Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Ezekiel 44

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40] [41] [42] [43] [44] [45] [46] [47] [48]

EZEK 44:1 Pastaj ai më çoi drejt portës së jashtme të shenjtërores që shikonte nga lindja, por ajo ishte e mbyllur.

EZEK 44:2 Zoti më tha: "Kjo portë do të mbetet e mbyllur, nuk do të hapet dhe askush nuk do të hyjë nëpër të, sepse nëpër të ka hyrë Zoti, Perëndia i Izraelit; prandaj do të mbetet e mbyllur.

EZEK 44:3 Por princi duke qenë se është princ, do të mund të ulet për të ngrënë bukën përpara Zotit; ai do të hyjë nga hajati i derës dhe do të dalë po nga ajo rrugë".

EZEK 44:4 Pastaj, nëpër portën në veri, më çoi përpara tempullit. Shikova, dhe ja, lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e Zotit; dhe unë rashë me fytyrë.

EZEK 44:5 Zoti më tha: "Bir njeriu, ki kujdes, shiko me sytë e tu dhe dëgjo me veshët e tu të gjitha ato që do të të them për statutet e shtëpisë të Zotit dhe tërë ligjeve të tij; ki kujdes në hyrjen e tempullit dhe në të gjitha daljet e shenjtërores.

EZEK 44:6 Do t'u thuash këtyre rebelëve, shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: O shtëpi e Izraelit, mjaft më me veprimet tuaja të neveritshme!

EZEK 44:7 Keni bërë që të futen të huaj, të parrethprerë nga zemra dhe nga mishi, me qëllim që të rrinin në shenjtëroren time, për ta përdhosur tempullin tim, ndërsa ofronit bukën time, dhjamin dhe gjakun, duke shkelur kështu besëlidhjen time me ju, me të gjitha veprimet tuaja të neveritshme.

EZEK 44:8 Ju nuk jeni kujdesur për gjërat e mia të shenjta, por keni vënë të huaj në vendin tuaj që të kujdesen për shenjtëroren time.

EZEK 44:9 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Asnjë i huaj, i parrethprerë nga zemra dhe parrethprerë nga mishi, nuk ka për të hyrë në shenjtëroren time, as edhe ndonjë i huaj që ndodhet në mes të bijve të Izraelit.

EZEK 44:10 Por Levitët, që u larguan nga unë kur Izraeli doli nga rruga e drejtë, dhe u shmangën nga unë për të shkuar pas idhujve të tyre, do të ndëshkohen për paudhësinë e tyre.

EZEK 44:11 Megjithatë ata do të shërbejnë si roje të portave të tempullit dhe do të kryejnë shërbime në tempull; do të therin olokaustet dhe flijimet për popullin dhe do të rrinë para tij për t'i shërbyer.

EZEK 44:12 Duke qenë se i kanë shërbyer përpara idhujve të tij dhe kanë bërë që shtëpia e Izraelit të bjerë në mëkat, unë ngrita dorën time kundër tyre", thotë Zoti, Zoti, "duke u betuar se do të ndëshkohen për mëkatin e tyre.

EZEK 44:13 Dhe nuk do të më afrohen më për të më shërbyer si priftërinj as do t'u afrohen asnjërës prej gjërave të mia të shenjta, gjërave që janë shumë të shenjta; por do të mbajnë turpin e tyre dhe ndëshkimin për veprimet e neveritshme që kanë kryer.

EZEK 44:14 Megjithatë unë do t'u besoj atyre ruajtjen e tempullit për çdo shërbim të tij dhe për çdo gjë që do të bëhet në të.

EZEK 44:15 Por priftërinjtë Levitë, bij të Tsadokut, që kanë treguar kujdes për shenjtëroren time kur bijtë e Izraelit u shmangën nga unë, do të më afrohen për të më shërbyer dhe do të qëndrojnë para meje për të më ofruar dhjamin dhe gjakun", thotë Zoti, Zoti.

EZEK 44:16 "Ata do të hyjnë në shenjtëroren time, do t'i afrohen tryezës sime që të më shërbejnë dhe do të kryejnë gjithë shërbimin tim.

EZEK 44:17 Kur të hyjnë nëpër portat e oborrit të brendshëm, do të veshin roba prej liri; nuk do të kenë në trup asnjë veshje prej leshi, kur të kryejnë shërbime në portat e oborrit të brendshëm dhe në tempull.

EZEK 44:18 Do të kenë në krye çallma prej liri dhe pantallona prej liri mbi ijët; nuk do të ngjishen me atë që të bën të dërsitesh.

EZEK 44:19 Por, kur do të dalin në oborrin e jashtëm, në oborrin e jashtëm në drejtim me popullin, do të heqin rrobat me të cilat kanë kryer shërbimin, do t'i depozitojnë në dhomat e shenjtërores dhe do të veshin rroba të tjera për të mos shenjtëruar popullin me veshjet e tyre.

EZEK 44:20 Nuk do ta rruajnë kokën dhe as nuk kanë për të lënë t'u rriten flokët, por do t'i presin rregullisht flokët.

EZEK 44:21 Asnjë prift nuk do të pijë verë, kur të hyjë në oborrin e brendshëm.

EZEK 44:22 Nuk do të martohen me një të venë, as me grua të ndarë nga burri, por do të marrin virgjëresha nga pasardhësit e shtëpisë së Izraelit, ose një të ve që të jetë e veja e një prifti.

EZEK 44:23 Do t'i mësojnë popullit tim të dallojë atë që është e shenjtë nga ajo që është profane dhe do t'i bëjnë të njohur ndryshimin midis asaj që është e papastër dhe asaj që është e pastër.

EZEK 44:24 Në mosmarrëveshje ata do të veprojnë si gjyqtarë; do të gjykojnë sipas dekreteve të mia, do të zbatojnë ligjet e mia dhe statutet e mia në të gjitha festat e mia dhe do të shenjtërojnë të shtunat e mia.

EZEK 44:25 Nuk do t'i afrohen një të vdekuri për të mos u ndotur; ata do të mund të ndoten vetëm për atin ose nënën, për birin ose bijën, për vëllanë ose për motrën e pamartuar.

EZEK 44:26 Mbas pastrimit të tij për të do të numërohen shtatë ditë.

EZEK 44:27 Ditën që do të hyjnë në vendin e shenjtë, në oborrin e brendshëm, për të kryer shërbimin në vendin e shenjtë, do të ofrojnë flijimin për mëkatin", thotë Zoti, Zoti.

EZEK 44:28 "Sa për trashëgiminë e tyre, do të jem unë trashëgimia e tyre; nuk do t'u jepni atyre asnjë zotërim në Izrael, sepse jam unë zotërimi i tyre.

EZEK 44:29 Ata do të ushqehen me blatimet e ushqimit, me flijimet për mëkatin dhe me flijimet për shkeljen; çdo gjë e destinuar Perëndisë në Izrael do të jetë e tyre.

EZEK 44:30 Pjesa më e mirë e të gjitha prodhimeve të hershme dhe të gjitha ofertat e larta të çdo lloji midis ofertave tuaja të larta do t'u përkasin priftërinjve; do t'i jepni priftit edhe prodhimin e parë të brumit në mënyrë që bekimi të mbetet në shtëpinë tuaj.

EZEK 44:31 Priftërinjtë nuk do të hanë mishin e asnjë zogu ose kafshe të ngordhur në mënyrë të natyrshme ose të shqyer".

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase