Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Matthew 14

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28]

MT 14:1 Në atë kohë Herodi, tetrarku, mori vesh famën e Jezusit,

MT 14:2 dhe u tha shërbëtorëve të vet: ''Ky është Gjon Pagëzori; ai u ngjall së vdekuri dhe prandaj fuqitë e mbinatyrshme veprojnë në të''.

MT 14:3 Herodi, në fakt, e kishte arrestuar Gjonin, i kishte hedhur prangat dhe e kishte futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet.

MT 14:4 Sepse Gjoni i thoshte: ''Nuk është e lejueshme të bashkëjetosh me të!''.

MT 14:5 Dhe, ndonëse donte ta vriste, Herodi kishte frikë nga populli që e konsideronte Gjonin profet.

MT 14:6 Kur po festohej ditëlindja e Herodit, e bija e Herodiadës vallëzoi përpara tij dhe i pëlqeu Herodit

MT 14:7 aq shumë, sa ai i premtoi asaj me betim se do t'i jepte çfarëdo që t'i kërkonte.

MT 14:8 Dhe ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: ''Ma jep këtu, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit''.

MT 14:9 Mbretit i erdhi keq, po për shkak të betimit dhe të ftuarve që ishin me të në tryezë, urdhëroi që t'ia japin.

MT 14:10 Kështu dërgoi dikë për t'i prerë kokën Gjon Pagëzorit në burg;

MT 14:11 dhe kokën e tij e prunë mbi një pjatë dhe ia dhanë vajzës; ajo ia çoi s'ëmës.

MT 14:12 Pastaj erdhën dishepujt e tij, e morën trupin dhe e varrosën, mandej ata shkuan dhe ia treguan ngjarjen Jezusit.

MT 14:13 Kur Jezusi i dëgjoi këto, u nis që andej me një barkë dhe u tërhoq në vetmi, në një vend të shkretë. Dhe turmat, kur e morën vesh, e ndiqnin në këmbë nga qytetet.

MT 14:14 Dhe Jezusi, kur doli nga barka, pa një turmë të madhe, pati dhembshuri për të dhe shëroi ata që ishin të sëmurë.

MT 14:15 Pastaj në mbrëmje dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: ''Ky vend është i shkretë dhe u bë vonë; lejo turmat të shkojnë nëpër fshatra për të blerë ushqime''.

MT 14:16 Por Jezusi u tha atyre: ''Nuk është nevoja të shkojnë; u jepni juve të hanë''.

MT 14:17 Dhe ata i thanë: ''Ne këtu nuk kemi tjetër përveç pesë bukë dhe dy peshq''.

MT 14:18 Dhe ai u tha: ''M'i sillni këtu''.

MT 14:19 Atëherë i urdhëroi që turmat të ulen mbi bar; pastaj i mori pesë bukët dhe dy peshqit dhe, pasi i çoi sytë drejt qiellit, i bekoi; i ndau bukët dhe ua dha dishepujve, dhe dishepujt turmave.

MT 14:20 Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; pastaj dishepujt mblodhën tepricat në dymbëdhjetë kosha plot.

MT 14:21 Dhe ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët.

MT 14:22 Fill pas kësaj Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t'i prijnë në bregun tjetër, deri sa ai t'i lëshojë turmat.

MT 14:23 Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t'u lutur. Dhe kur u ngrys ai gjëndej aty, i vetëm fare.

MT 14:24 Ndërkaq barka ndodhej në mes të detit; dhe përplasej nga valët sepse era i ishte e kundërt.

MT 14:25 Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.

MT 14:26 Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe thanë: ''Éshtë një fantazmë!''. Dhe filluan të bërtasin nga frika;

MT 14:27 por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: ''Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!''.

MT 14:28 Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: ''Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra''.

MT 14:29 Ai tha: ''Eja!''. Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi.

MT 14:30 Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: ''O Zot, shpëtomë!''.

MT 14:31 Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: ''O njeri besimpak, pse dyshove?''.

MT 14:32 Pastaj, kur hynë në barkë, era pushoi.

MT 14:33 Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: ''Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!''.

MT 14:34 Pastaj, mbasi dolën në bregun tjetër, erdhën në krahinën e Gjenezaretit.

MT 14:35 Dhe njerëzit e atij vendi, sapo e njohën, e përhapën fjalën në gjithë krahinën përreth; dhe i sollën të gjithë të sëmurët;

MT 14:36 dhe iu lutën që të mund t'i preknin të paktën cepin e rrobes së tij; dhe të gjithë ata që e prekën u shëruan plotësisht.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase