Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Numbers 18

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36]

NUM 18:1 Pastaj Zoti i tha Aaronit: "Ti, bijtë e tu, dhe shtëpia e atit tënd bashkë me ty, do të mbani barrën e paudhësive të kryera kundër shenjtërores, dhe ti e bijtë e tu do të mbani barrën e paudhësive të kryera gjatë ushtrimit të priftërisë suaj.

NUM 18:2 Do të afrosh gjithashtu vëllezërit e tu, fisin e Levit, fisin e atit tënd, me qëllim që të bashkohen me ty dhe të të shërbejnë, kur ti dhe bijtë e tu do të jeni para çadrës së dëshmisë.

NUM 18:3 Ata do të të shërbejnë ty dhe do të kryejnë tërë detyrat e çadrës; por nuk do t'u afrohen orendive të shenjtërores dhe altarit, përndryshe do të vdisni së bashku, ti dhe ata.

NUM 18:4 Ata do të bashkohen me ty dhe do të kryejnë të gjitha detyrat e çadrës së mbledhjes që lidhen me punën në çadër, por asnjë i huaj nuk do t'ju afrohet juve.

NUM 18:5 Ju do të kryeni, pra, shërbimin e shenjtërores dhe të altarit, që të mos ketë më zemërim kundër bijve të Izraelit.

NUM 18:6 Ja, unë vetë mora vëllezërit tuaj, Levitët, nga mesi i bijve të Izraelit; ata ju janë dhënë dhuratë nga Zoti për të kryer shërbimet e çadrës së mbledhjes.

NUM 18:7 Por ti dhe bijtë e tu do të ushtroni priftërinë tuaj për të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me altarin dhe që ndodhen matanë velit; dhe do të kryeni shërbimin tuaj. Unë ju jap priftërinë tuaj si një dhuratë për shërbimin, por i huaji që do të afrohet do të vritet".

NUM 18:8 Zoti i foli akoma Aaronit, duke i thënë: "Ja, unë të besoj kujdesin e ofertave të mia të larta, të të gjitha gjërave të shenjtëruara të bijve të Izraelit; t'i jap ty dhe bijve të tu si një statut të përjetshëm për shkak të vajosjes suaj.

NUM 18:9 Kjo do të të takojë nga gjërat shumë të shenjta të pakonsumuara në zjarr: të gjitha ofertat e tyre, domethënë çdo blatim ushqimor, çdo flijim për mëkatin dhe çdo flijim për shkeljen e bërë që do të më paraqesin, janë gjëra shumë të shenjta që të përkasin ty dhe bijve të tu.

NUM 18:10 Do t'i hash në vend shumë të shenjtë; do t'i hajë çdo mashkull; do të jenë për ty gjëra të shenjta.

NUM 18:11 Do të të përkasin ty edhe këto: dhuratat që bijtë e Izraelit do të paraqesin për ngritje dhe të gjitha ofertat e tyre të tundura; unë t'i jap ty, bijve të tu dhe bijave të tua, si një statut i përjetshëm. Kushdo që është i pastër në shtëpinë tënde mund t'i hajë.

NUM 18:12 Pjesa më e mirë e vajit, e mushtit dhe e grurit, prodhimet e para që i japin Zotit, unë t'i jap ty.

NUM 18:13 Prodhimet e para të të gjitha gjërave që prodhon toka dhe që ata i paraqesin Zotit, do të jenë tuajat. Kushdo që është i pastër në shtëpinë tënde mund t'i hajë.

NUM 18:14 Çdo gjë e shenjtëruar në Izrael do të jetë jotja.

NUM 18:15 Çdo pjellje e parë e çdo mishi që ata do t'i ofrojnë Zotit, qoftë të njerëzve ashtu dhe të kafshëve, do të jetë jotja; por me siguri do të shpengosh të parëlindurin e njeriut dhe do të shpengosh pjelljen e parë të kafshëve të papastra.

NUM 18:16 Dhe ata që duhet të shpengosh, do t'i shpengosh në moshën një muajsh, simbas vlerësimit tënd, për pesë sikla argjendi, simbas siklit të shenjtërores, që është njëzet gere.

NUM 18:17 Por nuk do të shpengosh pjelljen e parë të lopës, të deles dhe të dhisë; janë gjëra të shenjta; do të spërkatësh gjakun e tyre mbi altarin dhe do të tymosësh dhjamin e tyre si flijim i bërë me zjarr, me erë të këndshme për Zotin.

NUM 18:18 Mishi i tyre do të jetë yti; do të jetë yti si gjoksi i ofertës së tundur ashtu dhe kofsha e djathtë.

NUM 18:19 Unë të jap ty, bijve dhe bijave të tua bashkë me ty, si statut të përjetshëm, të gjitha ofertat e larta të gjërave të shenjta që bijtë e Izraelit i paraqesin Zotit. Éshtë një besëlidhje e kripës dhe e përjetshme përpara Zotit, për ty dhe për pasardhësit e tu".

NUM 18:20 Zoti i tha akoma Aaronit: "Ti nuk do të kesh asnjë trashëgimi në vendin e tyre dhe nuk do të kesh pjesë në mes tyre; unë jam pjesa jote dhe trashëgimia jote në mes të bijve të Izraelit.

NUM 18:21 Ja, bijve të Levit unë u lë si trashëgim të gjitha të dhjetat në Izrael në këmbim të shërbimit që kryejnë, shërbimin e çadrës së mbledhjes.

NUM 18:22 Dhe bijtë e Izraelit nuk do t'i afrohen më çadrës së mbledhjes, përndryshe do të ngarkoheshin me një mëkat dhe do të vdisnin.

NUM 18:23 Shërbimin në çadrën e mbledhjes do ta bëjnë vetëm Levitët; dhe këta do të mbajnë barrën e paudhësive të tyre; do të jetë një statut i përjetshëm për gjithë brezat tuaj; dhe nuk do të kenë asnjë trashëgimi midis bijve të Izraelit;

NUM 18:24 sepse unë u jap si trashëgimi Levitëve të dhjetat që bijtë e Izraelit do t'i paraqesin Zotit si një ofertë të lartë; prandaj u thashë atyre: "Nuk do të kenë asnjë trashëgimi midis bijve të Izraelit"".

NUM 18:25 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

NUM 18:26 "Folu Levitëve dhe u thuaj atyre: Kur do të merrni nga bijtë e Izraelit të dhjetat që unë ju jap nga ana e tyre si trashëgiminë tuaj, do t'i bëni një ofertë të lartë Zotit, një të dhjetën e së dhjetës;

NUM 18:27 dhe oferta juaj e lartë do t'ju llogaritet si gruri që vjen nga lëmi dhe si bollëku i mushtit të butit.

NUM 18:28 Kështu edhe ju do t'i bëni një ofertë të lartë Zotit nga të gjitha të dhjetat që do të merrni nga bijtë e Izraelit, dhe nga ato do të jepni ofertën e lartë të Zotit priftit Aaron.

NUM 18:29 Nga të gjitha gjërat që ju kanë dhuruar, do t'i ofroni ofertën e lartë Zotit, nga pjesa më e mirë, pjesën e shenjtëruar.

NUM 18:30 Prandaj do t'u thuash atyre: "Kur të keni ofruar më të mirën, ajo që mbetet do t'u llogaritet Levitëve si prodhim i lëmit dhe si prodhim i mushtit të butit.

NUM 18:31 Mund ta hani në çfarëdo vend, ju dhe familja juaj, sepse është shpërblimi juaj për shërbimin tuaj në çadrën e mbledhjes.

NUM 18:32 Kështu nuk do të jeni fajtorë të asnjë mëkati, sepse keni ofruar gjërat më të mira; por nuk do të përdhosni gjërat e shenjta të bijve të Izraelit, përndryshe do të vdisni"".

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase