Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Luke 14

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24]

LK 14:1 Dhe ndodhi që një ditë të shtunë, kur ai hyri në shtëpinë e një kryetari të farisenjve për të ngrënë bukë, ata po e përgjonin;

LK 14:2 dhe ja, para tij ishte një njeri hidropik.

LK 14:3 Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur mësuesve të ligjit dhe farisenjve, tha: ''A është e lejueshme të shërosh ditën e shtunë?''.

LK 14:4 Por ata heshtën. Atëherë ai e mori për dore atë, e shëroi dhe e nisi të shkojë.

LK 14:5 Pastaj, duke iu përgjigjur atyre, tha: ''Cili nga ju, po t'i bjerë gomari i vet ose kau në një pus, nuk e nxjerr menjëherë jashtë ditën e shtunë?''.

LK 14:6 Por ata nuk mund të përgjigjeshin asgje për këto gjëra.

LK 14:7 Dhe, duke vënë re se ata zgjidhnin vendet e para në tryezë, Jezusi u thoshte atyre këtë shëmbëlltyrë duke thënë:

LK 14:8 ''Kur je ftuar në dasmë, mos u ul në krye të vendit, sepse ai njeri mund të ketë ftuar një tjetër që është më i rëndësishëm se ti,

LK 14:9 dhe ai që të ftoi ty dhe atë të të mos vijë e të thotë: "Lëshoja vendin këtij". Dhe atëherë ti, plot turp, do të shkosh të zësh vendin e fundit.

LK 14:10 Por, kur je ftuar, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka ftuar, të thotë: "O mik, ngjitu më lart". Atëherë do të jesh i nderuar përpara atyre që janë në tryezë bashkë me ty.

LK 14:11 Sepse kushdo që e larton veten do të poshterohet, dhe kush e poshtëron veten do të lartohet''.

LK 14:12 Ai i tha edhe atij që e kishte ftuar: ''Kur shtron drekë a darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, se mos ata një herë të të ftojnë ty, dhe kështu ta kthejnë shpërblimin.

LK 14:13 Por, kur të bësh një gosti, thirr lypësit, sakatët, të çalët, të verbërit;

LK 14:14 dhe do të jesh i lum, sepse ata nuk kanë se si të ta kthejnë shpërblimin; por shpërblimi do të të jepet në ringjallje të të drejtëve''.

LK 14:15 Dhe një nga të ftuarit, si i dëgjoi këto gjëra, i tha: ''Lum kush do të hajë bukë në mbretërinë e Perëndisë''.

LK 14:16 Atëherë Jezusi i tha: ''Një njeri përgatiti një darkë të madhe dhe ftoi shumë veta;

LK 14:17 dhe, në kohë të darkës, dërgoi shërbëtorin e vet t'u thotë të ftuarve: "Ejani, sepse gjithçka tashmë është gati".

LK 14:18 Por të gjithë, pa përjashtim, filluan të kërkojnë ndjesë. I pari i tha: "Bleva një arë dhe më duhet të shkoj ta shoh; të lutem, të më falësh".

LK 14:19 Dhe një tjetër tha: "Bleva pesë pendë qe dhe po shkoj t'i provoj; të lutem, të më falësh".

LK 14:20 Dhe një tjetër akoma tha: "Mora grua e prandaj nuk mund të vij".

LK 14:21 Kështu shërbëtori u kthye dhe ia dëftoi të gjitha zotit të vet. Atëherë i zoti i shtëpisë, plot zemërim, i tha shërbëtorit të vet: "Shpejt, shko nëpër sheshet dhe nëpër rrugët e qytetit e sill këtu lypës, sakatë, të çalë dhe të verbër".

LK 14:22 Pastaj shërbëtori i tha: "Zot, u bë ashtu siç urdhërove ti, por ka vend edhe më".

LK 14:23 Atëherë zoti i tha shërbëtorit: "Dil nëpër udhë dhe përgjatë gardheve dhe detyroji të hyjnë që të mbushet shtëpia ime.

LK 14:24 Sepse unë po ju them se asnjë nga ata njerëz që ishin të ftuar, nuk do ta shijojë darkën time"''.

LK 14:25 Dhe turma të mëdha shkonin me të. Ai u kthye nga ata dhe tha:

LK 14:26 ''Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im.

LK 14:27 Dhe kush nuk e mbart kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk mund të jetë dishepulli im.

LK 14:28 Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar?

LK 14:29 Që atëherë, kur t'i ketë hedhur themelet e të mos mundë ta përfundojë, të gjithë ata që e shohin, të mos fillojnë e të tallen,

LK 14:30 duke thënë: "Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta përfundojë".

LK 14:31 Ose cili mbret, kur niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të gjykojë në se mund ta përballojë me dhjetë mijë atë që po i vjen kundër me njëzet mijë?

LK 14:32 Në mos, ndërsa ai është ende larg, i dërgon një delegacion për të biseduar për paqe.

LK 14:33 Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im.

LK 14:34 Kripa është e mirë, por nëse kripa bëhët e amësht, me se do të mund t'i kthehet shija?

LK 14:35 Ajo nuk vlen as për tokë, as për pleh, por hidhet tutje. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë''.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase