Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Genesis 23

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40] [41] [42] [43] [44] [45] [46] [47] [48] [49] [50]

GEN 23:1 Sara jetoi njëqind e njëzet e shtatë vjet. Këto qenë vitet e jetës së Sarës.

GEN 23:2 Dhe Sara vdiq në Kirjath-Arba (që është Hebroni), në vendin e Kanaanëve, dhe Abrahami hyri aty për të mbajtur zi për të dhe për ta vajtuar.

GEN 23:3 Pastaj Abrahami u ngrit më këmbë në prani të së vdekurës dhe u foli bijve të Hethit, duke u thënë:

GEN 23:4 "Unë jam një i huaj midis jush dhe i ardhur midis jush; më jepni pronësinë e një varri midis jush, që të mund të varros të vdekurën time dhe ta heq nga sytë e mi".

GEN 23:5 Dhe bijtë e Hethit iu përgjigjën Abrahamit duke i thënë:

GEN 23:6 "Dëgjona, o zoti im! Ti je midis nesh një princ i Perëndisë, varrose të vdekurën tënde në më të mirën nga varrezat tona, asnjeri prej nesh s'do të refuzojë varrin e tij, me qëllim që ti të varrosësh aty të vdekurën tënde".

GEN 23:7 Atëherë Abrahami u ngrit, u përul para popullit të vendit, para bijve të Hethit,

GEN 23:8 dhe u foli atyre duke thënë: "Në rast se ju pëlqen që unë ta varros të vdekurën time duke e hequr nga sytë e mi, dëgjomëni. Ndërhyni për mua tek Efroni, bir i Zoharit,

GEN 23:9 që të më japë shpellën e Makpelahut, që i përket dhe që ndodhet në skajin e arës së tij; por që të më japë në pronësi me çmimin e tij të plotë si vend varrimi midis jush".

GEN 23:10 Tani Efroni ndodhej në mes të bijve të Hethit; dhe Efroni, Hiteu, iu përgjegj Abrahamit në prani të bijve të Hethit, të të gjithë atyreve që hynin nëpër portën e qytetit të tij, duke thënë:

GEN 23:11 "Jo, zoti im, dëgjomë! Unë të fal arën dhe shpellën që ndodhet aty; po ta dhuroj në prani të bijve të popullit tim; po ta bëj dhuratë. Varrose të vdekurën tënde".

GEN 23:12 Atëherë Abrahami u përkul para popullit të vendit,

GEN 23:13 dhe i foli Efronit në prani të popullit të vendit duke thënë: "Dëgjomë, të lutem! Unë do të jap çmimin e arës, pranoje nga unë, kështu unë do të mund të varros aty të vdekurën time".

GEN 23:14 Efroni iu përgjegj Abrahamit, duke i thënë:

GEN 23:15 "Zoti im, dëgjomë! Toka vlen katërqind monedha argjendi. Ç'është kjo midis meje dhe teje? Varrose, pra, të vdekurën tënde".

GEN 23:16 Atëherë Abrahami zbatoi fjalën e Efronit; dhe Abrahami i peshoi Efronit çmimin që i kishte thënë në prani të bijve të Hethit: katërqind monedha argjendi, monedha që tregtarët përdornin midis tyre zakonisht.

GEN 23:17 Kështu ara e Efronit që gjendej në Malkpelah përballë Mamres, ara me shpellën që ishte aty dhe tërë drurët që ishin në arë dhe në të gjithë kufijtë përqark,

GEN 23:18 kaluan në pronësi të Abrahamit, në prani të bijve të Hethit dhe të të gjithë atyre që hynin nga porta e qytetit të Efronit.

GEN 23:19 Pas kësaj, Abrahami varrosi Sarën, gruan e tij, në shpellën e arës së Makpelahut përballë Mamres (që është Hebroni) në vendin e Kanaanëve.

GEN 23:20 Kështu ara dhe shpella që gjendet aty u kaluan nga bijtë e Hethit në pronë të Abrahamit, si vend varrimi.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase