unë gëzohem për ju që nuk isha atje, që të besoni; por le të shkojmë tek ai''.

JN 11:16 Atëherë Thomai, i quajtur Binjaku, u tha bashkëdishepujve: ''Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të''.

JN 11:17 Kur arriti Jezusi, pra, gjeti që Llazari ishte që prej katër ditësh në varr.

JN 11:18 Por Betania ishte rreth pesëmbëdhjetë stade larg Jeruzalemit.

JN 11:19 Dhe shumë Judenj kishin ardhur te Marta dhe te Maria për t'i ngushëlluar për vëllanë e tyre.

JN 11:20 Marta, pra, si e mori vesh se po vinte Jezusi, i doli përpara; kurse Maria ishte ulur në shtëpi.

JN 11:21 Marta i tha Jezusit: ''Zot, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur,

JN 11:22 por edhe tani e di se të gjitha ato që ti i kërkon Perëndisë, Perëndia do të t'i japë''.

JN 11:23 Jezusi i tha: ''Yt vëlla do të ringjallet''.

JN 11:24 Marta i tha: ''E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit''.

JN 11:25 Jezusi i tha: ''Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.

JN 11:26 Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?''.

JN 11:27 Ajo i tha: ''Po, Zot, unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që duhet të vinte në botë''

JN 11:28 Dhe, si tha kështu, shkoi të thërrasë fshehtas Marinë, motrën e saj, duke thënë: ''Mësuesi është këtu dhe po të thërret''.

JN 11:29 Posa e dëgjoi, ajo u çua me nxitim dhe erdhi tek ai.

JN 11:30 Por Jezusi ende nuk kishte arritur në fshat, por ndodhej në vendin ku Marta e kishte takuar.

JN 11:31 Prandaj Judenjtë që ishin me të në shtëpi për ta ngushëlluar, kur panë se Maria u çua me nxitim dhe doli, e ndoqën, duke thënë: ''Ajo po shkon te varri për të qarë aty''.

JN 11:32 Sapo Maria arriti te vendi ku ndodhej Jezusi dhe e pa atë, i ra ndër këmbë duke i thënë: ''Zot, po të ishe ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur''.

JN 11:33 Atëherë Jezusi, kur pa se ajo dhe Judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u psherëtiu në frymë dhe u trondit,

JN 11:34 dhe tha: ''Ku e keni vënë?''. Ata i thanë: ''Zot, eja e shih!''.

JN 11:35 Jezusi qau.

JN 11:36 Atëherë Judenjtë thanë: ''Shih, sa e donte!''.

JN 11:37 Por disa nga ata thanë: ''Ky, që i hapi sytë të verbërit, s'mund të bënte që ky të mos vdiste?".

JN 11:38 Prandaj Jezusi, përsëri i tronditur përbrenda, erdhi te varri; por ky ishte një guvë dhe kishte përpara një gur.

JN 11:39 Jezusi tha: ''Hiqni gurin!''. Marta, motra e të vdekurit, i tha: ''Zot, ai tashmë qelbet, sepse ka vdekur prej katër ditësh''.

JN 11:40 Jezusi i tha: ''A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?''.

JN 11:41 Atëherë ata e hoqën gurin prej vendit ku ishte shtrirë i vdekuri. Dhe Jezusi i ngriti sytë lart dhe tha: ''O Atë, të falënderoj që më ke dëgjuar.

JN 11:42 Unë e dija mirë se ti gjithnjë më dëgjon, por i kam thënë këto për turmën që është përreth, që të besojnë se ti më ke dërguar''.

JN 11:43 Dhe, mbasi tha këto, thirri me zë të lartë: ''Llazar, eja jashtë!''.

JN 11:44 Atëherë i vdekuri doli, me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure dhe me fytyrën të mbështjellë në një rizë. Jezusi u tha atyre: ''Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!''.

JN 11:45 Atëherë shumë nga Judenjtë, që kishin ardhur te Maria dhe kishin parë gjithçka kishte bërë Jezusi, besuan në të.

JN 11:46 Por disa nga ata shkuan te farisenjtë dhe u treguan atyre ç'kishte bërë Jezusi.

JN 11:47 Atëherë krerët e priftërinjve dhe farisenjtë mblodhën sinedrin dhe thanë: ''Ç'të bëjmë? Ky njeri po bën shumë shenja.

JN 11:48 Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë në të, do të vijnë Romakët dhe do të shkatërrojnë vendin dhe kombin tonë''.

JN 11:49 Por një nga ata, Kajafa, që ishte kryeprifti i atij viti, u tha atyre: ''Ju nuk kuptoni asgjë;

JN 11:50 dhe as nuk e konceptoni se është e leverdishme për ne që të vdesë vetëm një njeri për popullin, dhe të mos humbasë gjithë kombi''.

JN 11:51 Por këtë ai nuk e tha nga vetja; por, duke qenë kryeprift i atij viti, profetizoi se Jezusi duhej të vdiste për kombin,

JN 11:52 dhe jo vetëm për kombin, por edhe për t'i mbledhur në një, bijtë e Perëndisë që ishin të shpërndarë.

JN 11:53 Që nga ajo ditë, pra, ata vendosën ta vrasin.

JN 11:54 Për këtë arsye Jezusi nuk ecte më haptasi midis Judenjve, por u tërhoq në një krahinë afër shkretëtirës, në një qytet që quhej Efraim dhe aty rrinte me dishepujt e tij.

JN 11:55 Dhe Pashka e Judenjve ishte afër dhe shumë veta nga ajo krahinë u ngjitën në Jeruzalem përpara Pashkës për t'u pastruar.

JN 11:56 E kërkonin, pra, Jezusin dhe, duke qëndruar në tempull, thoshnin në mes tyre: ''Si ju duket juve? A do të vijë ai për festë?''.

JN 11:57 Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë kishin dhënë urdhër që, po ta dinte ndokush se ku ishte ai, të sinjalizonte që ta kapnin.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase