Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Luke 18

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24]

LK 18:1 Pastaj u tha atyre edhe një shëmbëlltyrë, për të treguar se duhet të lutemi vazhdimisht pa u lodhur,

LK 18:2 duke thënë: ''Në një qytet ishte një gjykatës që nuk kishte frikë nga Perëndia dhe nuk kishte respekt për njeri.

LK 18:3 Tani po në atë qytet ishte një grua e ve që shkonte tek ai duke thënë: "Ma jep të drejtën para kundërshtarit tim".

LK 18:4 Për një farë kohe ai nuk deshi ta bënte, por pastaj tha me vete: "Megjithse nuk kam frikë nga Perëndia dhe s'kam respekt për asnjeri,

LK 18:5 duke qenë se kjo grua e ve po vazhdon të më mërzitë, do t'ia jap të drejtën, sepse, duke më ardhur vazhdimisht, do të më rraskapitë"''.

LK 18:6 Dhe Zoti tha: ''Dëgjoni ç'thotë gjykatësi i padrejtë.

LK 18:7 Vallë Perëndia nuk do të marrë hak për të zgjedhurit e tij që i këlthasin atij ditë e natë? A do të vonojë, vallë, të ndërhyjë në favor të tyre?

LK 18:8 Po, unë ju them se ai do t'ua marrë hakun së shpejti. Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?''.

LK 18:9 Ai tha edhe këtë shëmbëlltyre për disa që pretendonin se ishin të drejtë dhe i përbuznin të tjerët.

LK 18:10 ''Dy njerëz u ngjitën në tempull për t'u lutur; njëri ishte farise dhe tjetri tagrambledhës.

LK 18:11 Fariseu rrinte në këmbë dhe lutej në vetvete kështu: "O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ai tagrambledhës.

LK 18:12 Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam".

LK 18:13 Kurse tagrambledhësi rrinte larg dhe as që guxonte t'i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: "O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit".

LK 18:14 Dhe unë po ju them se ky, dhe jo tjetri, u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar; sepse kushdo që lartohet do të ulet, dhe kush ulet, do të lartohet''.

LK 18:15 I prunë edhe disa fëmijë të vegjël që t'i prekte; por dishepujt, kur panë këtë, i qortuan.

LK 18:16 Atëherë Jezusi i thirri fëmijët pranë vetes dhe tha: ''I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.

LK 18:17 Në të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë atje''.

LK 18:18 Një nga krerët e pyeti duke thënë: ''Mësues i mirë, ç'duhet të bëj për të trashëguar jetën e përjetshme?''.

LK 18:19 Dhe Jezusi i tha: ''Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.

LK 18:20 Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rrem, ndero atin tënd dhe nënën tënde"''.

LK 18:21 Dhe ai tha: ''Të gjitha këto i kam zbatuar që nga rinia''.

LK 18:22 Si e dëgjoi, Jezusi i tha: ''Të mungon akoma një gjë: shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq''.

LK 18:23 Por ai, kur i dëgjoi këto gjëra, u trishtua shumë, sepse ishte shumë i pasur.

LK 18:24 Atëherë Jezusi, kur pa se ai ishte trishtuar shumë, tha: ''Sa është e vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!

LK 18:25 Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë''.

LK 18:26 Dhe ata që e dëgjonin thanë: ''Po kush, pra, mund të shpëtohet?''.

LK 18:27 Por ai tha: ''Gjëra të pamundshme për njerëzit janë të mundshme për Perëndinë''.

LK 18:28 Pastaj Pjetri tha: ''Ja, ne kemi lënë çdo gjë dhe të kemi ndjekur''.

LK 18:29 Dhe ai u tha atyre: ''Në të vërtetë po ju them se nuk ka asnjë që të ketë lënë shtëpinë ose prindërit, ose vëllezërit, ose gruan ose fëmijët, për mbretërinë e Perëndisë,

LK 18:30 që të mos marrë shumëfish në këtë kohë, dhe në kohën e ardhshme jetën e përjetshme''.

LK 18:31 Pastaj i mori me vete të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: ''Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe të gjitha ato që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushen.

LK 18:32 Ai, pra, do t'u dorëzohet paganëve, do të fyhet e do të poshtërohet dhe do ta pështyjnë.

LK 18:33 Dhe, pasi ta fshikullojnë, do ta vrasin, por ai do të ringjallet të tretën ditë''.

LK 18:34 Por ata nuk morën vesh asgjë nga të gjitha këto: këto fjalë për ta ishin fshehtësi dhe ata nuk kuptonin ato që u ishin thënë.

LK 18:35 Tani ndërsa ai po i afrohej Jerikos, një i verbër ishte ulur përgjatë rrugës dhe po lypte;

LK 18:36 dhe kur dëgjoi se po kalonte turma, pyeti çfarë ishte;

LK 18:37 iu përgjigjën se po kalonte Jezusi nga Nazareti.

LK 18:38 Atëherë ai bërtiti duke thënë: ''O Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua''.

LK 18:39 Ata që ecnin përpara i bërtitën të heshtte, por ai bërtiste edhe më fort: ''O Bir i Davidit: ki mëshirë për mua''.

LK 18:40 Atëherë Jezusi ndaloi dhe urdheroi t'ia sillnin dhe, kur ai iu afrua, e pyeti

LK 18:41 duke thëne: ''Çfarë dëshiron të bëj për ty?''. Dhe ai tha: ''Zot, të rimarr dritën e syve''.

LK 18:42 Dhe Jezusi i tha: ''Rimerr dritën e syve, Besimi yt të shëroi''.

LK 18:43 Në çast rimori dritën e syve dhe e ndiqte duke përlëvduar Perëndinë; dhe gjithë populli, kur pa këtë, i dha lavdi Perëndisë.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase