Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Leviticus 27

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27]

LEV 27:1 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

LEV 27:2 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur një njeri lidh një kusht të rëndësishëm për t'i shenjtëruar Zotit një person dhe mendon t'i japë një barasvlerë,

LEV 27:3 në rast se vlerësimi yt ka të bëjë me një mashkull njëzet vjeç e lart, deri në gjashtëdhjetë vjeç, atëherë vlerësimi yt do të jetë pesëdhjetë sikla argjendi, simbas siklit të shenjtërores.

LEV 27:4 Po të jetë se ka të bëjë me një grua, vlerësimi yt do të jetë tridhjetë sikla.

LEV 27:5 Për ata që janë pesë vjeç e lart, deri njëzet vjeç, vlerësimi yt do të jetë njëzet sikla për një mashkull dhe dhjetë sikla për një femër.

LEV 27:6 Nga një muajsh e lart deri në pesë vjeç, vlerësimi yt do të jetë pesë sikla argjendi për një mashkull dhe tri sikla argjendi për një femër.

LEV 27:7 Nga gjashtëdhjetë vjeç e lart vlerësimi yt do të jetë pesëmbëdhjetë sikla për një mashkull dhe dhjetë sikla për një femër.

LEV 27:8 Por në se ai është tepër i varfër për të paguar shumën e kërkuar nga vlerësimi yt, atëherë do të paraqitet para priftit dhe ky do të bëjë vlerësimin. Prifti do ta bëjë vlerësimin duke pasur parasysh mjetet që ka ai që ka lidhur kushtin.

LEV 27:9 Në rast se është puna për kafshë që mund t'i paraqiten si ofertë Zotit, çdo kafshë e ofruar Zotit do të jetë gjë e shenjtë.

LEV 27:10 Ai nuk do të mund as ta zëvendësojë, as ta këmbejë, as një të mirë me një të keqe, as një të keqe me një të mirë; por, edhe sikur të këmbente një kafshë me një tjetër, që të dyja do të jenë gjë e shenjtë.

LEV 27:11 Por në qoftë se është puna për një kafshë të papastër, që mund t'i ofrohet Zotit, atëherë ai do ta paraqesë kafshën para priftit;

LEV 27:12 dhe prifti do të bëjë vlerësimin, qoftë kafsha e mirë apo e keqe; çfarëdo vlerësimi të bëjë prifti, ai do të vlejë.

LEV 27:13 Por në qoftë se dikush dëshiron ta shpengojë, duhet të shtojë një të pestën e vlerësimit.

LEV 27:14 Në rast se dikush shenjtëron shtëpinë e tij për ta bërë gjë të shenjtë për Zotin, prifti do të bëjë vlerësimin, qoftë ajo e mirë apo e keqe; çfarëdo vlerësimi të bëjë prifti ai do të vlejë.

LEV 27:15 Dhe në se ai që ka shenjtëruar shtëpinë e tij dëshiron ta shpengojë, duhet t'i shtojë një të pestën e vlerësimit dhe ajo do të bëhet e tij.

LEV 27:16 Në qoftë se dikush i shenjtëron Zotit një arë, pronë e tij, vlerësimi i saj do të bëhet në bazë të farës së nevojshme për të: pesëdhjetë sikla argjendi për një omer farë elbi.

LEV 27:17 Në rast se e shenjtëron arën e tij nga viti i jubileut, çmimi do të mbetet ai i caktuar nga vlerësimi yt;

LEV 27:18 por në rast se e shenjtëron arën e tij pas jubileut, prifti do të vlerësojë çmimin e saj duke llogaritur vitet që mbeten deri në jubile, duke pasur parasysh vlerësimin tënd.

LEV 27:19 Dhe në qoftë se ai që ka shenjtëruar arën do ta shpengojë, duhet t'i shtojë një të pestën vlerësimit tënd dhe ajo do të mbetet e tij.

LEV 27:20 Por në rast se nuk dëshiron ta shpengojë arën e tij ose ia ka shitur një tjetri, nuk do të mund ta shpengojë më;

LEV 27:21 dhe ara, kur shpengohet në jubile, do të jetë e shenjtë për Zotin si një arë që i është caktuar Perëndisë, dhe do të bëhet pronë e priftit.

LEV 27:22 Në rast se dikush i shenjtëron Zotit një arë të blerë prej tij dhe që nuk bën pjesë në pronën e tij,

LEV 27:23 prifti do të caktojë vlerësimin e tij për të deri në vitin e jubileut, dhe ai person do të paguajë po atë ditë çmimin e caktuar, si një gjë të shenjtë për Zotin.

LEV 27:24 Vitin e jubileut ara do t'i kthehet atij që i qe blerë dhe pasurisë së cilës ajo bënte pjesë.

LEV 27:25 Të gjitha vlerësimet e tua do të bëhen në sikla të shenjtërores; një sikël vlen njëzet gere.

LEV 27:26 Por asnjeri nuk mund t'i shenjtërojë pjelljet e para të bagëtisë, sepse si të parëlindur i përkasin Zotit; qoftë ka apo qengj, ai i takon Zotit.

LEV 27:27 Në rast se është puna për një kafshë të papastër, do ta shpengojë simbas çmimit të caktuar nga vlerësimi yt, duke i shtuar një të pestën; në rast se nuk shpengohet, do të shitet me çmimin e caktuar simbas vlerësimit tënd.

LEV 27:28 Megjithatë nuk do të mund të shitet a të shpengohet asgjë nga ato që i janë caktuar Zotit dhe që dikush ka caktuar për Zotin, midis tërë gjërave që i përkasin, qoftë një person, një kafshë o një copë toke nga pasuria e tij; çdo gjë e caktuar Perëndisë është një gjë shumë e shenjtë për Zotin.

LEV 27:29 Asnjë person i caktuar të shfaroset nuk mund të shpengohet; ai duhet të vritet.

LEV 27:30 Çdo e dhjetë e tokës, qoftë nga prodhimet e tokës, qoftë nga pemët e drurëve, i takon Zotit; është një gjë e shenjtëruar Zotit.

LEV 27:31 Në se dikush do të shpengojë një pjesë të së dhjetës së vet, do t'i shtojë një të pestën.

LEV 27:32 Dhe për të dhjetën e bagëtive të trasha dhe të imta, koka e dhjetë e të gjitha kafshëve që kalojnë nën shufrën do t'i shenjtërohet Zotit.

LEV 27:33 Nuk do të bëjë dallim midis së mirës dhe të keqes, as do të bëjë këmbime; dhe po të këmbejë njërën me tjetrën, të dyja do të jenë gjë e shenjtë; nuk do të mund të shpengohen.

LEV 27:34 Këto janë urdhërimet që Zoti i dha Moisiut për bijtë e Izraelit në malin Sinai.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase