Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Matthew 4

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28]

MT 4:1 Atëherë Fryma e çoi Jezusin në shkretëtirë, që djalli ta tundonte.

MT 4:2 Dhe, mbasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund e mori uria.

MT 4:3 Atëherë tunduesi, pasi iu afrua, i tha: ''Në qoftë se je Biri i Perëndisë, thuaj që këta gurë të bëhen bukë''.

MT 4:4 Por ai, duke iu përgjigjur, tha: ''Éshtë shkruar: "Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë"''.

MT 4:5 Atëherë djalli e çoi në qytetin e shenjtë dhe e vendosi në majë të tempullit

MT 4:6 dhe i tha: ''Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: "Ai do t'u japë urdhër engjëjve të tij për ty; edhe ata do të mbajnë mbi duart e tyre që të mos ndeshësh me këmbën tënde ndonjë gur"''.

MT 4:7 Jezusi i tha: ''Éshtë shkruar gjithashtu: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd"''.

MT 4:8 Djalli e çoi sërish mbi një mal shumë të lartë dhe i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre,

MT 4:9 dhe i tha: ''Unë do të t'i jap të gjitha këto, nëse ti bie përmbys para meje dhe më adhuron''.

MT 4:10 Atëherë Jezusi i tha: ''Shporru, Satan, sepse është shkruar: "Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij"''.

MT 4:11 Atëherë djalli e la; dhe ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.

MT 4:12 Jezusi, mbasi dëgjoi se Gjonin e kishin futur në burg, u tërhoq në Galile.

MT 4:13 Pastaj la Nazaretin dhe shkoi të banojë në Kapernaum, qytet bregdetar, në kufijtë të Zabulonit dhe të Neftalit,

MT 4:14 që të përmbushej ç'ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia kur tha:

MT 4:15 ''Toka e Zabulonit, toka e Neftalit, mbi bregun e detit, krahina përtej Jordanit, Galileja e paganëve,

MT 4:16 populli që dergjej në errësirë ka parë një dritë të madhe, dhe përmbi ata që dergjeshin në krahinë dhe në hijen e vdekjes, doli drita''.

MT 4:17 Që nga ajo kohë Jezusi filloi të predikojë dhe të thotë: ''Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!''.

MT 4:18 Duke ecur gjatë bregut të detit të Galilesë, Jezusi pa dy vëllezër: Simonin, të quajtur Pjetër, dhe Andrean, të vëllanë, të cilët po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë;

MT 4:19 dhe u tha atyre: ''Ndiqmëni dhe unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish''.

MT 4:20 Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.

MT 4:21 Dhe, duke vazhduar rrugën, pa dy vëllezër të tjerë: Jakobin, birin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, në barkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke ndrequr rrjetat; dhe i thirri.

MT 4:22 Dhe ata lanë menjëherë barkën dhe atin e tyre dhe i shkuan pas.

MT 4:23 Jezusi shkonte kudo nëpër Galile, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje dhe çdo lëngatë në popull.

MT 4:24 Dhe fama e tij u përhap në gjithë Sirinë; dhe i sillnin të gjithë të sëmurët që vuanin nga lëngata dhe dhimbje të ndryshme, të demonizuar, epileptikë dhe paralitikë; dhe ai i shëronte.

MT 4:25 Dhe një mori e madhe njerëzish i shkonte pas, nga Galileja, nga Dekapoli, nga Jeruzalemi, nga Judeja dhe nga përtej Jordanit.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase