Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Luke 8

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24]

LK 8:1 Dhe pas kësaj ndodhi që ai shkonte nëpër qytete dhe nëpër fshatra, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë; me të ishin të dymbëdhjetët,

LK 8:2 dhe disa gra, të cilat i kishte shëruar nga shpirtërat e këqij dhe nga sëmundjet: Maria, e quajtur Magdalenë, prej së cilët pati dëbuar shtatë demonë,

LK 8:3 Joana, gruaja e Kuzës, administratorit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera të cilat e ndihmonin atë me pasuritë e tyre.

LK 8:4 Si u mblodh një turmë e madhe dhe i erdhën njerëz nga çdo qytet, Jezusi tha në shëmbëlltyrë:

LK 8:5 ''Një mbjellës doli të mbjellë farën e vet; dhe, ndërsa po mbillte, një pjesë ra gjatë rrugës, u shkel dhe zogjtë e qiellit e hëngrën.

LK 8:6 Një pjesë tjetër ra në gurishte dhe, sapo mbiu, u tha për mungesë vlage.

LK 8:7 Një pjesë tjetër ra ndër ferra; ferrat u rritën bashkë me të dhe ia zunë frymën.

LK 8:8 Kurse një pjesë ra në tokë të mirë, mbiu dhe dha fryt njëqindfish''. Si i tha këto gjëra, thirri: ''Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!''.

LK 8:9 Atëherë dishepujt e vet e pyetën çfarë kuptimi kishte ajo shëmbëlltyrë.

LK 8:10 Dhe ai tha: ''Juve ju është dhënë të njihni misteret e mbretërisë së Perëndisë; por të tjerëve me anë të shëmbëlltyrave, që ata, duke shikuar të mos shohin dhe, duke dëgjuar të mos kuptojnë.

LK 8:11 Ky është kuptimi i shëmbëlltyrës: fara është fjala e Perëndisë.

LK 8:12 Ata përgjatë rrugës janë ata që e dëgjojnë fjalën; por pastaj vjen djalli dhe ua merr fjalën nga zemra e tyre, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtojnë.

LK 8:13 Ata mbi gurishte janë ata që, kur dëgjojnë, e presin fjalën me gëzim; por ata nuk kanë rrënjë, besojnë për njëfarë kohe, por në momentin e sprovës tërhiqen.

LK 8:14 Pjesa që ka rënë ndër ferra janë ata që e dëgjuan fjalën; por, gjatë rrugës, ua zënë frymën shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete, dhe nuk arrijnë të piqen.

LK 8:15 Por pjesa që ra në tokë të mirë janë ata që, pasi e dëgjuan fjalën, e ruajnë në zemër të ndershme dhe të mirë dhe japin fryt me qëndrueshmëri''.

LK 8:16 ''Askush, pasi të ketë ndezur llambën, nuk e mbulon me një enë ose e fut nën shtrat, por e vë mbi mbajtësen e vet me qëllim që ata që hyjnë të shohin dritë.

LK 8:17 Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që nuk do të zbulohet, as sekret që të mos njihet dhe të dalë në dritë.

LK 8:18 Prandaj tregoni kujdes se si dëgjoni, sepse atij që ka, do t'i jepet, kurse atij që nuk ka, do t'i hiqet edhe ajo që ai kujton se ka''.

LK 8:19 Nëna e tij dhe vëllezërit e tij erdhën tek ai, por nuk mund t'i afroheshin për shkak të turmës.

LK 8:20 Dhe nga disa i ishte thënë: ''Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të të shohin''.

LK 8:21 Por ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e vënë në praktikë''.

LK 8:22 Në një prej atyre ditëve ndodhi që Jezusi hipi në një barkë bashkë me dishepujt e vet dhe u tha: ''Të kalojmë në bregun tjetër të liqenit''. Dhe ata u larguan nga bregu.

LK 8:23 Ndërsa po lundronin, atë e zuri gjumi; dhe një furtunë ra mbi liqen, aq sa barka po mbushej, dhe ishin në rrezik.

LK 8:24 Atëherë ata iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: ''Mësues, Mësues, po mbytemi!''. Dhe ai u zgjua, i bërtiti erës dhe tërbimit të ujit; dhe këto u qetësuan dhe u bë bunacë.

LK 8:25 Dhe Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Ku është besimi juaj?''. Dhe ata, të frikësuar, mrekulloheshin dhe i thoshnin njeri tjetrit: ''Vallë, kush është ky, që urdhëron edhe erën dhe ujin, dhe ata i binden?''.

LK 8:26 Pastaj lundruan drejt krahinës së Gadareasve, që ndodhet përballë Galilesë;

LK 8:27 dhe, porsa Jezusi zbriti në tokë, i doli përpara një njeri nga ai qytet, i cili prej shumë kohe ishte pushtuar nga demonët, nuk vishte rroba, nuk banonte në shtëpi, por ndër varreza.

LK 8:28 Kur e pa Jezusin, lëshoi një britmë, iu hodh ndër këmbë dhe tha me zë të lartë: ''Ç'ka mes meje dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë Shumë të Lartë? Të lutem, mos më mundo!''.

LK 8:29 Sepse Jezusi po i jepte urdhër frymës së ndyrë të dilte nga ai njeri, sepse shumë herë e kishte pushtuar dhe ndonëse e kishin lidhur me zinxhirë e me pranga dhe e ruanin, ai i këpuste prangat dhe shtyhej prej demonit nëpër shkretëtirat.

LK 8:30 Dhe Jezusi e pyeti duke thënë: ''Si e ke emrin?''. Dhe ai u përgjigj: ''Legjion''. Sepse shumë demonë i kishin hyrë në të.

LK 8:31 Dhe ata e lutnin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë.

LK 8:32 Dhe aty ishte një tufë e madhe derrash që kullotnin në mal, dhe këta demonë iu lutën t'i lejonte të hynin në ta. Ai ua lejoi atyre.

LK 8:33 Atëherë demonët, si dolën nga ai njeri, hynë te derrat, dhe ajo tufë u turr nga gremina në liqen dhe u mbyt.

LK 8:34 Kur panë ç'ndodhi, ata që i ruanin derrat ikën dhe e çuan lajmin në qytet e nëpër fshatra.

LK 8:35 Atëherë njerëzit dolën për të parë ç'kishte ndodhur dhe erdhën te Jezusi, dhe gjetën atë njeri, nga i cili kishin dalë demonët, të ulur te këmbët e Jezusit, të veshur dhe me mendje në rregull, dhe patën frikë.

LK 8:36 Ata që e kishin parë ngjarjen, u treguan atyre si ishte shëruar i idemonizuari.

LK 8:37 Atëherë gjithë popullsia e krahinës së Gadareasve, i kërkoi Jezusit të largohej prej tyre, sepse i kishte zënë një frikë e madhe. Dhe Jezusi hyri në barkë dhe u kthye mbrapa.

LK 8:38 Ndërkaq njeriu prej të cilit dolën demonët, i lutej të rrinte me të; por Jezusi e përcolli duke i thënë:

LK 8:39 ''Kthehu në shtëpinë tënde dhe trego çfarë gjërash të mëdha ka bërë Perëndia për ty''. Dhe ai shkoi anembanë qytetit duke treguar gjërat e mëdha që Jezusi bëri për të.

LK 8:40 Ndodhi që, kur Jezusi u kthye, turma e mirëpriti sepse të gjithë e prisnin.

LK 8:41 Dhe ja, erdhi një njeri me emër Jair, që ishte kryetari i sinagogës; ai i ra ndër këmbë Jezusit dhe iu lut të shkonte në shtëpinë e tij,

LK 8:42 sepse ai kishte një vajzë të vetme rreth dymbëdhjetë vjeçe, që ishte për vdekje. Ndërsa Jezusi po shkonte atje, turma po shtyhej përreth tij.

LK 8:43 Dhe një grua që kishte një fluks gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh dhe kishte shpenzuar ndër mjekë gjithë pasurinë e saj, pa mundur që të shërohej nga njeri,

LK 8:44 iu afrua nga pas dhe i preku cepin e rrobës së tij dhe në atë çast iu pre fluksi i gjakut.

LK 8:45 Dhe Jezusi tha: ''Kush më preku?''. Mbasi të gjithë e mohuan, Pjetri dhe ata që ishin me të, thanë: ''Mësues, turmat po shtyhen dhe po të ndeshin dhe ti thua: "Kush më preku?"''.

LK 8:46 Por Jezusi tha: ''Dikush më preku, sepse e ndjeva që një fuqi doli prej meje''.

LK 8:47 Atëherë gruaja, duke parë se nuk mbeti e padiktuar, erdhi, duke u dridhur e tëra, dhe i ra ndër këmbë dhe i deklaroi në prani të gjithë popullit, përse e kishte prekur dhe si ishte shëruar në çast.

LK 8:48 Dhe ai i tha: ''Merr zemër, bijë; besimi yt të shëroi; shko në paqe!''.

LK 8:49 Ndërsa Jezusi vazhdonte të fliste, erdhi një nga shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe i tha: ''Vajza jote vdiq, mos e shqetëso Mësuesin''.

LK 8:50 Por Jezusi, mbasi i dëgjoi këto, i tha: ''Mos druaj; ti vetëm beso dhe ajo do të shpëtojë''.

LK 8:51 Si arriti në shtëpi, nuk la asnjeri të hyjë, përveç Pjetrit, Gjonit dhe Jakobit, dhe atin e nënën e vajzës.

LK 8:52 Të gjithë qanin dhe mbajtën zi. Por ai tha: ''Mos qani; ajo nuk ka vdekur, por po fle''.

LK 8:53 Dhe ata e përqeshnin; duke e ditur se kishte vdekur.

LK 8:54 Por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, e kapi për dore dhe thirri duke thënë: ''Vajzë, çohu!''.

LK 8:55 Asaj iu kthye fryma e saj dhe menjëherë u çua; pastaj Jezusi urdhëroi që t'i jepnin të hante.

LK 8:56 Dhe prindërit e saj mbetën të habitur. Por Jezusi i porositi të mos i thonin kurrkujt ç'kishte ndodhur.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase