Main Index: Albanian Bible UTF8

 

John 8

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21]

JN 8:1 Dhe Jezusi shkoi në malin e Ullinjve.

JN 8:2 Por, si zbardhi dita, u kthye përsëri në tempull dhe gjithë populli erdhi tek ai; dhe ai u ul dhe i mësonte.

JN 8:3 Atëherë farisenjtë dhe skribët i prunë një grua që ishte kapur duke shkelur kurorën dhe, mbasi e vunë në mes,

JN 8:4 i thanë Jezusit: ''Mësues, kjo grua është kapur në flagrancë, duke shkelur kurorën.

JN 8:5 Por në ligj Moisiu na ka urdhëruar të vriten me gurë gra të tilla, por ti ç'thua?''.

JN 8:6 Flisnin kështu për ta vënë në provë dhe për të pasur diçka për ta paditur. Por Jezusi, duke u shtënë se nuk dëgjoi, u përkul dhe shkruante me gisht në dhe.

JN 8:7 Dhe, kur ata vazhdonin ta pyesnin, ai u drejtua dhe u tha atyre: ''Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj!''.

JN 8:8 Pastaj u përkul përsëri dhe shkruante në dhe.

JN 8:9 Atëherë ata, e dëgjuan këtë dhe të bindur nga ndërgjegjja, u larguan një nga një, duke filluar nga më të vjetrit e deri te të fundit; kështu Jezusi mbeti vetëm me atë grua, që qëndronte atje në mes.

JN 8:10 Jezusi atëherë u ngrit dhe, duke mos parë tjetër përveç gruas, i tha: ''O grua, ku janë ata që të paditnin? Askush nuk të dënoi?''.

JN 8:11 Dhe ajo u përgjigj: ''Askush, Zot''. Atëherë Jezusi i tha: ''As unë nuk të dënoj; shko dhe mos mëkato më''.

JN 8:12 Dhe Jezusi u foli atyre përsëri duke thënë: ''Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës''.

JN 8:13 Atëherë farisenjtë i thanë: ''Ti dëshmon për vetveten; dëshmimi yt nuk është i vërtetë''.

JN 8:14 Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''Edhe pse dëshmoj për vetvete, dëshmimi im është i vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur e ku po shkoj; ju, përkundrazi, nuk e dini as nga vij dhe as ku po shkoj.

JN 8:15 Ju gjykoni sipas mishit, unë nuk gjykoj asnjeri.

JN 8:16 Por, edhe kur gjykoj, gjykimi im është i vërtetë, sepse unë nuk jam vetëm, por jam unë dhe Ati që më dërgoi.

JN 8:17 Edhe në ligjin tuaj është shkruar se dëshmimi i dy njerëzve është i vërtetë.

JN 8:18 Unë jam ai që dëshmoj për vetvete dhe Ati që më ka dërguar dëshmon për mua''.

JN 8:19 Atëherë i thanë: ''Ku është Ati yt?''. Jezusi u përgjigj: ''Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim; po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim''.

JN 8:20 Jezusi i shprehu këto fjalë në vendin e thesarit, duke mësuar në tempull dhe askush nuk e kapi, sepse nuk i kishte ardhur akoma ora.

JN 8:21 Jezusi, pra, u tha atyre përsëri: ''Unë po shkoj dhe ju do të më kërkoni, dhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Atje ku shkoj unë, ju nuk mund të vini''.

JN 8:22 Prandaj Judenjtë thoshnin: ''Mos don të vrasë veten, sepse thotë: "Ku shkoj unë, ju nuk mund të vini"?''.

JN 8:23 Dhe ai u tha atyre: ''Ju jeni nga këtu poshtë, kurse unë jam nga atje lart; ju jeni prej kësaj bote, unë nuk jam prej kësaj bote.

JN 8:24 Prandaj ju thashë se ju do të vdisni në mëkatet tuaja, sepse po të mos besoni se unë jam, ju do të vdisni në mëkatet tuaja''.

JN 8:25 Atëherë ata i thanë: ''Kush je ti?''. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Pikërisht atë që ju thashë.

JN 8:26 Shumë gjëra kam për të thënë e për të gjykuar lidhur me ju; por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe gjërat që kam dëgjuar nga ai, ia them botës''.

JN 8:27 Ata nuk e kuptuan se ai po u fliste atyre për Atin.

JN 8:28 Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Kur ta keni lartuar Birin e njeriut, atëherë do të njihni se unë jam, dhe se nuk bëj asgjë prej vetvetes, por i them këto gjëra ashtu si Ati më ka mësuar.

JN 8:29 Dhe ai që më ka dërguar është me mua; Ati s'më ka lënë vetëm, sepse bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë''.

JN 8:30 Ndërsa ai thoshte këto gjëra, shumë veta besuan në të.

JN 8:31 Atëherë Jezusi u tha Judenjve që besuan në të: ''Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi;

JN 8:32 do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t'ju bëjë të lirë''.

JN 8:33 Ata iu përgjigjën: ''Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe s'kemi qenë kurrë sk-llevër të askujt; si mund të thuash ti: "Do të bëheni të lirë"?''.

JN 8:34 Jezusi u përgjigj atyre: Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush bën mëkatin është skllav i mëkatit.

JN 8:35 Por skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi; ndërsa biri rri përgjithmonë.

JN 8:36 Pra, nëse Biri do t'ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë''.

JN 8:37 ''Unë e di se jeni pasardhësit e Abrahamit, por ju kërkoni të më vrisni, sepse fjala ime nuk gjen vend në ju.

JN 8:38 Unë flas për ç'kam parë tek Ati im, dhe ju bëni gjërat që keni parë tek ati juaj''.

JN 8:39 Ata, duke u përgjigjur, i thanë: ''Ati ynë është Abrahami''. Jezusi u tha atyre: ''Po të ishit bij të Abrahamit, do të bënit veprat e Abrahamit;

JN 8:40 por ju tani kërkoni të më vrisni mua, që ju kam folur të vërtetën që kam dëgjuar nga Perëndia; Abrahami këtë nuk e bëri.

JN 8:41 Ju bëni veprat e atit tuaj''. Prandaj ata i thanë: ''Ne nuk lindëm nga kurvërimi; ne kemi një Atë të vetëm: Perëndinë''.

JN 8:42 Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Po të ishte Perëndia Ati juaj, ju do të më donit, sepse kam dalë dhe kam ardhur nga Perëndia; nuk kam ardhur, pra, nga vetja ime, por ai më ka dërguar.

JN 8:43 Përse nuk e kuptoni thënien time? Sepse nuk mund të dëgjoni fjalën time.

JN 8:44 Ju jeni nga djalli, që është ati juaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj; ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë të rrema, flet nga vetvetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i rrenës.

JN 8:45 Kurse mua, duke qenë se ju them të vërtetën, nuk më besoni.

JN 8:46 Cili nga ju më bind për mëkat? Nëse flas të vërtetën, përse nuk më besoni?

JN 8:47 Kush është prej Perëndisë, i dëgjon fjalët e Perëndisë; prandaj ju nuk dëgjoni, se nuk jeni prej Perëndisë''.

JN 8:48 Atëherë Judenjtë iu përgjigjën dhe i thanë: ''A nuk themi me të drejtë se ti je Samaritan dhe se ke një demon?''.

JN 8:49 Jezusi u përgjigj: ''Unë s'kam një demon, por nderoj Atin tim; ju përkundrazi më çnderoni.

JN 8:50 Tani unë nuk kërkoj lavdinë time, ka kush e kërkon dhe gjykon.

JN 8:51 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ai që zbaton fjalën time, nuk do ta shohë kurrë vdekjen, përjetë''.

JN 8:52 Pra Judenjtë i thanë: ''Tani njohim se ti ke një demon. Abrahami dhe profetët kanë vdekur, kurse ti thua: "Kur njëri zbaton fjalën time, nuk do ta shijojë kurrë vdekjen, përjetë".

JN 8:53 Ti qenke më i madh se ati ynë Abraham, i cili ka vdekur? Edhe profetët kanë vdekur; kush pretendon se je?''.

JN 8:54 Jezusi u përgjigj: ''Në qoftë se unë e përlëvdoj veten, lavdia ime s'është asgjë. Éshtë Ati im ai që më përlëvdon, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj.

JN 8:55 Por ju ende s'e keni njohur, kurse unë e njoh dhe, po të thoja se nuk e njoh, do të isha një gënjeshtar si ju; por unë e njoh dhe e zbatoj fjalën e tij.

JN 8:56 Abrahami, ati juaj, ngazëllohej në shpresën që të shihte ditën time; e pa dhe u gëzua''.

JN 8:57 Judenjtë, pra, i thanë: ''Ti ende nuk je pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?''.

JN 8:58 Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam''.

JN 8:59 Atëherë ata morën gurë, që t'i hidhnin kundër tij; por Jezusi u fsheh dhe doli nga tempulli, duke kaluar midis tyre; dhe kështu u largua.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase