Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Ezekiel 47

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40] [41] [42] [43] [44] [45] [46] [47] [48]

EZEK 47:1 Ai më çoi përsëri në hyrje të tempullit, dhe ja disa ujëra dilnin nga poshtë pragut të tempullit në drejtim të lindjes, sepse fasada e tempullit shikonte nga lindja; ujërat zbrisnin poshtë anës së djathtë të tempullit, në jug të altarit.

EZEK 47:2 Pastaj më çoi jashtë nëpërmjet portës veriore dhe më bëri të sillem jashtë deri në portën e jashtme, që shikon nga lindja; dhe ja, ujërat buronin nga ana e djathtë.

EZEK 47:3 Burri eci deri drejt lindjes me një litar të hollë në dorë dhe mati njëmijë kubitë; pastaj më bëri të kapërcej ujërat, të cilat më arrinin deri te kyçet e këmbëve.

EZEK 47:4 Mati katërmijë kubitë të tjerë, pastaj më bëri të kapërcej ujërat; më arrinin te kyçet e këmbëve. Mati katërmijë kubitë të tjerë, pastaj më bëri të kaloj ujërat: më arrinin deri te ijët.

EZEK 47:5 Mati njëmijë kubitë të tjerë: ishte një lumë që nuk mund ta kapërceja, sepse ujërat e tij ishin shtuar; ishin ujëra në të cilat duhet të notoja; një lumë që nuk mund të kapërcehej.

EZEK 47:6 Ai më tha: "E pe, bir njeriu?". Pastaj më ktheu përsëri në bregun e lumit.

EZEK 47:7 Pas kthimit tim, ja mbi bregun e lumit shumë drurë nga një anë dhe nga ana tjetër.

EZEK 47:8 Pastaj më tha: "Këto ujëra drejtohen për në krahinën lindore, zbresin në Arabah dhe do të derdhen në det; me të hyrë në det, ujërat e tij do të shëndoshen.

EZEK 47:9 Dhe do të ndodhë që çdo qenie e gjallë që lëviz do të jetojë, kudo që arrin lumi; do të ketë bollëk të madh peshqish, sepse vijnë këto ujëra dhe shëndoshin ujërat e tjera; kudo që arrin lumi gjithçka ka për t'u gjallëruar.

EZEK 47:10 Dhe do të ndodhë që në brigjet e tij do të ketë peshkatarë; nga En-gedi deri në Englegaim do të jetë një vend ku do të shtrihen rrjetat; peshku i tij do të jetë i po atij lloji dhe në sasi të madhe, si peshku i Detit të Madh.

EZEK 47:11 Por kënetat tij dhe moçalet e tij nuk do të shëndoshen; do të lihen për të nxjerrë kripë.

EZEK 47:12 Gjatë lumit, mbi të dyja brigjet e tij, do të rritet çdo lloj druri që jep fryte, fletët e tyre nuk do të fishken dhe frytet e tij nuk do të mungojnë kurrë. Do të mbajnë fryte çdo muaj, sepse ujërat e tyre dalin nga shenjtërorja, fryti i tyre do të shërbejë për ushqim dhe fletët e tyre për mjekim".

EZEK 47:13 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Këta janë kufijtë në bazë të të cilëve ju do ta ndani vendin në trashëgimi midis dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Jozefit do t'i takojnë dy pjesë.

EZEK 47:14 Secili prej jush do të trashëgojë një pjesë të barabartë me atë të vëllait të tij, sepse unë e ngrita dorën si betim për t'ua dhënë etërve tuaj. Ky vend do t'ju përkasë si trashëgimi.

EZEK 47:15 Këta do të jenë kufijtë e vendit nga ana e veriut: nga Deti i Madh në drejtim të Hethlonit deri sa të arrijnë në Tsedad,

EZEK 47:16 Hamathi, Berothahi, Sibraimi (që është midis kufirit të Damaskut dhe kufirit të Hamathit), Hatserhatikoni (që është në kufi me Hauranin).

EZEK 47:17 Kështu kufiri do të jetë nga deti deri në Hatsarenon, në kufijtë e Damaskut, me kufirin e Hamathit në veri. Kjo është ana veriore.

EZEK 47:18 Nga ana lindore do të shtriheni midis Hauranit dhe Damaskut, midis Galaadit dhe vendit të Izraelit, gjatë Jordanit dhe gjatë bregut lindor të detit. Kjo është ana lindore.

EZEK 47:19 Ana jugore, në drejtim të jugut, do të shtrihet nga Tamari deri në ujërat e Meribothit të Kadeshit, pastaj gjatë përroit të Egjiptit deri në Detin e Madh. Kjo është ana jugore, në jug.

EZEK 47:20 Ana perëndimore do të jetë Deti i Madh, nga kufiri i jugut deri përpara hyrjes së Hamathit. Kjo është ana perëndimore.

EZEK 47:21 Do ta ndani kështu këtë vend midis jush, në bazë të fiseve të Izraelit.

EZEK 47:22 Do ta ndani me short në trashëgimi midis jush dhe të huajve që banojnë midis jush dhe që u kanë lindur bij në mes tuaj. Këta do të jenë për ju si ata që kanë lindur në vend midis bijve të Izraelit; do të kenë edhe ata me short një trashëgimi në mes të fiseve të Izraelit.

EZEK 47:23 Në fisin ku i huaji banon, atje do t'i jepni pjesën e tij", thotë Zoti, Zoti.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase