Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Leviticus 25

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27]

LEV 25:1 Zoti i foli akoma Moisiut në malin Sinai, duke i thënë:

LEV 25:2 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur do të hyni në vendin që unë po ju jap, toka do të respektojë një të shtunë pushimi për Zotin.

LEV 25:3 Gjashtë vjet me radhë do të mbjellësh arën tënde, gjashtë vjet me radhë do të krasitësh vreshtin tënd dhe do të mbledhësh prodhimet;

LEV 25:4 por viti i shtatë do të jetë një e shtunë pushimi për tokën, një e shtunë për nder të Zotit; nuk do të mbjellësh as arën tënde, as do të krasitësh vreshtin tënd.

LEV 25:5 Nuk do të korrësh atë që rritet vetvetiu në prodhimin tënd dhe nuk do të vjelësh rrushin e vreshtit të pakrasitur; do të jetë një vit pushimi për tokën.

LEV 25:6 Atë që toka do të prodhojë gjatë pushimit të saj do të shërbejë si ushqim për ty, për shërbëtorin ose shërbëtoren, për punëtorin tënd dhe për të huajin, me një fjalë për ata që banojnë me ty,

LEV 25:7 për bagëtinë dhe kafshët që ndodhen në vendin tënd; tërë prodhimi i saj do të shërbejë si ushqim i tyre.

LEV 25:8 Gjithashtu do të llogaritësh për vete shtatë të shtuna vitesh: shtatë herë shtatë vjet; këto shtatë javë vitesh do të bëjnë për ty një periudhë prej dyzet e nëntë vjetësh.

LEV 25:9 Ditën e dhjetë të muajit të shtatë do t'i biesh burisë; ditën e shlyerjes do të bëni që të bjerë buria në të gjithë vendin.

LEV 25:10 Dhe do të shenjtëroni vitin e pesëdhjetë dhe do shpallni në vend lirinë për të gjithë banorët e tij. Do të jetë për ju një jubile; secili prej jush do të kthehet në pronën e vet dhe secili prej jush do të kthehet në familjen e vet.

LEV 25:11 Viti i pesëdhjetë do të jetë për ju një jubile; nuk do të mbillni dhe nuk do të korrni atë që rritet vetiu dhe nuk do të vilni vreshtat e pakrasitur.

LEV 25:12 Sepse është jubileu; ai do të jetë i shenjtë për ju; do të hani prodhimet që ju japin arat.

LEV 25:13 Në këtë vit të jubileut secili do të kthehet në pronën e vet.

LEV 25:14 Në rast se i shisni diçka fqinjit tuaj, ose blini diçka nga fqinji juaj, nuk do t'i bëni asnjë të padrejtë njëri tjetrit.

LEV 25:15 Do të blesh nga fqinji yt në bazë të numrit të viteve që kanë kaluar mbas jubileut, dhe ai do të të shesë në bazë të numrit të viteve të korrjes.

LEV 25:16 Sa më tepër vite mbeten, aq më tepër do ta ngresh çmimin; sa më pak vite mbeten, aq më shumë do ta ulësh çmimin; sepse ai të shet në bazë të numrit të korrjeve.

LEV 25:17 Asnjë nga ju të mos dëmtojë fqinjin e tij, por të keni frikë nga Perëndia juaj; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj.

LEV 25:18 Ju do të vini në zbatim statutet e mia, do të respektoni dekretet e mia dhe do t'i zbatoni; kështu do të banoni të sigurt në vendin tuaj.

LEV 25:19 Toka do të prodhojë frytet e saj dhe ju do t'i hani sa të ngopeni, dhe do të banoni të sigurt në të.

LEV 25:20 Por në rast se thoni: "Çfarë do të hamë vitin e shtatë, po nuk mbollëm dhe nuk korrëm prodhimet tona?".

LEV 25:21 Unë kam urdhëruar që bekimi im të vijë mbi ju vitin e gjashtë, dhe ai do t'ju japë një korrje që do të mjaftojë për tre vjet.

LEV 25:22 Kështu vitin e tetë do të mbillni dhe do të hani nga korrja e vjetër deri në vitin e nëntë; do të hani nga korrja e vjetër deri sa të vijë e reja.

LEV 25:23 Tokat nuk do të shiten për gjithnjë, sepse toka është imja; sepse ju jeni të huaj dhe qiramarrës tek unë.

LEV 25:24 Prandaj në të gjithë vendin që keni pronë do të jepni të drejtën e shpengimit të tokës.

LEV 25:25 Në qoftë se yt vëlla bëhet i varfër dhe shet një pjesë të pronës së tij, ai që ka të drejtën e shpengimit, i afërti i tij më i ngushtë, do të vijë dhe do të shpengojë atë që vëllai i tij ka shitur.

LEV 25:26 Dhe në qoftë se dikush nuk ka njeri që të mund ta shpengojë pronën e tij, por arrin të gjejë vetë shumën e nevojshme për shpengimin,

LEV 25:27 do të numërojë vitet që kaluan dhe do t'i japë blerësit shumën e viteve që mbeten akoma, dhe do të rifitojë kështu pronën e tij.

LEV 25:28 Por në qoftë se nuk është në gjëndje ta shpengojë pronën e tij, ajo që ka shitur do të mbetet në dorë të blerësit deri në vitin e jubileut; atë vit do të shpengohet dhe do të kthehet në zotërim të tij.

LEV 25:29 Në rast se dikush shet një shtëpi në një qytet të rrethuar me mure, ai ka të drejtë ta shpengojë gjatë një viti të tërë mbas shitjes se saj; e drejta e riblerjes zgjat një vit të tërë.

LEV 25:30 Por në qoftë se shtëpia që ndodhet në qytetin e rrethuar me mure nuk është riblerë para se të ketë kaluar një vit i tërë, ajo do të mbetet për gjithnjë pronë e blerësit dhe e trashëgimtarëve të tij; nuk do të shpengohet me rastin e jubileut.

LEV 25:31 Shtëpitë e fshatrave të parrethuara me mure do të konsiderohen përkundrazi si tokë bujqësore; mund të shpengohen dhe me rastin e jubileut do të jenë të shpenguara.

LEV 25:32 Përsa u përket qyteteve të Levitëve, Levitët do të mund të riblejnë gjithnjë shtëpitë e qyteteve që ishin pronë e tyre.

LEV 25:33 Në rast se pastaj dikush ble një shtëpi nga Levitët, shtëpia e shitur në qytet që është pronë e tyre do të shpengohet vitin e jubileut, sepse shtëpitë e qyteteve të Levitëve janë pronë e tyre, në mes të bijve të Izraelit.

LEV 25:34 Por tokat e kullotës të qyteteve të tyre nuk mund të shiten, sepse janë pronë e përjetshme e tyre.

LEV 25:35 Në rast se vëllai yt varfërohet dhe ndodhet ngushtë në mes tuaj, ti do ta përkrahësh si të huaj dhe si mik që të mund të jetojë pranë teje.

LEV 25:36 Mos nxirr nga ai asnjë përfitim ose dobi; por ki frikë nga Perëndia yt, dhe vëllai yt do të jetojë pranë teje.

LEV 25:37 Nuk do t'i japësh hua paratë e tua me kamatë, as do t'i japësh ushqimet e tua për të nxjerrë ndonjë përfitim.

LEV 25:38 Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit që t'ju jap vendin e Kanaanit dhe që të jem Perëndia juaj.

LEV 25:39 Në rast se vëllai yt që jeton pranë teje bëhet i varfër dhe shitet te ti, nuk do ta detyrosh të të shërbejë si skllav,

LEV 25:40 por do të rrijë pranë teje si argat dhe si mik; do të të shërbejë deri në vitin e jubileut.

LEV 25:41 Atëherë do të largohet prej teje, ai dhe bijtë e tij, dhe do të kthehet në familjen e tij; kështu do të rifitojë pronën e etërve të tij.

LEV 25:42 Sepse ata janë shërbëtorët e mi, që unë i kam nxjerrë nga vendi i Egjiptit; nuk duhet, pra, të shiten si shiten skllevërit.

LEV 25:43 Nuk do ta sundosh me ashpërsi, por të kesh frikë Perëndinë tënd.

LEV 25:44 Sa për skllavin dhe skllaven që mund të kesh, do t'i marrësh nga kombet që ju rrethojnë; prej tyre do të blini skllavin dhe skllaven.

LEV 25:45 Mund të blini gjithashtu skllevër ndër bijtë e të huajve që jetojnë midis jush dhe midis familjeve të tyre që gjenden midis jush dhe që kanë lindur në vendin tuaj; ata do të jenë pronë e juaj.

LEV 25:46 Dhe mund t'ua lini si trashëgim bijve tuaj pas jush, si pronë e tyre; mund t'i shfrytëzoni si skllevër për gjithnjë; por, sa për vëllezërit tuaj, bijtë e Izraelit, askush nuk do të sundojë mbi tjetrin me ashpërsi.

LEV 25:47 Në rast se një i huaj që jeton pranë teje pasurohet dhe vëllai yt që jeton pranë tij varfërohet, dhe i shitet të huajit ose mikut që ndodhet pranë teje, ose dikujt nga familja e të huajit,

LEV 25:48 pas shitjes së tij, mund të blihet përsëri; mund ta riblejë një nga vëllezërit e tij.

LEV 25:49 Mund ta riblejë ungji i tij ose biri i ungjit të tij; mund të riblihet nga një i afërt i po atij gjaku; ose po të ketë mjetet, mund të shpengohet vet.

LEV 25:50 Do të bëjë llogarinë me blerësin e tij, qysh prej vitit që iu shit atij deri në vitin e jubileut; dhe çmimi që do të paguhet do të llogaritet në bazë të numrit të viteve, duke i vlerësuar ditët e tij si ato të një argati.

LEV 25:51 Në qoftë se mbeten akoma shumë vjet, do ta paguajë shpengimin e tij në bazë të numrit të tyre dhe çmimit me të cilin qe blerë;

LEV 25:52 po të jetë se mbeten vetëm pak vite për të arritur në jubile, do ta bëjë llogarinë me blerësin e tij dhe do ta paguajë çmimin e shpengimit të tij në bazë të pak viteve që kanë mbetur.

LEV 25:53 Si argat le të mbetet bashkë me të zotin një vit pas tjetrit, por ky nuk do ta trajtojë me ashpërsi përpara syve të tua.

LEV 25:54 Dhe po nuk u shpengua me asnjë nga këto mënyra, do të lihet i lirë në vitin e jubileut, ai dhe bijtë e tij.

LEV 25:55 Sepse bijtë e Izraelit janë shërbëtorët e mi; janë shërbëtorët e mi, që i nxora nga vendi i Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase