Main Index: Albanian Bible UTF8

 

John 18

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21]

JN 18:1 Mbasi i tha këto gjëra, Jezusi doli me dishepujt e vet dhe shkoi përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht, në të cilin hyri ai me dishepujt e tij.

JN 18:2 Dhe Juda, i cili po e tradhtonte, e njihte edhe ai atë vend, sepse shpesh herë Jezusi tërhiqej atje me dishepujt e tij.

JN 18:3 Atëherë Juda mori një grup ushtarësh dhe rojat e dërguara nga krerët e priftërinjve dhe nga farisenjtë, erdhi atje me fenerë, pishtarë dhe me armë.

JN 18:4 Atëherë Jezusi, duke ditur gjithçka që do t'i ndodhte, doli dhe i pyeti: ''Kë kërkoni?''.

JN 18:5 Ata iu përgjigjën: ''Jezusin Nazareas''. Jezusi u tha atyre: ''Unë jam!''. Por Juda, që po e tradhtonte, ishte edhe ai me ta.

JN 18:6 Sapo ai u tha atyre: ''Unë jam'', ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe.

JN 18:7 Atëherë Jezusi i pyeti përsëri: ''Kë kërkoni?''. Ata thanë: ''Jezusin Nazareas''.

JN 18:8 Jezusi u përgjigj: ''Ju kam thënë se unë jam; prandaj nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë'';

JN 18:9 që të përmbushej fjala që kishte thënë: ''Nuk kam humbur asnjë nga ata që më ke dhënë''.

JN 18:10 Atëherë Simon Pjetri, që kishte një shpatë, e nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë; dhe ai shërbëtor quhej Malk.

JN 18:11 Por Jezusi i tha Pjetrit: ''Fute shpatën tënde në mill; a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?''.

JN 18:12 Atëherë grupi i ushtarëve, kapiteni dhe rojet e Judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën.

JN 18:13 E çuan më parë te Ana, sepse ishte vjehrri i Kajafës, që ishte kryeprifti i atij viti.

JN 18:14 Kajafa ishte ai që i kishte këshilluar Judenjtë se ishte e leverdishme që një njeri të vdiste për popullin.

JN 18:15 Por Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër ndiqnin Jezusit. Dhe ky dishepull ishte i njohur i kryepriftit; dhe hyri me Jezusin në oborrin e kryepriftit.

JN 18:16 Por Pjetri mbeti përjashta te dera. Atëherë dishepulli tjetër, që ishte i njohur i kryepriftit, doli dhe i foli portieres dhe bëri të hyjë Pjetri.

JN 18:17 Dhe shërbëtorja portiere i tha Pjetrit: ''Mos je edhe ti nga dishepujt e atij njeriu?''. Ai u përgjigj: ''Nuk jam''.

JN 18:18 Ndërkaq shërbëtorët dhe rojat ndezën një zjarr me qymyr dhe qëndronin në këmbë e ngroheshin, sepse bënte ftohtë; edhe Pjetri qëndronte në këmbë me ta dhe ngrohej.

JN 18:19 Por kryeprifti e pyeti Jezusin për dishepujt e tij dhe për doktrinën e tij.

JN 18:20 Jezusi iu përgjigj: ''Unë i kam folur haptas botës; gjithmonë kam mësuar në sinagogë e në tempull, ku mblidhen të gjithë Judenjtë, dhe s'kam thënë asgjë në fshehtësi.

JN 18:21 Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar ç'u kam thënë atyre; ja, ata i dinë gjërat që kam thënë''.

JN 18:22 Posa i tha këto fjalë, një nga rojat që i rrinin afër, i ra Jezusit me shuplakë, duke thënë: ''Kështu i përgjigjesh kryepriftit?''.

JN 18:23 Jezusi i tha: ''Po të kem folur keq, trego ku është e keqja; por, po të kem folur mirë, përse po më bie?''.

JN 18:24 Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te Kajafa, kryeprifti.

JN 18:25 Ndërkaq Simon Pjetri qëndronte aty e ngrohej. I thanë, pra: ''Mos je dhe ti nga dishepujt e tij?''. Ai e mohoi dhe tha: ''Nuk jam''.

JN 18:26 Por një nga shërbëtorët e kryepriftit, farefisi i atij, të cilit Pjetri ia kishte prerë veshin, tha: ''A s'të pashë në kopsht me të?''.

JN 18:27 Dhe Pjetri e mohoi sërish, dhe menjëherë këndoi gjeli.

JN 18:28 Pastaj nga Kajafa e çuan Jezusin në pretorium; ishte mëngjes herët. Por ata nuk hynë në pretorium, që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin Pashkën.

JN 18:29 Dhe kështu Pilati doli jashtë drejt tyre dhe tha: ''Ç'padi sillni kundër këtij njeriu?''.

JN 18:30 Ata u përgjigjën dhe i thanë: ''Nëse ai të mos ishte keqbërës, nuk do ta kishim dorëzuar''.

JN 18:31 Atëherë Pilati u tha atyre: ''Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj'' Por Judenjtë i thanë: ''Neve nuk na lejohet të vrasim njeri''.

JN 18:32 Kjo ndodhi që të përmbushej fjala që kishte thënë Jezusi, kur kishte thënë se me ç'vdekje duhej të vdiste.

JN 18:33 Atëherë Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezusin dhe i tha: ''A je ti mbreti i Judenjve?''.

JN 18:34 Jezusi iu përgjigj: ''E thua ti nga vetja, apo ta kanë thënë të tjerë për mua?''.

JN 18:35 Pilati iu përgjigj: ''Jam unë vallë Jude? Kombi yt dhe krerët e priftërinjve të dorëzuan tek unë; çfarë ke bërë?''.

JN 18:36 Jezusi u përgjigj: ''Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha Judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej''.

JN 18:37 Atëherë Pilati i tha: ''Ti, pra, qenke mbret?''. Jezusi u përgjigj: ''Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim''.

JN 18:38 Pilati e pyeti: ''Ç'është e vërteta?''. Dhe, si foli këtë, doli përsëri para Judenjve dhe u tha atyre: ''Unë nuk po gjej në të asnjë faj!

JN 18:39 Por ndër ju është zakon që unë t'ju liroj dikë për Pashkë; a doni, pra, që t'ju liroj mbretin e Judenjve?''.

JN 18:40 Atëherë të gjithë bërtitën përsëri, duke thënë: ''Jo këtë, por Barabanë!''. Por Baraba ishte një kusar.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase