Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Jeremiah 36

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40] [41] [42] [43] [44] [45] [46] [47] [48] [49] [50] [51] [52]

JER 36:1 Ndodhi në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josias, mbreti i Judës, që kjo fjalë ju drejtua nga Zoti duke thënë:

JER 36:2 "Merr një rrotull shkrimi dhe shkruaj mbi të tërë fjalët që të kam thënë kundër Izraelit, kundër Judës dhe kundër të gjitha kombeve, nga dita që të kam folur, nga ditët e Josias e deri më sot.

JER 36:3 Ndofta shtëpia e Judës do të dëgjojë gjithë të keqen që unë mendoj t'u bëj atyre, dhe secili do të tërhiqet nga rruga e tij e keqe, dhe kështu unë do të fal paudhësinë e tyre dhe mëkatin e tyre".

JER 36:4 Atëherë Jeremia thirri Barukun, birin e Neriahut, dhe Baruku shkroi mbi një rrotull shkrimi, nën diktimin e Jeremias, tërë fjalët që Zoti i kishte thënë.

JER 36:5 Pastaj Jeremia i dha këtë urdhër Barukut: "Unë jam i penguar dhe nuk mund të hyj në shtëpinë e Zotit.

JER 36:6 Prandaj do të shkosh ti të lexosh, nga rrotulla që ke shkruar nën diktimin tim fjalët e Zotit në veshët e popullit në shtëpinë e Zotit, ditën e agjërimit, do t'i lexosh dhe në veshët e tërë atyre të Judës që vijnë nga qytetet e tyre.

JER 36:7 Ndofta do t'i paraqesin lutjet e tyre për falje Zotit dhe secili do të tërhiqet nga rruga e tij e keqe, sepse i madh është zemërimi dhe tërbimi që Zoti ka shqiptuar kundër këtij populli".

JER 36:8 Baruku, biri i Neriahut, bëri, pra, tërë ato që i kishte urdhëruar profeti Jeremia dhe lexoi nga libri fjalët e Zotit.

JER 36:9 Në vitin e pestë të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës, në muajin e nëntë u shpall një agjërim para Zotit për të gjithë popullin e Jeruzalemit dhe për gjithë popullin e ardhur nga qytetet e Judës në Jeruzalem.

JER 36:10 Atëherë Baruku lexoi nga libri fjalët e Jeremias në veshët e tërë popullit, në shtëpinë e Zotit, në dhomën e Gemariahut, birit të Shafanit, shkruesit, në oborrin e sipërm, në hyrjen e Portës së Re të shtëpisë së Zotit.

JER 36:11 Mikajahu, biri i Gemariahut, që ishte bir i Shafanit, dëgjoi tërë fjalët e Zotit që u lexuan nga libri.

JER 36:12 Zbriti pastaj në shtëpinë e mbretit, në dhomën e shkruesit, dhe ja, aty rrinin ulur tërë princat: Elishama shkruesi, Delahaju, biri i Shemajahut, Elnathani biri i Akborit, Gemariahu biri i Shafanit, Sedekia biri i Hananiahut, dhe tërë princat e tjerë.

JER 36:13 Mikajahu u tregoi tërë fjalët që kishte dëgjuar, ndërsa Baruku lexonte librin në veshët e popullit.

JER 36:14 Atëherë tërë princat i dërguan Barukut Jehudin, birin e Nethaniahut, bir i Shelemiahut, bir i Kushit, për t'i thënë: "Merr në dorë rrotullën që lexove në veshët e popullit dhe eja". Kështu Baruku, bir i Neriahut, mori në dorë rrotullën dhe erdhi tek ata.

JER 36:15 Ata i thanë: "Ulu dhe lexoje para nesh". Dhe Baruku e lexoi në veshët e tyre.

JER 36:16 Kur dëgjuan tërë ato fjalë, patën frikë dhe duke shikuar njëri tjetrin i thanë Barukut: "Duhet t'ia tregojmë pa tjetër mbretit tërë këto fjalë".

JER 36:17 Pastaj pyetën Barukun duke i thënë: "Na thuaj tani si i shkrove tërë këto fjalë: nën diktimin e tij?".

JER 36:18 Baruku u përgjigj: "Ai më tha tërë këto fjalë me gojën e tij, dhe unë i kam shkruar me bojë në libër".

JER 36:19 Atëherë princat i thanë Barukut: "Shko dhe fshihu bashkë me Jeremian, dhe askush të mos dijë se ku jeni".

JER 36:20 Pastaj shkuan te mbreti, në oborr, mbasi e kishin lënë rrotullën në dhomën e shkruesit Elishama, dhe ia njoftuan mbretit tërë ato fjalë.

JER 36:21 Atëherë mbreti dërgoi Jehudin të marrë rrotullën; dhe ky e mori në dhomën e shkruesit Elishama. Pastaj Jehudi e lexoi në veshët e mbretit dhe të gjithë princave që ishin pranë mbretit.

JER 36:22 Mbreti rrinte ulur në pallatin e tij të dimrit, (ishte muaji i nëntë), me një mangall para tij që digjej mirë.

JER 36:23 Kur Jehudi lexoi tri o katër shtylla, mbreti e preu rrotullën me thikën e shkruesit dhe e hodhi në zjarrin që ishte në mangall, deri sa ajo u dogj krejt nga zjarri që ishte në mangall.

JER 36:24 As mbreti dhe askush nga shërbëtorët e tij që i dëgjuan tërë këto fjalë nuk u trembën ose t'i grisnin rrobat e tyre.

JER 36:25 Dhe megjithëse Elnathani, Delajahu dhe Gemariahu e lutën shumë mbretin që të mos e digjte rrotullën, ai nuk deshi t'i dëgjonte.

JER 36:26 Madje mbreti urdhëroi Jerahmeelin, birin e mbretit, Serajahun, birin e Azrielit dhe Shelemiahun, birin e Abdelit, të kapnin shkruesin Baruk dhe profetin Jeremia. Por Zoti i fshehu.

JER 36:27 Mbasi mbreti dogji rrotullën dhe fjalët që Baruku kishte shkruar nën diktimin e Jeremias, fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:

JER 36:28 "Merr përsëri një rrotull tjetër dhe shkruaj mbi të tërë fjalët e mëparshme, që ishin në rrotullën e parë të djegur nga Jehojakimi, mbreti i Judës.

JER 36:29 Dhe Jehojakimit, mbretit të Judës, do t'i thuash: Kështu thotë Zoti: Ti ke djegur këtë rrotull, duke thënë: "Pse ke shkruar në të që mbreti i Babilonisë do të vijë me siguri dhe do ta shkatërrojë këtë vend, duke bërë të zhduken prej tij njerëz dhe kafshë?".

JER 36:30 Prandaj kështu thotë Zoti për Jehojakimin, mbretin e Judës: Ai nuk do të ketë njeri që të ulet mbi fronin e Davidit dhe kufoma e tij do të hidhet jashtë dhe do të ekspozohet në vapën e ditës dhe në ngricën e natës.

JER 36:31 Unë do ta dënoj atë, pasardhësit e tij dhe shërbëtorët e tij për paudhësinë e tyre dhe do të sjell mbi ta, mbi banorët e Jeruzalemit dhe mbi njerëzit e Judës tërë të keqen që kam shqiptuar kundër tyre, sepse nuk më dëgjuan".

JER 36:32 Jeremia pra mori një rrotull tjetër dhe ia dha Barukut, birit të Neriahut, shkruesit, i cili shkroi mbi të, nën diktimin e Jeremias, të gjitha fjalët e librit që Jehojakimi, mbreti i Judës, kishte djegur në zjarr; u shtuan gjithashtu shumë fjalë të tjera të ngjashme me to.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase