Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Luke 5

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24]

LK 5:1 Dhe ndodhi që Jezusi, kur po ndodhej në bregun e liqenit të Gjenezaretit e ndërsa turma po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Perëndisë,

LK 5:2 pa dy barka të lidhura në breg të liqenit, nga të cilat kishin dalë peshkatarët dhe po lanin rrjetat.

LK 5:3 Atëherë hyri në një nga ato barka, në atë që ishte e Simonit, dhe iu lut që të largohej pak nga bregu. U ul dhe mësonte turmat nga barka.

LK 5:4 Dhe kur mbaroi së foluri i tha Simonit: ''Shko në të thella, dhe hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk''.

LK 5:5 Dhe Simoni, duke u përgjigjur, i tha: ''Mësues, u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë; por, për fjalën tënde, do ta hedh rrjetën.

LK 5:6 Dhe, si bënë kështu, zunë një sasi aq të madhe peshku, sa po shqyhej rrjeta.

LK 5:7 Atëherë u bënë shenjë shokëve të tyre që ishin në barkën tjetër, që të vinin e t'i ndihmonin. Dhe ata erdhën dhe i mbushën të dy barkat aq sa gati po fundoseshin.

LK 5:8 Simon Pjetri, kur pa këtë, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: ''Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar''.

LK 5:9 Në të vërtetë Pjetri dhe të gjithë ata që ishin me të, habiteshin për shkak të sasisë së peshkut që kishin zënë.

LK 5:10 E njëjta gjë u ngjau edhe Jakobit dhe Gjonit, bijve të Zebedeut, që ishin shokë të Simonit. Atëherë Jezusi i tha Simonit: ''Mos ki frikë; tash e tutje ti do të jesh peshkatar njerëzish të gjallë''.

LK 5:11 Pastaj ata, si i nxorën në breg barkat, lanë çdo gjë dhe ndiqnin.

LK 5:12 Ndodhi që, ndërsa Jezusi ndodhej në një nga ato qytete, erdhi një njeri i mbushur plot me lebër, i cili, kur e pa Jezusin, ra me fytyrë për dhe dhe iu lut duke thënë: ''Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh''.

LK 5:13 Atëherë ai e zgjati dorën, e preku duke thënë: ''Po, e dua, qofsh i pastruar''. Dhe menjëherë lebra iu zhduk.

LK 5:14 Dhe Jezusi e urdhëroi: ''Mos ia trego kurrkujt; por shko, paraqitu te prifti dhe bëj një ofertë për pastrimin tënd, sikurse e ka përshkruar Moisiu, që kjo t'u shërbejë si dëshmi''.

LK 5:15 Dhe fama e tij po përhapej gjithnjë e më shumë; dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar dhe për t'u shëruar prej tij nga sëmundjet e veta.

LK 5:16 Por ai tërhiqej në vende të vetmuara dhe lutej.

LK 5:17 Një ditë ndodhi që, ndërsa Jezusi po mësonte, ishin të pranishëm, ulur, disa farisenj dhe mësues të ligjit, që kishin ardhur nga të gjitha fshatrat e Galilesë, të Judesë dhe nga Jeruzalemi; dhe fuqia e Zotit ishte me të, që të kryente shërime.

LK 5:18 Dhe ja, disa njerëz po sillnin mbi një vig një njeri të paralizuar dhe kërkonin ta fusnin brenda dhe ta vinin përpara tij.

LK 5:19 Por, duke mos gjetur se si ta fusnin brenda për shkak të turmës, hipën mbi çatinë e shtëpisë dhe e lëshuan përmjet tjegullave me gjithë vig midis njerëzve, përpara Jezusit.

LK 5:20 Dhe ai, duke parë besimin e tyre, i tha atij: ''Njeri, mëkatet e tua të janë falur''.

LK 5:21 Atëherë skribët dhe farisenjtë filluan të arsyetojnë duke thënë: ''Kush është ky që thotë blasfemi? Kush mund t'i falë mëkatet, përveç vetëm Perëndi?''.

LK 5:22 Por Jezusi, duke i njohur mendimet e tyre, e mori fjalën dhe tha: ''Ç'po arsyetoni në zemrat tuaja?

LK 5:23 Çfarë është më e lehtë, të thuhet: "Mëkatet e tua të janë falur", apo të thuhet: "Çohu dhe ec"?

LK 5:24 Tani, pra, me qëllim që ju ta dini se Biri i njeriut ka pushtet mbi tokë të falë mëkatet, unë të them (i tha të paralizuarit), çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!''.

LK 5:25 Dhe menjëherë ai njeri u ngrit përpara tyre, mori vigun mbi të cilin qe shtrirë dhe shkoi në shtëpinë e vet, duke përlëvduar Perëndinë.

LK 5:26 Dhe të gjithë u habitën dhe përlëvdonin Perëndinë, dhe, plot frikë, thoshnin: ''Sot pamë gjëra të mahnitshme''.

LK 5:27 Dhe, mbas këtyre gjërave, ai doli dhe pa një tagrambledhës, që quhej Levi, dhe rrinte në vendin e tatimeve, dhe i tha: ''Ndiqmë''.

LK 5:28 Dhe ai i la të gjitha, u ngrit dhe e ndoqi.

LK 5:29 Pastaj Levi i përgatiti në shtëpinë e tij një gosti të madhe, dhe një numër i madh tagrambledhësish e të tjerë rrinin në tryezë bashkë me ta.

LK 5:30 Por skribët dhe farisenjtë e atij vendi murmurisnin kundër dishepujve të Jezusit duke thënë: ''Përse hani dhe pini bashkë me tagrambledhës dhe mëkatarë?''.

LK 5:31 Dhe Jezusi, duke u përgjegjur, u tha: ''Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjek, por të sëmurët.

LK 5:32 Unë nuk erdha t'i thërres të pendohen të drejtit, por mëkatarët''.

LK 5:33 Atëherë ata i thanë: ''Përse dishepujt e Gjonit si dhe ata të farisenjve agjërojnë shpesh dhe luten, kurse të tutë hanë dhe pinë?''.

LK 5:34 Ai u përgjigj atyre: ''A mund t'i bëni dasmorët të agjërojnë, derisa dhëndri është me ta?

LK 5:35 Por do të vijnë ditët kur do t'ua heqin dhëndrin dhe atëherë, në ato ditë, ata do të agjërojnë''.

LK 5:36 Përveç kësaj ai u tregoi një shëmbëlltyrë: ''Askush nuk qep një copë të një rrobë të re mbi një rrobe të vjetër; përndryshe gjendet me rrobën e re të shqyer, dhe pjesa që u hoq nga rroba e re nuk i përshtatet së vjetrës.

LK 5:37 Dhe askush nuk shtie verë të re në kacekë të vjetër; përndryshe vera e re i pëlcet kacekët, dhe ajo derdhet e kacekët shkojnë dëm.

LK 5:38 Por duhet shtënë vera e re në kacekë të rinj dhe kështu që të dyja ruhen.

LK 5:39 Askush që ka pirë verë të vjetër, nuk do menjëherë verë të re, sepse ai thotë: "E vjetra është më e mirë"''.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase