Main Index: Albanian Bible UTF8

 

John 1

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21]

JN 1:1 Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.

JN 1:2 Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë.

JN 1:3 Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.

JN 1:4 Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve.

JN 1:5 Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.

JN 1:6 Qe një njeri i dërguar nga Perendia; emri i tij ishte Gjon.

JN 1:7 Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij;

JN 1:8 ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën.

JN 1:9 Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë.

JN 1:10 Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu.

JN 1:11 Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan,

JN 1:12 por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij,

JN 1:13 të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.

JN 1:14 Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.

JN 1:15 Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: ''Ky është ai, për të cilin thashë: "Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje"''.

JN 1:16 Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir.

JN 1:17 Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.

JN 1:18 Askush s'e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t'Et, është ai që e ka bërë të njohur.

JN 1:19 Dhe kjo është dëshmia e Gjonit, kur Judenjtë i dërguan nga Jeruzalemi priftërinj dhe levitë për ta pyetur: ''Kush je ti?''.

JN 1:20 Ai edhe e rrëfeu, edhe nuk e mohoi, dhe rrëfeu: ''Unë nuk jam Krishti''.

JN 1:21 Atëherë ata e pyetën: ''Kush je, pra? A je Elia?''. Ai tha: ''Nuk jam!''. ''Je ti profeti?''. Dhe ai përgjigjej: ''Jo!''.

JN 1:22 Atëherë ata i thanë: ''Kush je ti, që t'u japim përgjigje atyre që na dërguan? Ç'thua për veten tënde?''.

JN 1:23 Ai u përgjigj: ''Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: drejtoni udhën e Zotit, sikurse tha profeti Isaia''.

JN 1:24 Dhe ata që qenë dërguar, ishin nga farisenjtë;

JN 1:25 ata e pyetën dhe i thanë: ''Atëherë pse ti pagëzon, kur nuk je as Krishti, as Elia, as profeti?''.

JN 1:26 Gjoni iu përgjigj atyre, duke thënë: ''Unë pagëzoj me ujë, por midis jush është një që ju nuk e njihni.

JN 1:27 Ai është ai që vjen pas meje e më paraprin, të cilit unë nuk jam i denjë t'ia zgjidh lidhësen e sandaleve''.

JN 1:28 Këto gjëra ndodhën në Betabara, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte.

JN 1:29 Të nesërmen, Gjoni e pa Jezusin që po vinte drejt tij dhe tha: ''Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!

JN 1:30 Ky është ai për të cilin unë thashë: "Mbas meje vjen një burrë që më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje!".

JN 1:31 Unë nuk e njihja, prandaj erdha të pagëzoj me ujë, që ky t'i zbulohet Izraelit''.

JN 1:32 Dhe Gjoni dëshmoi duke thënë: ''E pashë Frymën duke zbritur nga qielli si një pëllumb dhe ndenji mbi të.

JN 1:33 Unë nuk e njihja, por ai që më dërgoi të pagëzoj në ujë, më tha: "Ai, mbi të cilin do të shikosh se zbret Fryma dhe qëndron mbi të, është ai që pagëzon me Frymën e Shenjtë".

JN 1:34 Dhe unë pashë e dëshmova se ai është Biri i Perëndisë''.

JN 1:35 Të nesërmen Gjoni rrinte përsëri atje me dy nga dishepujt e vet.

JN 1:36 Dhe, duke i ngulur sytë mbi Jezusin që po kalonte, tha: ''Ja Qengji i Perëndisë!''.

JN 1:37 Dhe të dy dishepujt dëgjuan atë duke folur, dhe e ndoqën Jezusin.

JN 1:38 Por Jezusi u kthye dhe, kur pa se po e ndiqnin, u tha atyre: ''Ç'kërkoni?''. Ata i thanë: ''Rabbi (që e përkthyer do të thotë "mësues"), ku banon?''.

JN 1:39 Ai iu përgjigj atyre: ''Ejani e shikoni''. Ata shkuan dhe e panë ku banonte ai, dhe ndenjën atë ditë bashkë me të. Ishte rreth orës dhjetë.

JN 1:40 Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte një nga ata të dy që e kishin dëgjuar këtë nga Gjoni dhe kishin ndjekur Jezusin.

JN 1:41 Ky gjeti më të parin vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: ''E gjetëm Mesian që përkthyer do të thotë: "Krishti"'';

JN 1:42 dhe e çoi te Jezusi. Atëherë Jezusi e shikoi dhe tha: ''Ti je Simoni, bir i Jonas. Ti do të quhesh Kefa, që do të thotë: "gur"''.

JN 1:43 Të nesërmen, Jezusi donte të dilte në Galile; gjeti Filipin dhe i tha: ''Ndiqmë!''.

JN 1:44 Dhe Filipi ishte nga Betsaida, nga i njejti qytet i Andreas dhe i Pjetrit.

JN 1:45 Filipi gjeti Natanaelin dhe i tha: ''E gjetëm atë, për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët: Jezusin nga Nazareti, të birin e Jozefit!''.

JN 1:46 Dhe Natanaeli i tha: ''A mund të dalë diçka e mirë nga Nazareti?''. Filipi i tha: ''Eja e shih!''.

JN 1:47 Jezusi pa se Natanaeli po vinte drejt tij dhe tha për të: ''Ja një Izraelit i vërtetë, tek i cili s'ka mashtrim''.

JN 1:48 Natanaeli i tha: ''Nga më njeh?''. Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Të pashë kur ishe nën fik, para se të të thërriste Filipi''.

JN 1:49 Natanaeli duke iu përgjigjur tha: ''Mësues, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit!''.

JN 1:50 Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Sepse të thashë se të pashë nën fik, ti beson; do të shohësh gjëra më të mëdha se këto!''.

JN 1:51 Pastaj i tha: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se tash e tutje ju do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut''.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase