Main Index: Albanian Bible UTF8

 

John 4

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21]

JN 4:1 Pra, kur Zoti mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar se Jezusi po bënte më shumë dishepuj dhe po pagëzonte më shumë se Gjoni

JN 4:2 (ndonëse nuk pagëzonte Jezusi vetë, por dishepujt e tij),

JN 4:3 e la Judenë dhe shkoi përsëri në Galile.

JN 4:4 Por duhej të kalonte nëpër Samari.

JN 4:5 Arriti, pra, në një qytet të Samarisë që quhej Sihar, afër tokës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të vet.

JN 4:6 Por aty ishte pusi i Jakobit. Dhe Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul pranë pusit; ishte rreth orës së gjashtë.

JN 4:7 Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë. Dhe Jezusi i tha: ''Më jep të pi'',

JN 4:8 sepse dishepujt e vet kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime.

JN 4:9 Por gruaja samaritane i tha: ''Po qysh, ti që je Jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?'' (Sepse Judenjtë nuk shoqërohen me Samaritanët).

JN 4:10 Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: "Më jep të pi!", ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë''.

JN 4:11 Gruaja i tha: ''Zot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, atë ujë të gjallë?

JN 4:12 Vallë je më i madh se Jakobi, ati ynë, qe na dha këtë pus dhe piu prej tij ai vetë, bijtë e tij dhe bagëtitë e tij?''.

JN 4:13 Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje,

JN 4:14 por kush pi nga uji që do t'i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t'i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme''.

JN 4:15 Gruaja i tha: ''Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë!''.

JN 4:16 Jezusi i tha: ''Shko thirre burrin tënd dhe eja këtu''.

JN 4:17 Gruaja u përgjigj dhe i tha: ''Unë nuk kam burrë''. Jezusi i tha: ''Mirë the: "Nuk kam burrë",

JN 4:18 sepse ti kishe pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt; për këtë ke thënë të vërtetën!''.

JN 4:19 Gruaja i tha: ''Zot, po shoh se ti je një profet.

JN 4:20 Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë''.

JN 4:21 Jezusi i tha: ''O grua, më beso: vjen ora që as mbi këtë mal as në Jeruzalem nuk do të adhuroni Atin.

JN 4:22 Ju adhuroni atë që s'e njihni; ne adhurojmë atë që njohim; sepse shpëtimi vjen nga Judenjtë.

JN 4:23 Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.

JN 4:24 Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t'a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën''.

JN 4:25 Gruaja i tha: ''Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë''.

JN 4:26 Jezusi i tha: ''Unë jam, ai që po të flet!''.

JN 4:27 Në këtë moment erdhën dishepujt e tij dhe u mrekulluan që po fliste me një grua; por asnjë nuk i tha: ''Çfarë do?'' ose: ''Pse po flet me të?''.

JN 4:28 Atëherë gruaja e la kovën e saj dhe u kthye në qytet dhe u tha njerëzve:

JN 4:29 ''Ejani të shikoni një njeri që më ka thënë gjithçka kam bërë; vallë mos është ky Krishti?''.

JN 4:30 Dolën, pra, nga qyteti dhe erdhën tek ai.

JN 4:31 Ndërkaq dishepujt e vet po i luteshin duke thënë: ''Mësues, ha''.

JN 4:32 Por ai u tha atyre: ''Unë kam një ushqim për të ngrënë të cilin ju s'e njihni''.

JN 4:33 Prandaj dishepujt i thonin njëri-tjetrit: ''Mos i solli vallë dikush për të ngrënë?''.

JN 4:34 Jezusi u tha atyre: ''Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij.

JN 4:35 A nuk thoni ju se ka edhe katër muaj dhe vjen korrja? Ja, unë po ju them: Ngrini sytë tuaj dhe shikoni fushat që tashmë zbardhojnë për korrjen.

JN 4:36 Korrësi e merr shpërblimin dhe mbledh frytin për jetën e përjetshme, që mbjellësi dhe korrësi të gëzohen sëbashku.

JN 4:37 Sepse në këtë vërtetohet e thëna: "Një mbjell e tjetri korr".

JN 4:38 Unë ju dërgova të korrni atë për të cilin ju nuk u munduat; të tjerët u munduan dhe ju hytë në mundimin e tyre''.

JN 4:39 Dhe shumë Samaritanë nga ai qytet besuan në të, për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: ''Ai më tregoi gjithçka kam bërë''.

JN 4:40 Por kur Samaritanët erdhën tek ai, e lutën të qëndrojë me ta; dhe ai ndenji aty dy ditë.

JN 4:41 Dhe shumë më tepër njerëz besuan për shkak të fjalës së tij.

JN 4:42 Dhe ata i thoshnin gruas: ''S'është më vetëm për shkak të fjalëve të tua që besojmë, por sepse ne vetë e kemi dëgjuar dhe dimë se ai është me të vërtetë Krishti, Shpëtimtari i botës''.

JN 4:43 Pra, si kaluan ato dy ditë, ai u nis prej andej dhe shkoi në Galile,

JN 4:44 sepse vetë Jezusi dëshmoi se një profet nuk nderohet në vendlindjen e vet.

JN 4:45 Pra, kur arriti në Galile, Galileasit e pritën, sepse kishin parë të gjitha ato që kishte bërë në Jeruzalem gjatë festës, sepse edhe ata kishin shkuar për festë.

JN 4:46 Jezusi erdhi, pra, përsëri në Kanë të Galilesë, ku e kishte bërë ujin verë. Dhe aty ishte një nëpunës i mbretit, djali i të cilit ishte i sëmurë në Kapernaum.

JN 4:47 Ky, kur dëgjoi se Jezusi kishte ardhur nga Judeja në Galile, shkoi tek ai dhe iu lut që të zbriste e ta shëronte birin e tij, që ishte gati për vdekje.

JN 4:48 Atëherë Jezusi i tha: ''Po të mos shikoni shenja dhe mrekulli, ju nuk besoni''.

JN 4:49 Nëpunësi i mbretit i tha: ''Zot, zbrit para se djali im të vdesë''.

JN 4:50 Jezusi i tha: ''Shko, djali yt jeton!''. Dhe ai njeri i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi.

JN 4:51 Pikërisht kur ai po zbriste, i dolën përpara shërbëtorët e vet dhe e informuan duke thënë: ''Djali yt jeton!''.

JN 4:52 Dhe ai i pyeti ata në cilën orë u bë më mirë; ata i thanë: ''Dje në orën e shtatë e lanë ethet''.

JN 4:53 Atëherë i ati e kuptoi se ishte pikërisht në atë orë në të cilën Jezusi i kishte thënë: ''Djali yt jeton''; dhe besoi ai dhe gjithë shtëpia e tij.

JN 4:54 Jezusi bëri edhe këtë shenjë të dytë, kur u kthye nga Judeja në Galile.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase