Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Ezekiel 48

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40] [41] [42] [43] [44] [45] [46] [47] [48]

EZEK 48:1 Këto janë emrat e fiseve: nga kufiri verior, gjatë rrugës së Hethlonit, në hyrje të Hamathit deri në Hatsar-Enon, në kufi me Damaskun në veri drejt Hamathit, nga krahu lindor deri në krahun perëndimor: një pjesë për Danin.

EZEK 48:2 Në kufirin e Danit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Asherin;

EZEK 48:3 Në kufirin e Asherit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Neftalin.

EZEK 48:4 Në kufirin e Asherit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Manasin.

EZEK 48:5 Në kufirin e Manasit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Efraimin.

EZEK 48:6 Në kufirin e Efraimit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Rubenin.

EZEK 48:7 Në kufirin e Rubenit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Judën.

EZEK 48:8 Në kufirin e Judës, nga kufiri lindor deri në kufirin perëndimor, do të jetë pjesa e vendit që do ta ofroni si dhuratë, e gjerë njëzet e pesëmijë kubitë dhe e gjatë sa pjesët e tjera, nga kufiri lindor deri në kufirin perëndimor; në mes të saj do të jetë shenjtërorja.

EZEK 48:9 Pjesa që do t'i ofroni si dhuratë Zotit do të ketë një gjatësi prej njëzet e pesëmijë kubitë dhe një gjerësi prej dhjetëmijë kubitë.

EZEK 48:10 Kjo pjesë e shenjtë do t'u përkasë priftërinjve; njëzet e pesëmijë kubitë gjatësi në veri, dhjetëmijë gjerësi në perëndim, dhjetëmijë gjerësi në lindje dhe njëzet e pesëmijë gjatësi në jug; në mes të saj do të jetë shenjtërorja e Zotit.

EZEK 48:11 Ajo do t'u përkasë priftërinjve të shenjtëruar, ndër bijtë e Tsadokut, që më kanë shërbyer dhe që nuk devijuan kur devijuan bijtë e Izraelit, dhe ashtu si devijuan përkundrazi Levitët.

EZEK 48:12 Pjesa që do t'u ofrohet atyre do të merret nga pjesa e ofruar dhuratë e vendit, një gjë shumë e shenjtë, pranë territorit të Levitëve.

EZEK 48:13 Përballë territorit të priftërinjve, Levitët do të kenë një sipërfaqe prej njëzet e pesëmijë kubitë gjatësi dhe dhjetëmijë gjerësi; tërë gjatësia do të jetë njëzet e pesëmijë kubitë dhe gjerësia dhjetëmijë.

EZEK 48:14 Ata nuk do të mund as ta shesin as ta këmbejnë; nuk do të mund ta shkëputin pjesën më të mirë të vendit, sepse është e shenjtë për Zotin.

EZEK 48:15 Pesëmijë kubitët e gjerësisë që do të mbeten përballë njëzet e pesë mijëve, do të caktohen për përdorim profan për qytetin, për banesa dhe për toka për kullotë; qyteti do të jetë në mes.

EZEK 48:16 Përmasat e tij do të jenë këto: ana veriore do të jetë katërmijë e pesëqind kubitë, ana jugore katërmijë e pesëqind, ana lindore katërmijë e pesëqind, ana perëndimore katërmijë e pesëqind.

EZEK 48:17 Tokat për kullotë të qytetit do të jenë: dyqind e pesëdhjetë kubitë në veri, dyqind e pesëdhjetë në jug, dyqind e pesëdhjetë në lindje dhe dyqind e pesëdhjetë në perëndim.

EZEK 48:18 Kusuri i gjatësisë, gjatë pjesës së shenjtë të ofruar si dhuratë, do të jetë dhjetëmijë kubitë në lindje dhe dhjetëmijë në perëndim; ajo do të jetë pranë pjesës së shenjtë të ofruar si dhuratë, dhe prodhimet e saj do të shërbejnë si ushqim për punonjësit e qytetit.

EZEK 48:19 Punonjësit e qytetit, që do ta punojnë, do të vijnë nga të gjitha fiset e Izraelit.

EZEK 48:20 Gjithë pjesa e ofruar si dhuratë do të jetë njëzet e pesëmijë kubitë për njëzet e pesëmijë, një katror i përsosur. Ju do të ofroni, si zotërim të qytetit, pjesën e shenjtë të ofruar si dhuratë.

EZEK 48:21 Kusuri do të jetë i princit; nga njëra anë dhe nga ana tjetër e pjesës së shenjtë të ofruar si dhuratë dhe të zotërimit të qytetit, ballë njëzet e pesëmijë kubitëve të pjesës së ofruar si dhuratë deri në kufirin lindor, dhe në perëndim ballë njëzet e pesëmijë kubitëve në drejtim të kufirit perëndimor përbri pjesëve të fiseve; kjo do të jetë e princit; pjesa e shenjtë e ofruar si dhuratë dhe shenjtërorja do të jenë në mes.

EZEK 48:22 Kështu, duke përjashtuar zotërimin e Levitëve dhe zotërimin e qytetit që gjenden në mes të asaj që i përket princit, sipërfaqja midis kufirit të Judës dhe kufirit të Beniaminit do t'i përkasë princit.

EZEK 48:23 Për kusurin e fiseve, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Beniaminin.

EZEK 48:24 Në kufirin e Beniaminit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Simeonin.

EZEK 48:25 Në kufirin e Simeonit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Isakarin.

EZEK 48:26 Në kufirin e Isakarit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Zabulonin.

EZEK 48:27 Në kufirin e Zabulonit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Gadin.

EZEK 48:28 Në kufirin e Gadit, nga ana jugore në drejtim të jugut, kufiri do të shkojë nga Tamari në ujërat e Meribahut afër Kadeshit, dhe pastaj gjatë Detit të Madh.

EZEK 48:29 Ky është vendi që do t'u ndani me short në trashëgimi fiseve të Izraelit, dhe këto janë pjesët", thotë Zoti, Zoti.

EZEK 48:30 "Këto janë daljet e qytetit: nga ana veriore do të maten katërmijë e pesëqind kubitë.

EZEK 48:31 Portat e qytetit do të mbajnë emrat e fiseve të Izraelit; në veri do të ketë tri porta: një portë për Rubenin, një portë për Judën dhe një portë për Levin.

EZEK 48:32 Nga ana lindore, katërmijë e pesëqind kubitë dhe tri porta: një portë për Jozefin, një portë për Beniaminin dhe një portë për Danin.

EZEK 48:33 Nga ana jugore, katërmijë e pesëqind kubitë dhe tri porta: një portë për Simeonin, një portë për Isakarin dhe një portë për Zabulonin.

EZEK 48:34 Nga ana perëndimore, katërmijë e pesëqind kubitë dhe tri porta: një portë për Gadin, një portë për Asherin dhe një portë për Neftalin.

EZEK 48:35 Gjithë perimetri do të jetë tetëmbëdhjetëmijë kubitë. Prej kësaj ditë emri i qytetit do të jetë: "Zoti është atje"".

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase