Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Jeremiah 49

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40] [41] [42] [43] [44] [45] [46] [47] [48] [49] [50] [51] [52]

JER 49:1 Kundër bijve të Amonit. Kështu thotë Zoti: "Izraeli vallë nuk ka bij, nuk ka asnjë trashëgimtar? Pse, pra, Malkami bëhet zot i Gadit dhe populli i tij është vendosur në qytetet e tij?

JER 49:2 Prandaj ja, ditët po vijnë, thotë Zoti, në të cilat unë do të bëj që të dëgjohet thirrja e luftës e bijve të Amonit kundër Rabahut; ai do të bëhet një grumbull gërmadhash dhe qytetet e tij do të konsumohen nga zjarri. Atëherë Izraeli do të shtjerë në dorë trashëgiminë e tij", thotë Zoti.

JER 49:3 "Vajto o Heshbon, sepse Ai është shkatërruar; bërtisni, o ju qytete të Rabahut, ngjeshuni me thasë, vini kujën, vraponi sa andej e këtej brenda vathës sepse Malkami po shkon në robëri bashkë me priftërinjtë e tij dhe me princat e tij.

JER 49:4 Pse mburresh nëpër lugina? Lugina jote është zbrazur, o bijë rebele, që kishe besim në thesaret e tua dhe thoje: "Kush do të dalë kundër meje?".

JER 49:5 Ja, unë do të bëj që të të zërë tmerri, thotë Zoti, Zoti i ushtrive, nga të gjithë ata që të rrethojnë, dhe ju do të dëboheni, secili drejt para tij, dhe nuk do të ketë njeri që t'i mbledhë ikanakët.

JER 49:6 Por, mbas kësaj, unë do t'i kthej nga robëria djemtë e Amonit", thotë Zoti.

JER 49:7 Kundër Edomit. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Nuk ka më dituri në Teman? Vallë u ka munguar gjykimi të zgjuarve? Éshtë tretur dituria e tyre?

JER 49:8 Ikni me vrap, kthehuni prapa, shkoni të banoni në thellësitë e tokës, o banorë të Dedanit, sepse unë do të sjell fatkeqësinë e Ezaut mbi të në kohën e ndëshkimit të tij.

JER 49:9 Po të vinin disa vjelës rrushi te ti nuk do të linin ndonjë vilëz për të mbledhur? Po të vinin disa vjedhës te ti natën do të shkatërronin vetëm sa u mjafton.

JER 49:10 Por unë do ta zbuloj Ezaun dhe do të gjej vendet e fshehta të tij, dhe ai nuk do të mund të fshihet më. Pasardhësit të tij, vëllezërit e tij dhe fqinjët e tij do të shkatërrohen, dhe ai nuk do të jetë më.

JER 49:11 Lëri jetimët e tu, unë do t'i ruaj të gjallë në jetë dhe gratë e tua të veja le të kenë besim tek unë".

JER 49:12 Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, ata që nuk ishin destinuar ta pinin kupën, do ta pinë me siguri; dhe ti do të jesh krejt i pandëshkuar? Nuk do të jesh krejt i pandëshkuar, por do ta pish me siguri.

JER 49:13 Meqenëse unë jam betuar në veten time", thotë Zoti, "Botsrahu do të bëhet një objekt habie dhe talljeje, një shkreti dhe një mallkim, dhe tërë qytetet e tij do të jenë të shkreta përjetë.

JER 49:14 Dëgjova një mesazh nga Zoti, dhe një lajmëtar iu dërgua kombeve: "Mblidhuni dhe nisuni kundër tij; çohuni për betejën".

JER 49:15 Por ja unë do të të bëj të vogël midis kombeve dhe të përbuzur midis njerëzve.

JER 49:16 Tmerri që kallje dhe kryelartësia e zemrës sate të kanë joshur, o ti që banon në të çarat e shkëmbinjve, që pushton majat e kodrave; edhe sikur të bëje folenë tënde lart si shqiponja, unë do të bëj që ti të biesh poshtë nga atje lart", thotë Zoti.

JER 49:17 Edomi do të bëhet objekt habie; kushdo që do t'i kalojë afër do të mbetet i habitur dhe do të fërshëllejë për të gjitha plagët e tij.

JER 49:18 Ashtu si në shkatërrimin e Sodomës dhe të Gomorrës, si dhe të qyteteve afër tyre", thotë Zoti, "askush nuk do të banojë më në to dhe asnjë bir njeriu nuk do të gjejë strehë.

JER 49:19 Ja, ai do të dalë si një luan nga fryrja e Jordanit kundër banesës së fortë; unë do të bëj që ai papritmas të ikë që andej dhe do të vendos mbi të atë që kam zgjedhur. Kush është në fakt si unë? Kush do të më nxjerrë në gjyq? Kush është, pra, bariu që mund të më bëjë ballë?

JER 49:20 Prandaj dëgjoni planin që Zoti ka menduar kundër Edomit dhe vendimet që ka marrë kundër banorëve të Temanit. Me siguri do të tërhiqen edhe më të vegjlit e kopesë, me siguri banesa e tyre do të shkretohet.

JER 49:21 Në zhurmën e rënies së tyre toka do të dridhet; zhurma e britmës së tyre do të dëgjohet deri në Detin e Kuq.

JER 49:22 Ja, armiku po del, po nis fluturimin si shqiponja dhe po hap krahët e tij drejt Botsrahut, dhe zemra e trimave të Edomit atë ditë do të jetë si zemra e një gruaje në dhembjet e lindjes.

JER 49:23 Kundër Damaskut. Hamathia dhe Arpadi janë mbuluar me turp, sepse kanë dëgjuar një lajm të keq; po ligështohen; ka një stuhi të madhe mbi det, që nuk mund të qetësohet.

JER 49:24 Damasku është bërë i flashkët, kthehet për të ikur, e ka kapur një drithmë; ankthi dhe dhimbjet e sulmojnë si një grua që është duke lindur.

JER 49:25 "Vallë si nuk është braktisur qyteti i lavdërimit, qyteti i gëzimit tim?

JER 49:26 Prandaj të rinjtë e tij do të rrëzohen në sheshet e tij dhe tërë luftëtarët do të vdesin atë ditë", thotë Zoti i ushtrive.

JER 49:27 "Unë do të ndez zjarrin në muret e Damaskut dhe ai do të gllabërojë pallatet e Ben-Hadadit".

JER 49:28 Kundër Kedarit dhe mbretërive të Hatsorit, që Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, ka mundur. Kështu thotë Zoti: "Çohuni, dilni kundër Kedarit dhe shkatërroni bijtë e lindjes.

JER 49:29 Çadrat e tyre dhe kopetë e tyre do të merren; shatorret e tyre, tërë veglat e tyre dhe devetë e tyre do të çohen tutje; do t'u bërtasin atyre: "Tmerr nga të gjitha anët".

JER 49:30 Ikni, shkoni larg të banoni në thellësitë e tokës, o banorë të Hatsorit", thotë Zoti, "sepse Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, ka hartuar një projekt kundër jush, ka menduar një plan kundër jush.

JER 49:31 Çohuni, dilni kundër një kombi të qetë që banon në siguri", thotë Zoti, "që nuk ka as dyer as shula dhe banon i vetmuar.

JER 49:32 Devetë e tyre do t'i çojnë tutje si plaçkë lufte dhe shumica e bagëtisë së tyre si pre. Unë do t'i shpërndaj në të gjitha drejtimet ata që presin cepat e mjekrës dhe do të bëj që t'u vijë fatkeqësia nga të gjitha anët", thotë Zoti.

JER 49:33 "Hatsori do të bëhet një vend ku do të banojnë çakejtë, një shkreti për gjithmonë; askush nuk do të banojë më aty dhe asnjë bir njeriu nuk do të qëndrojë aty".

JER 49:34 Fjala e Zotit që iu drejtua profetit Jeremia kundër Elamit, në fillim të mbretërimit të Sedekias, mbret i Judës, duke thënë:

JER 49:35 "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Ja, unë do të copëtoj harkun e Elamit, bazën e forcës së tij.

JER 49:36 Unë do të sjell kundër Elamit katër erërat nga katër skajet e qiellit; do ta shpërndaj në drejtim të të gjitha erërave dhe nuk do të ketë komb ku të mos arrijnë ikanakët e Elamit.

JER 49:37 Do t'i bëj Elamitët të tremben përpara armiqve të tyre dhe para atyre që kërkojnë jetën e tyre; do të sjell mbi ta gjëmën, zemërimin tim të zjarrtë", thotë Zoti. "Do t'u dërgoj pas shpatën deri sa t'i kem konsumuar.

JER 49:38 Do ta vendos pastaj fronin tim në Elam dhe do të bëj që të zhduken mbretërit dhe princat", thotë Zoti.

JER 49:39 "Por ditët e fundit do të ndodhë që unë do ta kthej Elamin nga robëria", thotë Zoti.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase