Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Ezekiel 11

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40] [41] [42] [43] [44] [45] [46] [47] [48]

EZEK 11:1 Pastaj Fryma më ngriti dhe më çoi në portën lindore të shtëpisë të Zotit që shikon nga lindja; dhe ja, në hyrje të portës kishte njëzet e pesë burra, ndër të cilët pashë Jaazaniahun, birin e Azurit,

EZEK 11:2 Ai më tha: "Bir njeriu, këta janë ata njerëz që kurdisin të keqen dhe japin këshilla të këqija në këtë qytet.

EZEK 11:3 Ata thonë: "Koha nuk është e afërt. Të ndërtojmë shtëpi! Ky qytet është kusia dhe ne jemi mishi".

EZEK 11:4 Prandaj profetizo kundër tyre, profetizo, bir njeriu".

EZEK 11:5 Pastaj Fryma e Zotit ra mbi mua dhe më tha: "Thuaj: Kështu thotë Zoti: Ju thoni kështu, o shtëpi e Izraelit, dhe unë i njoh gjërat që ju shkojnë në mend.

EZEK 11:6 Ju i keni shumuar ata që keni goditur për vdekje në këtë qytet dhe keni mbushur me të vdekur rrugët e tij".

EZEK 11:7 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ata që keni vrarë dhe që i keni bërë tog në mes të saj janë mishi dhe ky qytet është kusia, por unë do t'ju nxjerr nga mesi i tij.

EZEK 11:8 Ju keni frikë nga shpata dhe unë do të sjell mbi ju shpatën", thotë Zoti, Zoti.

EZEK 11:9 "Unë do t'ju nxjerr nga mesi i tij, do t'ju jap në dorë të të huajve dhe do të zbatoj mbi ju vendimet e mia.

EZEK 11:10 Ju do të bini nga shpata, do t'ju gjykoj në kufijtë e Izraelit; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti.

EZEK 11:11 Ky qytet nuk do të jetë më për ju një kusi dhe ju nuk do të jeni për të mishi; unë do t'ju gjykoj në kufijtë e Izraelit.

EZEK 11:12 Atëherë do të pranoni që unë jam Zoti, sepse nuk keni ecur sipas statuteve të mia dhe as keni zbatuar ligjet e mia, por keni vepruar sipas ligjeve të kombeve që ju rrethojnë".

EZEK 11:13 Ndodhi që, ndërsa unë profetizoja, Pelatiahu, bir i Benajahut, vdiq. Atëherë rashë me fytyrë për tokë dhe bërtita me të madhe, duke thënë: "Ah, Zot, Zot, dëshiron ta shkatërrosh krejt mbetjen e Izraelit?".

EZEK 11:14 Atëherë fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:

EZEK 11:15 "Bir njeriu, vëllezërit e tu, vetë të afërmit e tu, ata që janë çliruar bashkë me ty dhe tërë shtëpia e Izraelit janë ata të cilëve banorët e Jeuzalemit u kanë thënë: "Largohuni, pra, nga Zoti; ky vend na është dhënë si trashëgimi".

EZEK 11:16 Prandaj thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Megjithatë unë i kam larguar midis kombeve dhe i kam shpërndarë në vende të huaja, unë do të jem për ta për pak kohë një shenjtërore në vendet ku kanë shkuar.

EZEK 11:17 Prandaj u thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Do t'ju mbledh ndër popuj, do t'ju grumbulloj nga vendet ku jeni shpërndarë dhe do t'ju jap tokën e Izraelit.

EZEK 11:18 Ata do të kthehen dhe do të heqin tërë gjërat e tij të urrejtshme dhe tërë gjërat e neveritshme të tij.

EZEK 11:19 Dhe unë do t'ju jap atyre një zemër tjetër dhe do t'u shtie përbrenda një frymë të re, do të heq nga mishi i tyre zemrën prej guri dhe do t'u jap një zemër prej mishi,

EZEK 11:20 me qëllim që të ecin sipas statuteve të mia dhe të respektojnë ligjet e mia dhe t'i vënë në praktikë; atëherë ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre.

EZEK 11:21 Po për ata të cilët kanë zemër që vë në zbatim gjërat e tyre të urrejtshme dhe të neveritshme, do të bëj që mbi kokën e tyre të bjerë sjellja e tyre", thotë Zoti, Zoti.

EZEK 11:22 Pastaj kerubinët i hapën krahët e tyre dhe rrotat lëvizën pranë tyre dhe lavdia e Perëndisë të Izraelit rrinte lart mbi ta.

EZEK 11:23 Lavdia e Zotit u ngrit nga mesi i qytetit dhe u ndal mbi malin, që ishte në lindje të qytetit.

EZEK 11:24 Pastaj Fryma më ngriti dhe më çoi në Kalde midis atyre që ishin në robëri, në një vegim për Frymën e Perëndisë dhe vegimi që kisha parë u zhduk para meje duke u ngritur lart;

EZEK 11:25 dhe unë u tregova atyre që ishin në robëri të gjitha gjërat që Zoti më kishte bërë të shoh.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase