Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Genesis 34

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40] [41] [42] [43] [44] [45] [46] [47] [48] [49] [50]

GEN 34:1 Por Dina, vajza që Lea i kishte lindur Jakobit, doli për të parë bijat e vendit.

GEN 34:2 Dhe Sikemi, biri i Hamorit Hiveut, princi i vendit, sa e pa e rrëmbeu, ra në shtrat me të dhe e dhunoi.

GEN 34:3 Dhe shpirti i tij u lidh me Dinën, të bijën e Jakobit; ai e dashuroi vajzën dhe i foli zemrës së saj.

GEN 34:4 Pastaj i tha të atit Hamor: "Ma jep këtë vajzë për grua".

GEN 34:5 Por Jakobi dëgjoi që ai e kishte çnderuar bijën e tij Dina; por bijtë e tij ishin nëpër fushat me bagëtinë e tij, dhe Jakobi heshti deri sa u kthyen.

GEN 34:6 Atëherë Hamori, ati i Sikemit, shkoi tek Jakobi për t'i folur.

GEN 34:7 Sapo dëgjuan për atë që kishte ndodhur, bijtë e Jakobit u kthyen nga fushat; ata ishin të hidhëruar dhe shumë të zemëruar, sepse ai kishte kryer një veprim të turpshëm në Izrael, duke rënë në shtrat me të bijën e Jakobit, gjë që nuk duhej bërë.

GEN 34:8 Por Hamori u foli atyre duke thënë: "Shpirti i tim biri Sikem është lidhur me bijën tuaj, prandaj jepjani për grua;

GEN 34:9 të bëjmë krushqi bashkë: na jepni bijat tuaja dhe merrni bijat tona.

GEN 34:10 Kështu ju do të banoni me ne dhe vendi do të jetë në dispozicionin tuaj; banoni në të, bëni tregëti dhe blini prona".

GEN 34:11 Pastaj Sikemi u tha të atit dhe të vëllezërve të Dinës: "Bëni që unë të gjej hir në sytë tuaj dhe do t'ju jap çfarëdo gjë që do të më kërkoni.

GEN 34:12 Më caktoni madje një pajë të madhe dhe një dhuratë, dhe unë do t'ju jap sa të kërkoni, por ma jepni vajzën për grua".

GEN 34:13 Atëherë bijtë e Jakobit iu përgjegjën Sikemit dhe Hamorit, të atit, dhe u folën atyre me dredhi, sepse Sikemi kishte çnderuar motrën e tyre Dina,

GEN 34:14 dhe u thanë atyre: "Nuk mund ta bëjmë këtë gjë, domethënë ta japim motrën tonë një njeriu të parrethprerë, sepse kjo do të ishte një turp për ne.

GEN 34:15 Vetëm me këtë kusht do ta pranojmë kërkesën tuaj, domethënë po të jetë se bëheni si ne, duke rrethprerë çdo mashkull nga ju.

GEN 34:16 Atëherë ne do t'ju japim bijat tona dhe do të marrim bijat tuaja, do të banojmë bashkë me ju dhe do të bëhemi një popull i vetëm.

GEN 34:17 Por në qoftë se nuk doni të na dëgjoni dhe nuk dëshironi të rrethpriteni, ne do të marrim bijën tonë dhe do të ikim".

GEN 34:18 Fjalët e tyre i pëlqyen Hamorit dhe Sikemit, birit të Hamorit.

GEN 34:19 Dhe i riu nuk vonoi ta kryejë atë gjë, sepse e donte të bijën e Jakobit dhe ishte njeriu më i nderuar në tërë shtëpinë e të atit.

GEN 34:20 Hamori dhe Sikemi, bir i tij, erdhën në portat e qytetit të tyre dhe u folën njerëzve të qytetit të tyre, duke thënë:

GEN 34:21 "Këta njerëz dëshirojnë të jetojnë në paqe me ne; le të rrinë në vendin tonë dhe të merren me tregti, sepse vendi është mjaft i madh edhe për ata. Ne do të marrim bijat e tyre për gra dhe do t'ju japim bijat tona.

GEN 34:22 Por këta njerëz do të pranojnë të banojnë me ne për të formuar një popull të vetëm, me të vetmin kusht që çdo mashkull te ne të rrethpritet, ashtu si rrethpriten ata.

GEN 34:23 Bagëtia e tyre, pasuria e tyre dhe kafshët e tyre a nuk do të bëhen ndofta një ditë tonat? Le të pranojmë kërkesën e tyre dhe ata do të banojnë bashkë me ne".

GEN 34:24 Dhe të gjithë ata që dilnin nga portat e qytetit dëgjuan fjalët e Hamorit dhe të birit të tij Sikem; dhe çdo mashkull u rrethpre, tërë ata dilnin nga porta e qytetit.

GEN 34:25 Por ndodhi që ditën e tretë, ndërsa ata vuanin, dy nga bijtë e Jakobit, Simeoni dhe Levi, vëllezër të Dinës, morën secili shpatën e vet, u vërsulën mbi qytetin që rrinte në siguri dhe vranë tërë meshkujt.

GEN 34:26 Vranë me shpatë edhe Hamorin dhe birin e tij Sikem, pastaj muarrën Dinën nga shtëpia e Sikemit dhe ikën.

GEN 34:27 Bijtë e Jakobit u vërsulën mbi të vrarët dhe plaçkitën qytetin; sepse motrën e tyre e kishin çnderuar.

GEN 34:28 Kështu ata morën kopetë me bagëti të imët dhe të trashë, gomarët e tyre, gjithçka që ishte në qytet dhe gjithçka që ishte nëpër fushat,

GEN 34:29 dhe morën me vete si plaçkë tërë pasuritë e tyre, tërë fëmijët e tyre të vegjël, gratë e tyre dhe gjithçka ndodhej në shtëpitë.

GEN 34:30 Atëherë Jakobi i tha Simeonit dhe Levit: "Ju më keni futur në telashe duke më bërë të urryer nga banorët e vendit, Kanaanët dhe Perezejtë. Me qenë se ne jemi pakicë, ata do të grumbullohen kundër meje dhe do të më sulmojnë, dhe unë ashtu si shtëpia ime do të shfarosemi".

GEN 34:31 Por ata u përgjigjën: "A duhet ta trajtonte ai motrën tonë si një prostitutë?".

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase