Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Acts 24

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28]

ACTS 24:1 Por pas pesë ditësh erdhi kryeprifti Anania bashkë me pleqtë dhe me një gojtar, një farë Tertuli; ata dolën përpara qeveritarit për të akuzuar Palin.

ACTS 24:2 Kur u thirr Pali, Tertuli filloi ta akuzojë duke thënë:

ACTS 24:3 ''Fort i shkëlqyeri Feliks, ne e pranojmë në gjithçka e për gjithçka dhe me mirënjohje të thellë se paqja të cilën gëzojmë dhe reformat dobiprurëse që janë zbatuar për këtë komb janë vepër e masave të tua largpamëse.

ACTS 24:4 Por, për të mos të shqetësuar më gjatë, të lutem me mirësinë tënde, të na dëgjosh shkurtimisht.

ACTS 24:5 Ne kemi gjetur se ky njeri është një murtajë dhe shkakton trazira midis gjithë Judenjve që janë në botë dhe është kryetari i sektit të Nazarenasve.

ACTS 24:6 Ai, madje, u përpoq të përdhosë tempullin; dhe ne e zumë dhe deshëm ta gjykonim sipas ligjit tonë.

ACTS 24:7 Por erdhi tribuni Lisia dhe e mori me forcë nga duart tona,

ACTS 24:8 duke i urdhëruar paditësit e tij të vijnë tek ti; duke e hetuar atë, do të mundësh ti vetë të marrësh vesh prej tij të vërtetën e të gjitha gjërave, për të cilat ne e akuzojmë''.

ACTS 24:9 Edhe Judenjtë u bashkuan, duke pohuar se kështu qëndronin gjërat.

ACTS 24:10 Atëherë Pali, mbasi qeveritari i bëri shenjë të flasë, u përgjigj: ''Duke ditur se prej shumë vjetësh ti je gjykatësi i këtij kombi, flas edhe më me guxim në mbrojtje të vetes.

ACTS 24:11 Jo më shumë se dymbëdhjetë ditë më parë, siç mund ta verifikosh, unë u ngjita në Jeruzalem për të adhuruar.

ACTS 24:12 Dhe këta nuk më gjetën në tempull duke u grindur me ndonjë, ose duke nxitur turmën as në sinagogat as edhe nëpër qytet;

ACTS 24:13 dhe as mund të provojnë gjërat për të cilat tani më akuzojnë.

ACTS 24:14 Por unë po të rrëfej këtë: sipas Udhës që ata e quajnë sekt, unë i shërbej kështu Perëndisë së etërve, duke u besuar të gjitha gjërave që janë shkruar në ligjin dhe në profetët,

ACTS 24:15 duke pasur shpresë në Perëndinë, të cilën edhe këta e kanë, se do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve.

ACTS 24:16 Prandaj unë përpiqem të kem vazhdimisht një ndërgjegje të paqortueshme përpara Perëndisë dhe përpara njerëzve.

ACTS 24:17 Tani, pas shumë vjetësh, unë erdha të sjell lëmosha dhe oferta kombit tim.

ACTS 24:18 Por, tek po bëja këtë, ata më gjetën të pastruar në tempull, pa asnjë tubim ose trazirë.

ACTS 24:19 Por ishin disa Judenj të Azisë, që duhej të dilnin para teje për të më akuzuar, se kishin diçka kundër meje.

ACTS 24:20 Ose vetë këta le të thonë nëse kanë gjetur ndonjë padrejtësi tek unë, kur rrija përpara sinedrit,

ACTS 24:21 veç mos qoftë vetëm për atë fjalë që unë thirra duke qëndruar në këmbë para tyre: "Për shkak të ringjalljes së të vdekurve sot unë gjykohem prej jush!"''.

ACTS 24:22 Kur i dëgjoi këto gjëra, Feliksi, që ishte i mirinformuar për Udhën, e shtyu gjyqin, duke thënë: ''Kur të vijë tribuni Lisia, do të marr në shqyrtim çështjen tuaj''.

ACTS 24:23 Dhe i dha urdhër centurionit që Palin ta ruanin, por të kishte njëfarë lirie, pa penguar asnjë nga të vetët t'i kryejnin shërbime ose të vijnin ta takojnin.

ACTS 24:24 Pas disa ditësh Feliksi, që kishte ardhur me gruan e vet Druzila, që ishte jude, dërgoi ta thërresin Palin dhe e dëgjoi lidhur me besimin në Jezu Krishtin.

ACTS 24:25 Dhe, duke qenë se Pali fliste për drejtësi, për vetëkontroll dhe për gjyqin e ardhshëm, Feliksi, shumë i trembur, u përgjigj: ''Për tani shko, dhe kur të kem rast, do të dërgoj të të thërrasin''.

ACTS 24:26 Njëkohësisht ai shpresonte se Pali do t'i jepte para që ta lironte; dhe prandaj e thërriste shpesh dhe bisedonte me të.

ACTS 24:27 Por pas dy vjetësh, Feliksit ia zuri vendin Porc Festi; dhe Feliksi, duke dashur t'ua bëjë qejfin Judenjve, e la Palin në burg.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase