Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Numbers 25

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36]

NUM 25:1 Ndërsa Izraeli ndodhej në Shitim, populli filloi të shthurret me bijat e Moabit.

NUM 25:2 Ato e ftuan popullin të kryejë flijime për perënditë e tyre dhe populli hëngri dhe ra përmbys përpara perëndive të tyre.

NUM 25:3 Kështu Izraeli u bashkua me Baal-Peorin, dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit.

NUM 25:4 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Merr të gjithë krerët e popullit, vriti e vari para Zotit përjashta, në diell me qëllim që zemërimi i zjarrtë i Zotit të largohet nga Izraeli".

NUM 25:5 Kështu u foli Moisiu gjykatësve të Izraelit: "Secili nga ju të vrasë ata njerëz të tij që janë bashkuar me Baal-Peorin".

NUM 25:6 Dhe ja, që një nga bijtë e Izraelit erdhi dhe u paraqiti vëllezërve të tij një grua madianite, para syve të Moisiut dhe tërë asamblesë së bijve të Izraelit, ndërsa këta po qanin në hyrjen e çadrës së mbledhjes.

NUM 25:7 Duke parë këtë skenë, Finehasi, bir i Eleazarit, që ishte bir i priftit Aaron, u ngrit në mes të asamblesë dhe mori në dorë një shtizë,

NUM 25:8 ndoqi pastaj burrin e Izraelit në alkovën e tij dhe i shpoi që të dy, burrin e Izraelit dhe gruan, në pjesën e poshtme të barkut. Kështu u ndal fatkeqësia në mes të bijve të Izraelit.

NUM 25:9 Nga kjo fatkeqësi vdiqën njëzet e katër mijë veta.

NUM 25:10 Atëherë Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

NUM 25:11 "Finehasi, bir i Eleazarit, që ishte bir i priftit Aaron, e largoi zemërimin tim nga bijtë e Izraelit, sepse ai ishte i frymëzuar nga po ajo xhelozia ime; kështu në xhelozinë time nuk i kam shfarosur bijtë e Izraelit.

NUM 25:12 Prandaj i thuaj: "Ja, unë po lidh një aleancë paqeje me të,

NUM 25:13 që do të jetë për të dhe për pasardhësit pas tij besëlidhja e një priftërie të përjetshme, sepse është treguar i zellshëm për Perëndinë e tij dhe ka kryer shlyerjen e fajit për bijtë e Izraelit".

NUM 25:14 Burri i Izraelit, që u vra bashkë me gruan madianite, quhej Zimri, bir i Salut, i pari i një shtëpie patriarkale të Simeonitëve.

NUM 25:15 Dhe gruaja që u vra, Madianitja, quhej Kozbi, bijë e Tsurit, që ishte i pari i një shtëpie patriarkale në Madian.

NUM 25:16 Pastaj Zoti i foli Moisiut duke i thënë:

NUM 25:17 "Bjeruni Madianitëve dhe i sulmoni,

NUM 25:18 sepse ju kanë rënë më qafë me dredhitë e tyre dhe ju kanë mashtruar në rastin e Peorit dhe në atë të Kozbit, bijë e një princi të Madianit, motër e tyre, që u vra ditën e fatkeqësisë për çështjen e Peorit".

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase