Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Jeremiah 26

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40] [41] [42] [43] [44] [45] [46] [47] [48] [49] [50] [51] [52]

JER 26:1 Në fillim të mbretërimit të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës, nga Zoti iu drejtua kjo fjalë duke thënë:

JER 26:2 "Kështu thotë Zoti: Paraqitu në oborrin e shtëpisë të Zotit dhe u thuaj tërë qyteteve të Judës që vijnë për të adhuruar në shtëpinë e Zotit, të gjitha fjalët që të kam porositur t'u thuash atyre; mos lër as edhe një fjalë.

JER 26:3 Ndofta do të dëgjojnë dhe secili do të largohet nga rruga e tij e keqe, dhe unë do të pendohem për të keqen që mendoj t'u shkaktoj atyre për ligësinë e veprimeve të tyre.

JER 26:4 Ti do t'u thuash atyre: Kështu thotë Zoti: Në rast se nuk dëgjoni duke ecur sipas ligjit tim që kam vënë para jush

JER 26:5 dhe duke u kushtuar kujdes fjalëve të shërbëtorëve të mi, të profetëve, që ju kam dërguar me urgjencë dhe këmbëngulje (por që ju nuk i keni dëgjuar),

JER 26:6 unë do ta bëj këtë tempull si Shilohun dhe do ta kthej këtë qytet në një mallkim për të gjitha kombet e tokës".

JER 26:7 Kështu priftërinjtë, profetët dhe tërë populli dëgjuan Jeremian që shqiptonte këto fjalë në shtëpinë e Zotit.

JER 26:8 Dhe ndodhi që, sapo Jeremia mbaroi së shqiptuari tërë ato që Zoti i kishte urdhëruar t'i thoshte gjithë popullit, priftërinjtë, profetët dhe tërë populli e kapën dhe i thanë: "Ti duhet të vdesësh!

JER 26:9 Pse ke profetizuar në emër të Zotit, duke thënë: "Ky tempull do të jetë si Shilohu dhe ky qytet do të shkatërrohet dhe do të jetë pa banorë"?". Tërë populli u mblodh kundër Jeremias në shtëpinë e Zotit.

JER 26:10 Kur princat e Judës dëgjuan këto gjëra, u ngjitën nga shtëpia e mbretit në shtëpinë e Zotit dhe u ulën në hyrje të portës së re të shtëpisë të Zotit.

JER 26:11 Pastaj priftërinjtë dhe profetët u folën princave dhe tërë popullit, duke thënë: "Ky njeri meriton vdekjen, sepse ka profetizuar kundër këtij qyteti, siç e keni dëgjuar me veshët tuaj".

JER 26:12 Atëherë Jeremia u foli tërë princave dhe të gjithë popullit, duke thënë: "Zoti më ka dërguar të profetizoj kundër kësaj shtëpie dhe kundër këtij qyteti tërë gjërat që keni dëgjuar.

JER 26:13 Prandaj korrigjoni tani rrugët dhe veprimet tuaja dhe dëgjoni zërin e Zotit, Perëndisë tuaj, dhe Zoti do të pendohet për të keqen që ka shqiptuar kundër jush.

JER 26:14 Sa për mua, unë jam në duart tuaja; veproni me mua ashtu siç ju duket e mirë dhe e drejtë.

JER 26:15 Por dijeni me siguri që, në qoftë se më bëni të vdes, do të tërhiqni gjak të pafajmë mbi vete, mbi këtë qytet dhe mbi banorët e tij, sepse Zoti më ka dërguar me të vërtetë pranë jush, që t'u deklaroj veshëve tuaj tërë këto fjalë".

JER 26:16 Atëherë princat dhe tërë populli u thanë priftërinjve dhe profetëve: "Ky njeri nuk meriton vdekjen, sepse na ka folur në emër të Zotit, Perëndisë tonë".

JER 26:17 Pastaj u ngritën disa nga pleqtë e vendit dhe i folën tërë kuvendit të popullit, duke thënë:

JER 26:18 "Mikea, Morashtiti, profetizoi në ditët e Ezekias, mbretit të Judës, dhe i foli tërë popullit të Judës, duke thënë: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Sioni do të lërohet si një fushë, Jeruzalemi do të bëhet një grumbull gërmadhash dhe mali i tempullit një lartësi e pyllëzuar".

JER 26:19 A e dënuan vallë me vdekje Ezekian, mbretin e Judës, dhe tërë Judën? A nuk pati frikë nga Zoti dhe a nuk iu lut vallë fytyrës së Zotit, dhe kështu Zoti u pendua për të keqen që kishte shqiptuar kundër tyre? Ne jemi duke bërë përkundrazi një të keqe të madhe kundër vetes sonë".

JER 26:20 Pati edhe një njeri tjetër që profetizoi në emër të Zotit. Uria, biri i Shemajahut, nga Kiriath-Jearimi; ai profetizoi kundër këtij qyteti dhe kundër këtij vendi me fjalë krejt të ngjashme me ato të Jeremias.

JER 26:21 Kur mbreti Jehojakim, tërë njerëzit e tij trima dhe tërë princat e tij dëgjuan fjalët e tij, mbreti kërkoi ta dënojë me vdekje, por Uria e mori vesh dhe u frikësua; prandaj ua mbathi këmbëve dhe shkoi në Egjipt.

JER 26:22 Atëherë mbreti Jehojakim dërgoi njerëz në Egjipt, Elnathanin, biri i Akborit, dhe njerëz të tjerë me të në Egjipt.

JER 26:23 Këta e nxorën Urian nga Egjipti dhe e çuan te mbreti Jehojakim, që e goditi me shpatë dhe e hodhi kufomën e tij midis varreve të bijve të popullit.

JER 26:24 Por dora e Ahikamit, birit të Shafanit, ishte me Jeremian, me qëllim që të mos e dorëzonin në duart e popullit dhe të mos dënohej me vdekje.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase