Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Luke 22

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24]

LK 22:1 Ndërkaq po afrohej festa e të Ndormëve, që quhet Pashkë.

LK 22:2 Dhe krerët e priftërinjve e skribët kërkonin mënyrën se si ta vrisnin, sepse kishin frikë nga populli.

LK 22:3 Atëherë Satani hyri në Judën, i mbiquajtur Iskariot, që ishte një nga të dymbëdhjetët.

LK 22:4 Kështu ai shkoi të merret vesh me krerët e priftërinjve e dhe me krerët e rojës për mënyrën se si do ta tradhtonte.

LK 22:5 Ata u gëzuan dhe i premtuan t'i japin para.

LK 22:6 Dhe ai pranoi dhe kërkonte rastin e volitshëm për t'ua dorëzuar pa qenë e pranishme turma.

LK 22:7 Tani erdhi dita e të Ndormëve, kur duhet therur flijimi i Pashkës.

LK 22:8 Dhe Jezusi dërgoi Pjetrin dhe Gjonin duke u thënë: ''Shkoni e na bëni gati Pashkën, që ne ta hamë''.

LK 22:9 Dhe ata e thanë: ''Ku dëshiron ta përgatisim?''.

LK 22:10 Atëherë ai tha atyre: ''Ja, kur të hyni në qytet, do t'ju dalë përpara një njeri që mban një brokë uji; ndiqeni në shtëpinë ku ai do të hyjë.

LK 22:11 I thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi të çon fjalë: Ku është salla, në të cilën mund të ha Pashkën bashkë me dishepujt e mi?".

LK 22:12 Atëherë ai do t'ju tregojë një sallë të madhe të shtruar; aty do të bëni përgatitjet''.

LK 22:13 Ata shkuan, pra, dhe gjetën ashtu siç u tha dhe përgatitën Pashkën.

LK 22:14 Dhe, kur erdhi ora, ai u ul në tryezë dhe bashkëmetë dymbëdhjetë apostujt.

LK 22:15 Atëherë ai u tha atyre: ''Kam pasur dëshirë të madhe ta ha këtë Pashkë bashkë me ju, para se të vuaj,

LK 22:16 sepse po ju them se nuk do të ha më të tillë derisa ajo të plotësohet në mbretërinë e Perëndisë''.

LK 22:17 Pastaj mori kupën, falenderoi, dhe tha: ''Merrnie këtë dhe ndanie midis jush,

LK 22:18 sepse unë po ju them se nuk do të pi më nga fryti i hardhisë derisa të vijë mbretëria e Perëndisë''.

LK 22:19 Pastaj mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ''Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim''.

LK 22:20 Po kështu, pas darkës, mori kupën duke thënë: ''Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju.

LK 22:21 Por ja, dora e atij që më tradhton është me mua mbi tryezë.

LK 22:22 Sigurisht Biri i njeriut shkon, siç është caktuar, por mjerë ai njeri me anë të cilit është tradhëtuar!''.

LK 22:23 Atëherë ata filluan ta pyesin njëri-tjetrin se kush nga ata do ta bënte këtë gjë.

LK 22:24 Dhe midis tyre lindi edhe një grindje se cili nga ata duhej të konsiderohej më i madhi.

LK 22:25 Por Jezusi u tha atyre: ''Mbretërit e kombeve i sundojnë ato, dhe ata që ushtrojnë pushtet mbi to quhen bamirës.

LK 22:26 Por me ju mos qoftë kështu; madje më i madhi ndër ju le të jetë si më i vogli dhe ai që drejton si ai që shërben.

LK 22:27 Në fakt kush është më i madh: ai që është në tryezë apo ai që shërben? Vallë, a s'është ai që rri në tryezë? E pra, unë jam midis jush porsi ai që shërben.

LK 22:28 Ju jeni ata që qëndruat me mua në sprovat e mia.

LK 22:29 Dhe unë ju caktoj mbretërinë ashtu si ma ka caktuar mua Ati im,

LK 22:30 që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time, dhe të uleni mbi frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.

LK 22:31 Edhe Zoti tha: ''Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t'ju shoshë ashtu siç shoshet gruri.

LK 22:32 Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu''.

LK 22:33 Por ai tha: ''Zot, unë jam gati të shkoj bashkë me ty edhe në burg edhe në vdekje''.

LK 22:34 Por Jezusi tha: ''Pjetër, unë të them se sot gjeli nuk do të këndojë, para se ti të kesh mohuar tri herë se më njeh''.

LK 22:35 Pastaj u tha atyre: ''Kur ju dërgova pa trasta, pa thes dhe pa sandale, vallë a ju mungoi gjë?''. Dhe ata thanë: ''Asgjë''.

LK 22:36 U tha, pra, atyre: ''Po tani, kush ka një trastë le ta marrë me vete, dhe po kështu thesin; dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë rrobën e vet e ta blejë një.

LK 22:37 Sepse unë po ju them se çfarë është shkruar duhet të plotësohet ende në mua: "Dhe ai është radhitur ndër keqbërësit". Sepse ato gjëra që janë shkruar për mua do të kenë kryerjen e tyre''.

LK 22:38 Atëherë ata thanë: ''Zot, ja këtu dy shpata''. Por ai u tha atyre ''Mjaft!''.

LK 22:39 Pastaj Jezusi doli dhe shkoi si zakonisht në malin e Ullinjve, dhe edhe dishepujt e tij e ndiqnin.

LK 22:40 Kur arriti në vend, u tha atyre: ''Lutuni që të mos hyni në tundim''.

LK 22:41 Dhe u largua prej tyre, aq sa mund të hidhet një gur, dhe ra në gjunj dhe lutej,

LK 22:42 duke thënë: ''O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti''.

LK 22:43 Atëherë iu shfaq një engjëll nga qie-lli për t'i dhënë forcë.

LK 22:44 Dhe ai, duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë.

LK 22:45 Si u çua pastaj nga lutja, erdhi te dishepujt e vet dhe i gjeti që flinin nga trishtimi,

LK 22:46 dhe u tha atyre: ''Pse po flini? Çohuni dhe lutuni që të mos hyni në tundim''.

LK 22:47 Ndërsa ai ende po fliste, ja një turmë; dhe ai që quhej Judë, një nga të dymbëdhjetët, i printe dhe iu afrua Jezusit për ta puthur.

LK 22:48 Dhe Jezusi i tha: ''Judë, ti po e tradhton Birin e njeriut me një puthje?''.

LK 22:49 Atëherë ata që ishin përreth tij, duke parë çfarë do të ndodhte, i thanë: ''Zot, a t'u biem me shpatë?''.

LK 22:50 Dhe një nga ata i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë.

LK 22:51 Por Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''Lëreni, mjaft kështu''. Dhe si e preku veshin e atij njeriu, e shëroi.

LK 22:52 Pastaj Jezusi u tha krerëve të priftërinjve, krerëve të rojeve të tempullit dhe pleqve që kishin ardhur kundër tij: ''Keni dalë kundër meje me shpata dhe me shkopinj si kundër një kusari?

LK 22:53 Kur unë çdo ditë isha me ju në tempull, ju nuk vutë dorë kurrë mbi mua; por kjo është ora juaj dhe pushteti i errësirës''.

LK 22:54 Mbasi e kapën, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Dhe Pjetri e ndiqte nga larg.

LK 22:55 Kur ata ndezën një zjarr në mes të oborrit dhe u ulën rreth tij, Pjetri u ul midis tyre.

LK 22:56 Një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi me vëmendje dhe tha: ''Edhe ky ishte me të''.

LK 22:57 Por ai e mohoi duke thënë: ''O grua, nuk e njoh''.

LK 22:58 Pak më vonë e pa një tjetër dhe tha: ''Edhe ti je nga ata''. Por Pjetri tha: ''O njeri, nuk jam''.

LK 22:59 Mbasi kaloi rreth një orë, një tjetër pohoi me këmbëngulje duke thënë: ''Në të vërtetë edhe ky ishte bashkë me të, sepse është Galileas''.

LK 22:60 Por Pjetri tha: ''O njeri, s'di ç'po thua''. Dhe menjëherë, ndërsa ai ende po fliste, këndoi gjeli.

LK 22:61 Dhe Zoti u kthye, dhe e shikoi Pjetrin. Dhe Pjetrit iu kujtua fjala që i kishte thënë Zoti: ''Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë''.

LK 22:62 Atëherë Pjetri doli përjashta dhe qau me hidhërim.

LK 22:63 Ndërkaq njerëzit që e mbanin Jezusin e përqeshnin dhe e rrihnin.

LK 22:64 Dhe, mbasi ia mbuluan sytë, i binin në fytyrë dhe e pyetnin duke thënë: "Profetizo, kush është ai që të ra?".

LK 22:65 Dhe duke blasfemuar thoshin shumë gjëra të tjera kundër tij.

LK 22:66 Dhe, kur u bë ditë, u mblodhën pleqtë e popullit, kreret e prifterinjve dhe skribët dhe e çuan në sinedrin e tyre, duke thënë:

LK 22:67 ''Në se ti je Krishti, na e thuaj''. Por ai u tha atyre: ''Edhe sikur t'jua thoja, nuk do ta besonit.

LK 22:68 Edhe sikur t'ju pyesja, ju nuk do të më përgjigjeshit dhe as nuk do të më linit të shkoja.

LK 22:69 Por tash e tutje Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e fuqisë së Perëndisë''.

LK 22:70 Atëherë të gjithë thanë: ''Je ti, pra, Biri i Perëndisë?''. Dhe ai u tha atyre: ''Ju thoni se unë jam''.

LK 22:71 Atëherë ata thanë: ''Ç'nevojë kemi akome për dëshmi? Ne vetë e dëgjuam nga goja e tij''.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase