Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Leviticus 19

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27]

LEV 19:1 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

LEV 19:2 "Foli tërë asamblesë së bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Jini të shenjtë, sepse unë Zoti, Perëndia juaj, jam i shenjtë.

LEV 19:3 Secili prej jush të respektojë nënën dhe atin e tij, po kështu të respektojë të shtunat e mia. Unë jam Zoti Perëndia juaj.

LEV 19:4 Mos iu drejtoni idhujve dhe mos bëni perëndi me metal të shkrirë. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.

LEV 19:5 Kur t'i ofroni një flijim falënderimi Zotit, do ta ofroni në mënyrë që të pëlqehet.

LEV 19:6 Do të hahet po atë ditë që e ofroni dhe ditën vijuese; dhe në rast se mbetet diçka deri në ditën e tretë, do ta digjni me zjarr.

LEV 19:7 Në rast se hahet ndonjë pjesë e tij ditën e tretë është një gjë e neveritshme; flijimi nuk do të pëlqehet.

LEV 19:8 Prandaj kushdo që e ha do të rëndohet me fajin e paudhësisë së tij, sepse ka përdhosur atë që është e shenjtë për Zotin; ky njeri do të shfaroset në mes të popullit të tij.

LEV 19:9 Kur do të korrni tokat tuaja, nuk do të korrësh deri në cepat e arës sate dhe nuk do të mbledhësh kallinjtë që kanë mbetur pas korrjes sate;

LEV 19:10 dhe në vreshtin tënd nuk do të kthehesh prapë, as do të mbledhësh bistakët e mbetur nga vreshti yt; do t'i lësh për të varfrin dhe për të huajin. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.

LEV 19:11 Nuk do të vidhni, nuk do të gënjeni dhe nuk do të mashtroni njëri-tjetrin.

LEV 19:12 Nuk do të bëni betim të rremë në emrin tim, nuk do të përdhosni emrin e Perëndisë tuaj. Unë jam Zoti.

LEV 19:13 Nuk do të mundosh fqinjin tënd dhe as do ta vjedhësh; mëditjen e punëtorit mos e mbaj te ti deri në mëngjesin vijues.

LEV 19:14 Nuk do të mallkosh të shurdhërin dhe nuk do të vësh asnjë pengesë para të verbrit, por do të kesh frikë nga Perëndia yt. Unë jam Zoti.

LEV 19:15 Nuk do të bësh padrejtësi gjatë gjykimit; nuk do të tregohesh i anshëm me të varfërin as do të nderosh personat e fuqishëm; por do të gjykosh të afërmin tënd me drejtësi.

LEV 19:16 Nuk do të shkosh e të sillesh duke shpifur nëpër popullin tënd, as do të mbash qëndrim kundër jetës të të afërmit tënd. Unë jam Zoti.

LEV 19:17 Nuk do të urresh vëllanë tënd në zemrën tënde; qorto gjithashtu fqinjin tënd, por mos u ngarko me asnjë mëkat për shkak të tij.

LEV 19:18 Nuk do të hakmerresh dhe nuk do të mbash mëri kundër bijve të popullit tënd, por do ta duash të afërmin tënd si veten tënde. Unë jam Zoti.

LEV 19:19 Të respektoni statutet e mia. Nuk do të bashkosh kafshë të llojeve të ndryshme; nuk do të mbjellësh arën tënde me lloje të ndryshme farërash, nuk do të veshësh asnjë palë rroba të endura me materiale të ndryshme.

LEV 19:20 Në qoftë se dikush ka marrëdhënie seksuale me një grua që është skllave e premtuar një njeriu, por që nuk është shpenguar dhe nuk ka fituar lirinë, do të dënohen që të dy, por nuk do të dënohen me vdekje, sepse ajo nuk ishte e lirë.

LEV 19:21 Burri do t'i çojë Zotit, në hyrje të çadrës së mbledhjes, një dash si fli për shkeljen;

LEV 19:22 dhe me dashin e flijimit për shkeljen prifti do të bëjë për të shlyerjen përpara Zotit për mëkatin që ai ka kryer; dhe mëkati që ai ka kryer do t'i falet.

LEV 19:23 Kur të hyni në vendin tuaj dhe të keni mbjellë lloj-lloj drurësh frutorë, do t'i konsideroni frutat e tyre si të parrethprera; për tre vjet do të jenë për ju si të parrethprera; prandaj nuk duhet të hahen.

LEV 19:24 Por vitin e katërt të gjitha frutat e tyre do të jenë të shenjtëruara, do të jenë për lavdinë e Zotit.

LEV 19:25 Vitin e pestë do të hani frutat e tyre, me qëllim që prodhimi i tyre të mund të rritet. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.

LEV 19:26 Nuk do të hani asgjë që përmban gjak. Nuk do të zbatoni asnjë lloj shortarie ose magjie.

LEV 19:27 Nuk do t'i prisni rrumbullak flokët anëve të kokës, as do të shkurtosh fundin e mjekrës sate.

LEV 19:28 Nuk do të bëni asnjë prerje në mishin tuaj për një të vdekur, nuk do të bëni asnjë tatuazh mbi trupin tuaj. Unë jam Zoti.

LEV 19:29 Mos e ndot bijën tënde duke e bërë kurvë, që vendi të mos jepet pas kurvërisë dhe të mos mbushet me prapësi.

LEV 19:30 Të respektoni të shtunat e mia dhe do të keni respekt për shenjtëroren time. Unë jam Zoti.

LEV 19:31 Mos iu drejtoni mediumeve dhe magjistarëve; mos u konsultoni për të mos u ndotur me anë të tyre. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.

LEV 19:32 Çohu në këmbë para atij që ka kokën të zbardhur, nderoje plakun dhe ki frikë nga Perëndia yt. Unë jam Zoti.

LEV 19:33 Kur një i huaj banon bashkë me ju në vendin tuaj, mos e trajtoni keq.

LEV 19:34 Të huajin që banon midis jush ta trajtoni njëlloj si ai që ka lindur midis jush; ti do ta duash si veten tënde, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.

LEV 19:35 Nuk do të bëni padrejtësi në gjykime, përsa u përket masave të gjatësisë, të peshës dhe të kapacitetit.

LEV 19:36 Do të keni peshore të sakta, pesha të sakta, efa të saktë, hin të saktë. Unë jam Zoti, Perëndia juaj që ju nxori nga vendi i Egjiptit.

LEV 19:37 Do të respektoni, pra, të gjitha statutet dhe dekretet e mia dhe do t'i vini në zbatim. Unë jam Zoti.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase