Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Genesis 30

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40] [41] [42] [43] [44] [45] [46] [47] [48] [49] [50]

GEN 30:1 Kur Rakela pa që nuk po i bënte fëmijë Jakobit, u bë ziliqare e motrës së saj dhe i tha Jakobit: "Më bëj me fëmijë përndryshe unë po vdes".

GEN 30:2 Jakobi u mbush tërë inat kundër Rakelës dhe i tha: "Se mos jam unë në vend të Perëndisë që nuk të lejon të kesh fëmijë?".

GEN 30:3 Ajo u përgjegj: "Ja shërbyesja ime Bilhah; hyr tek ajo, që ajo të lindë mbi gjunjët e mi; kështu nëpërmjet saj do të mund të bëhem me fëmijë".

GEN 30:4 Kështu ajo i dha për grua shërbyesen e vetë Bilhah dhe Jakobi hyri tek ajo.

GEN 30:5 Dhe Bilhah u ngjiz dhe i dha një bir Jakobit.

GEN 30:6 Atëherë Rakela tha: "Perëndia më dha të drejtë; ai dëgjoi gjithashtu zërin tim dhe më dha një bir". Prandaj i vuri emrin Dan.

GEN 30:7 Pastaj Bilhah, shërbyesja e Rakelës, u ngjiz përsëri dhe i lindi një bir të dytë Jakobit.

GEN 30:8 Atëherë Rakela tha: "Kam luftuar shumë me motrën time dhe kam dalë fitimtare". Prandaj e quajti djalin Neftali.

GEN 30:9 Por Lea, duke parë që nuk po bënte më fëmijë, mori shërbyesen e saj Zilpah dhe ia dha për grua Jakobit

GEN 30:10 Kështu Zilpah, shërbyesja e Leas, i lindi një bir Jakobit.

GEN 30:11 dhe Lea tha: "Ç'fat!". Dhe i vuri emrin Gad.

GEN 30:12 Pastaj Zilpah, shërbëtore e Leas, i lindi Jakobit një bir të dytë.

GEN 30:13 Dhe Lea tha: "Sa e lumtur jam! Sepse gratë do të më quajnë të lumtur". Prandaj i vuri emrin Asher.

GEN 30:14 Në kohën e korrjes së grurit, Rubeni doli dhe gjeti në fushat mandragora dhe ia çoi nënës së tij, Leas. Atëherë Rakela i tha Leas: "Më jep edhe mua ca mandragora të birit tënd!".

GEN 30:15 Ajo iu përgjegj: "Të duket gjë e vogël që më more burrin, dhe tani kërkon të marrësh edhe mandragorat e djalit tim?". Rakela tha: "Mirë, pra, si shpërblim për mandragorat e birit tënd, sonte ai do të bjerë në shtrat me ty".

GEN 30:16 Kur në mbrëmje Jakobi u kthye nga arat, Lea doli ta takojë dhe i tha: "Duhet të hysh tek unë, se të kam shtënë në dorë me mandragorat e birit tim". Kështu, atë natë, ai ra në shtrat me të.

GEN 30:17 Kështu Perëndia ia plotësoi dëshirën Leas, e cila u ngjiz dhe i lindi Jakobit birin e pestë.

GEN 30:18 Dhe ajo tha: "Perëndia më dha shpërblimin që më takonte, sepse i dhashë shërbyesen time burrit tim". Dhe e quajti Isakar.

GEN 30:19 Pastaj Lea u ngjiz përsëri dhe i dha Jakobit një bir të gjashtë.

GEN 30:20 Atëherë Lea tha: "Perëndia më ka dhënë një dhunti të mirë; këtë radhë burri im do të banojë me mua, sepse i kam lindur gjashtë bij". Dhe i vuri emrin Zabulon.

GEN 30:21 Pastaj lindi një bijë dhe e quajti Dina.

GEN 30:22 Perëndia u kujtua edhe për Rakelën; dhe Perëndia ia plotësoi dëshirën dhe e bëri të frytshme;

GEN 30:23 kështu ajo u ngjiz dhe lindi një djalë, dhe tha: "Perëndia e hoqi turpin tim".

GEN 30:24 Dhe e quajti Jozef, duke thënë: "Zoti më shtoftë një bir tjetër".

GEN 30:25 Mbas lindjes së Jozefit nga Rakela, Jakobi i tha Labanos: "Më lejo të iki, që të shkoj në shtëpinë time, në vendin tim.

GEN 30:26 Më jep gratë e mia dhe bijtë e mi, për të cilët të kam shërbyer dhe lermë të iki, mbasi ti e njeh mirë shërbimin që të kam bërë".

GEN 30:27 Por Labano i tha: "Në rast se kam gjetur hir në sytë e tu, qëndro, sepse kam prekur me dorë që Zoti më ka bekuar për shkakun tënd".

GEN 30:28 Pastaj tha: "Ma cakto pagesën tënde dhe unë do të ta jap".

GEN 30:29 Jakobi iu përgjegj: "Ti e di si të kam shërbyer, dhe çfarë i ka ndodhur bagëtisë sate në duart e mia.

GEN 30:30 Sepse ajo që ti kishe para se të vija unë ishte pak, por tani është rritur shumë; dhe Zoti të ka bekuar kudo që kam qënë unë. Por tani kur do të punoj edhe për shtëpinë time?".

GEN 30:31 Labano tha: "Sa duhet të të jap?". Jakobi iu përgjigj: "Nuk duhet të më japësh asgjë; në qoftë se ti do të bësh atë që po të them, do të mbetem këtu për të kullotur kopetë e tua dhe për t'u kujdesur për to.

GEN 30:32 Do të kaloj ditën e sotme në mes tërë kopeve të tua dhe do të veçoj të gjitha kafshët laramane dhe pikalarme, të gjithë qingjat e zinj dhe të gjitha dhitë lara-lara ose pika-pika. Dhe këto kafshë do të jenë pagesa ime.

GEN 30:33 Kështu tani e tutje ndershmëria ime do të përgjigjet para teje për personin tim, kur do të vish të kontrollosh pagesën time; çdo bagëti që nuk është laramane a me pika midis dhive dhe çdo qengj jo i zi do të konsiderohet i vjedhur po të gjindet pranë meje".

GEN 30:34 Labano tha: "Mirë, le të bëhet ashtu si thua ti!".

GEN 30:35 dhe po atë ditë veçoi cjeptë vija-vija dhe me pika dhe të gjitha dhitë laramane dhe pika pika, çdo bagëti që kishte një njollë të bardhë apo çdo dele e zezë midis dhenve, dhe ua la bijve të vet.

GEN 30:36 Dhe Labano vendosi një distancë prej tri ditësh me këmbë midis vetes së tij dhe Jakobit; dhe Jakobi kulloste pjesën që mbeti nga kopetë e Labanos.

GEN 30:37 Dhe Jakobi mori disa purteka të njoma plepi, bajameje dhe rrapi; u bëri disa zhvoshkje, duke zbuluar të bardhën e purtekave.

GEN 30:38 Pastaj i vendosi purtekat që kishte zhvoshkur që të shikoheshin nga dhentë në koritë, domethënë në vendet ku kopetë vinin për të pirë ujë; dhe kafshët vinin në afsh kur vinin për të pirë.

GEN 30:39 Kështu kafshët vinin në afsh përpara purtekave dhe pillnin qengja vija-vija, lara-lara dhe pika pika.

GEN 30:40 Pastaj Jakobi i veçonte këta qengja dhe bënte që kopetë t'i kthenin sytë nga kafshët vija-vija dhe nga tërë ato të zeza në kopenë e Labanos. Ai formoi kështu kope të veçanta, që nuk i bashkoi me kopetë e Labanos.

GEN 30:41 Por ndodhte që sa herë kafshët e fuqishme të kopesë vinin në afsh, Jakobi i vinte purtekat në koritë para deleve, në mënyrë që këto të hynin në afsh afër purtekave;

GEN 30:42 Por kur kafshët e kopesë ishin të dobëta, nuk i vinte ato; kështu që qengjat e dobëta ishin të Labanos dhe ata të shëndoshë të Jakobit.

GEN 30:43 Kështu ai u bë shumë i pasur dhe pati një numër të madh kopesh, shërbëtoresh, shërbëtorësh, devesh dhe gomarësh.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase