Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Leviticus 20

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27]

LEV 20:1 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

LEV 20:2 "Do t'u thuash bijve të Izraelit: Cilido nga bijtë e Izraelit ose nga të huajt që banojnë në Izrael do që t'i japë Molekut ndonjë nga trashëgimtarët e tij, do të dënohet me vdekje; populli i vendit do ta vrasë me gurë.

LEV 20:3 Unë vet do ta kthej fytyrën time kundër këtij njeriu dhe do ta shfaros në mes të popullit të tij, sepse i ka dhënë Molekut disa nga trashëgimtarët e tij për të ndotur shenjtëroren time dhe për të përdhosur emrin tim të shenjtë.

LEV 20:4 Dhe në rast se populli i vendit mbyll sytë para këtij njeriu, kur ai i jep trashëgimtarët e tij Molekut, dhe nuk e dënon me vdekje,

LEV 20:5 do të jem unë që do ta kthej fytyrën time kundër këtij njeriu dhe kundër familjes së tij, do ta shfaros në mes të popullit të tij atë dhe tërë ata që kurvërohen me të, duke u shitur para Molekut.

LEV 20:6 Dhe në rast se një person u drejtohet mediumeve dhe magjistarëve për t'u kurvëruar pas tyre, unë do ta kthej fytyrën time kundër këtij personi dhe do ta shfaros në mes të popullit të tij.

LEV 20:7 Shenjtërohuni, pra, dhe qofshi të shenjtë, sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj.

LEV 20:8 Respektoni statutet e mia dhe i vini në zbatim. Unë jam Zoti që ju shenjtëron.

LEV 20:9 Kushdo që mallkon të atin ose të ëmën, do të dënohet me vdekje, sepse ka mallkuar të atin o të ëmën; gjaku i tij do të bjerë mbi të.

LEV 20:10 Në rast se ndonjëri shkel kurorën me gruan e një tjetri, në qoftë se shkel kurorën me gruan e fqinjit të tij, shkelësi dhe shkelësja e kurorës do të dënohen me vdekje.

LEV 20:11 Në qoftë se dikush bie në shtrat me gruan e atit të tij, ai zbulon lakuriqësinë e të atit; prandaj që të dy do të dënohen pa tjetër me vdekje; gjaku i tyre do të bjerë mbi ta.

LEV 20:12 Në rast se dikush bie në shtrat me nusen e birit të tij, që të dy do të dënohen me vdekje; kanë kryer një degjenerim të neveritshëm; gjaku i tyre do të bjerë mbi ta.

LEV 20:13 Në qoftë se dikush ka marrëdhënie seksuale me një burrë ashtu si ato që bëhen me një grua, që të dy kanë kryer një degjenerim të neveritshëm, do të dënohen pa tjetër me vdekje; gjaku i tyre do të bjerë mbi ta.

LEV 20:14 Në qoftë se dikush merr për grua bijën dhe nënën e saj, kemi një incest; do të digjen në zjarr si ai ashtu dhe ato, me qëllim që të mos ketë incest midis jush.

LEV 20:15 Në rast se një burrë bashkohet me një kafshë, ai do të dënohet me vdekje; do të vritet edhe kafsha.

LEV 20:16 Në rast se një grua i afrohet një kafshe për t'u bashkuar me të, do të vrasësh gruan dhe kafshën; do të dënohen pa tjetër me vdekje; gjaku i tyre do të bjerë mbi ta.

LEV 20:17 Në qoftë se dikush merr motrën e vet, bijën e atit të tij ose bijën e nënës së tij dhe sheh lakuriqësinë e saj dhe ajo sheh lakuriqësinë e tij, ky është një turp; të dy do të shfarosen në sytë e bijve të popullit të tyre; ai ka zbuluar lakuriqësinë e motrës së vet; do të mbajë dënimin e paudhësisë së tij.

LEV 20:18 Në rast se dikush bie në shtrat me një grua gjatë kohës së zakoneve të saj dhe zbulon lakuriqësinë e saj, ai ka zbuluar fluksin e saj dhe ajo ka zbuluar fluksin e gjakut të vet; që të dy do të shfarosen në mes të popullit të tyre.

LEV 20:19 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e motrës së nënës sate ose të motrës së atit tënd, sepse në këtë mënyrë zbulohet lakuriqësia e një të afërmi të një gjaku; që të dy do të mbajnë dënimin e paudhësisë së tyre.

LEV 20:20 Në qoftë se dikush bie në shtrat me gruan e ungjit të tij, ai zbulon lakuriqësinë e ungjit të tij; që të dy do të mbajnë dënimin për mëkatin e tyre; do të vdesin pa fëmijë.

LEV 20:21 Në qoftë se dikush merr gruan e vëllait të tij, kjo është një gjë e papastër; ai ka zbuluar lakuriqësinë e vëllait të tij; nuk do të kenë fëmijë.

LEV 20:22 Do të respektoni, pra, të gjitha statutet dhe dekretet e mia dhe do t'i vini në zbatim, me qëllim që vendi ku po ju çoj të banoni të mos ju vjellë jashtë.

LEV 20:23 Dhe nuk do të ndiqni zakonet e kombeve që unë po bëhem gati t'i përzë përpara jush; ata i kanë bërë tërë këto gjëra, prandaj unë i urrej.

LEV 20:24 Por juve ju thashë: Ju do të shtini në dorë vendin e tyre; do t'ju jap si pronë; është një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë. Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju ka ndarë nga popujt e tjerë.

LEV 20:25 Do të dalloni, pra, kafshët e pastra nga ato të papastra, zogjtë e pastër nga ata të papastër, dhe nuk do bëheni të neveritshëm duke ngrënë kafshë, zogj o çfarëdo gjë që hiqet zvarrë mbi tokë dhe që unë i kam veçuar për ju si të papastra.

LEV 20:26 Dhe do të jeni të shenjtë për mua, sepse unë, Zoti, jam i shenjtë, dhe ju kam ndarë nga popujt e tjerë me qëllim që të jeni të mitë.

LEV 20:27 Në qoftë se një burrë apo një grua është medium apo magjistar, ata do të dënohen pa tjetër me vdekje; do t'i vrisni me gurë; gjaku i tyre do të bjerë mbi ta".

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase