MT 23:1 Atëherë Jezusi u foli turmave dhe dishepujve të vet,
MT 23:2 duke thënë: ''Skribët dhe farisenjtë ulen mbi katedrën e Moisiut.
MT 23:3 Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t'ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë.
MT 23:4 Por lidhin barrë të rënda që barten me vështirësi, dhe ua vënë mbi kurrizin e njerëzve; Por ata nuk duan të luajnë vetë as me gisht.
MT 23:5 Por të gjitha veprat e tyre i bëjnë për t'u dukur nga njerëzit; i zgjërojnë filateritë e tyre dhe i zgjatin thekët e rrobave të tyre.
MT 23:6 Duan kryet e vendit në gostira dhe vendet e para në sinagoga,
MT 23:7 si edhe përshëndetjet në sheshe dhe të quhen rabbi, rabbi nga njerëzit.
MT 23:8 Por ju mos lejoni që t'ju quajnë rabbi, sepse vetëm një është mësuesi juaj: Krishti, dhe ju të gjithë jeni vëllezër.
MT 23:9 Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej.
MT 23:10 As mos lejoni që t'ju quajnë udhëheqës, sepse vetëm një është udhëheqësi juaj: Krishti.
MT 23:11 Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj.
MT 23:12 Sepse kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet.
MT 23:13 Por mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse mbyllni mbretërinë e qiejve para njerëzve; sepse as ju nuk hyni, as nuk i lini të hyjnë ata që janë për të hyrë.
MT 23:14 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse gllabëroni shtëpitë e të vejave dhe për sy e faqe bëni lutje të gjata; për këtë arsye ju do të pësoni një dënim më të rreptë.
MT 23:15 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse përshkoni detin dhe dheun për të bërë prozelitë, dhe kur ndokush bëhet i tillë, e bëni bir të Gehenas dhe dy herë më të keq se ju!
MT 23:16 Mjerë ju, udhëheqës të verbër, që thoni: "Në qoftë se dikush betohet për tempullin, kjo s'është gjë; por në qoftë se betohet për arin e tempullit, është i detyruar".
MT 23:17 Të marrë dhe të verbër! Sepse cili është më i madh: ari apo tempulli që e shenjtëron arin?
MT 23:18 Dhe në qoftë se dikush betohet për altarin, s'është gjë; por ne qoftë se betohet për ofertën që është mbi të, është i detyruar".
MT 23:19 Të marrë dhe të verbër! Sepse cila është më e madhe, oferta apo altari që e shenjtëron ofertën?
MT 23:20 Ai, pra, që betohet për altarin, betohet për të dhe për çdo gjë që është përmbi të!
MT 23:21 Ai që betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon atje.
MT 23:22 Dhe ai që betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që është ulur mbi të.
MT 23:23 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ju llogaritni të dhjetën e mëndrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin; këto gjëra duhet t'i praktikoni pa i lënë pas dore të tjerat.
MT 23:24 Udhëheqës të verbër, që sitni mushkonjën dhe kapërdini devenë!
MT 23:25 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse pastroni anën e jashtme të kupës dhe të pjatës, ndërsa përbrenda janë plot me grabitje dhe teprime.
MT 23:26 Farise i verbër! Pastro më parë përbrenda kupën dhe pjatën, që edhe përjashta të jetë e pastër.
MT 23:27 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse u ngjani varreve të zbardhuara (me gëlqere), që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish.
MT 23:28 Kështu edhe ju nga jashtë u paraqiteni njerëzve si të drejtë; por përbrenda jeni plot hipokrizi dhe paudhësi.
MT 23:29 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ndërtoni varrezat e profetëve dhe zbukuroni monumentet e të drejtëve,
MT 23:30 dhe thoni: "Po të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve".
MT 23:31 Duke folur kështu, ju dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bijtë e atyre që vranë profetët.
MT 23:32 Ju e kaloni masën e etërve tuaj!
MT 23:33 O gjarpërinj, o pjellë nëpërkash! Si do t'i shpëtoni gjykimit të Gehenas?
MT 23:34 Prandaj, ja unë po ju dërgoj profetë, dijetarë dhe skribë; ju disa prej tyre do t'i vritni dhe do t'i kryqëzoni, disa të tjerë do t'i fshikulloni në sinagogat tuaja dhe do t'i persekutoni nga një qytet në tjetrin,
MT 23:35 që të bjerë mbi ju gjithë gjaku i drejtë i derdhur mbi dhe, nga gjaku i të drejtit Abel, deri te gjaku i Zaharias, birit të Barakias, që ju e vratë ndërmjet tempullit dhe altarit.
MT 23:36 Në të vërtetë po ju them se të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brez.
MT 23:37 Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t'i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët!
MT 23:38 Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë.
MT 23:39 Sepse unë po ju them, se tash e tutje nuk do të më shihni më deri sa të thoni: "I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!"''.
Created with HTMLCompiler by BibleDatabase