Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Genesis 50

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40] [41] [42] [43] [44] [45] [46] [47] [48] [49] [50]

GEN 50:1 Atëherë Jozefi u hodh mbi fytyrën e të atit, qau mbi të dhe e puthi.

GEN 50:2 Pastaj Jozefi urdhëroi mjekët që ishin në shërbim të tij të balsamosnin të atin; dhe mjekët e balsamosën Izraelin.

GEN 50:3 U deshën dyzet ditë, sepse e tillë ishte koha e nevojshme për balsamimin; dhe Egjiptasit e qanë shtatëdhjetë ditë.

GEN 50:4 Kur kaluan ditët e zisë të mbajtura për të, Jozefi foli në shtëpinë e Faraonit duke thënë: "Në qoftë se kam gjetur hirin tuaj, i thoni Faraonit këto fjalë:

GEN 50:5 Ati im më ka vënë të betohem dhe më ka thënë: "Ja, unë jam duke vdekur; më varros në varrin që kam gërmuar në vendin e Kanaanit". Tani, pra, më lejo të ngjitem për të varrosur atin tim, pastaj do të kthehem".

GEN 50:6 Faraoni u përgjegj: "Ngjitu dhe varrose atin tënd ashtu si të ka vënë të betohesh".

GEN 50:7 Atëherë Jozefi u ngjit për të varrosur të atin; dhe me të u ngjitën tërë shërbëtorët e Faraonit, të moshuarit e shtëpisë së tij dhe tërë të moshuarit e vendit të Egjiptit,

GEN 50:8 dhe tërë shtëpia e Jozefit, vëllezërit e tij dhe shtëpia e të atit. Në vendin e Goshenit lanë vetëm fëmijët e tyre të vegjël, kopetë me bagëtinë e imët dhe me bagëtinë e trashë.

GEN 50:9 Me të u ngjitën lart gjithashtu qerre dhe kalorës, aq sa u formua një vargan i madh njerëzish.

GEN 50:10 Me të arritur në lëmin e Atadit, që është përtej Jordanit, u dëgjuan vajtime të mëdha dhe solemne; dhe Jozefi mbajti shtatë ditë zi për të atin.

GEN 50:11 Kur banorët e vendit, Kananejtë, panë zinë në lëmin e Atadit, thanë: "Kjo është një zi e madhe për Egjiptasit!". Prandaj ai vend u quajt Abel-Mitsraim dhe ndodhet përtej Jordanit.

GEN 50:12 Bijtë e tij bënë për të atë që ai i kishte urdhëruar.

GEN 50:13 Bijtë e tij e bartën në vendin e Kanaanit dhe e varrosën në shpellën e fushës së Malkpelahut, përballë Mamres, që Abrahami e kishte blerë bashkë me arën nga Efron Hiteu, si vendvarrim, pronë e tij.

GEN 50:14 Mbasi varrosi të atin, Jozefi u kthye në Egjipt bashkë me vëllezërit e tij dhe me të gjithë ata që ishin ngjitur deri atje për të varrosur atin e tij.

GEN 50:15 Vëllezërit e Jozefit kur panë se ati i tyre vdiq, thanë: "Mos vallë Jozefi na mban inat dhe merr hak për tërë të keqen që i kemi bërë?".

GEN 50:16 Atëherë i çuan fjalë Jozefit: "Ati yt para se të vdiste dha këtë porosi duke thënë:

GEN 50:17 "Kështu do t'i thoni Jozefit: "Falu vëllezërve të tu të keqen që të kanë bërë, mëkatin e tyre, sepse të kanë bërë keq". Falu, pra, tani krimin shërbëtorëve të Perëndisë të atit tënd". Jozefi qau kur i folën kështu.

GEN 50:18 Pastaj erdhën edhe vëllezërit e tij dhe u shtrinë para tij, dhe i thanë: "Ja, ne jemi shërbëtorët e tu".

GEN 50:19 Jozefi u tha atyre: "Mos u trembni, se mos jam unë në vend të Perëndisë?.

GEN 50:20 Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t'i shërbejë së mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë një popull të shumtë.

GEN 50:21 Tani, pra, mos kini frikë; unë do të siguroj ushqimin për ju dhe për bijtë tuaj". Kështu u dha zemër dhe i foli zemrës së tyre me ëmbëlsi.

GEN 50:22 Kështu Jozefi banoi në Egjipt, ai dhe shtëpia e të atit, dhe jetoi njëqind e dhjetë vjet.

GEN 50:23 Jozefi pa bijtë e Efraimit deri në brezninë e tretë; edhe bijtë e Makirit, bir i Manasit, lindën mbi gjunjët e tij.

GEN 50:24 Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Unë po vdes; por Perëndia do t'ju vizitojë me siguri dhe do t'ju çojë me siguri nga ky vend në vendin që i premtoi me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit".

GEN 50:25 Pastaj Jozefi i vuri të betohen bijtë e Izraelit, duke thënë: "Perëndia me siguri do t'ju vizitojë; atëherë ju do t'i hiqni kockat e mia që këtej".

GEN 50:26 Pastaj Jozefi vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç; e balsamosën dhe e futën në një arkivol në Egjipt.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase