Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Acts 17

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28]

ACTS 17:1 Dhe mbasi kishin kaluar nëpër Amfipoli dhe nëpër Apoloni, arritën në Thesaloniki, ku ishte sinagoga e Judenjve.

ACTS 17:2 Dhe Pali, sipas zakonit të vet, hyri tek ata dhe tri të shtuna me radhë u paraqiti argumente nga Shkrimet,

ACTS 17:3 duke deklaruar dhe duke treguar atyre se Krishti duhej të vuante dhe të ringjallej prej së vdekurish dhe duke thënë: ''Ky Jezusi që unë ju shpall është Krishti''.

ACTS 17:4 Disa nga ata besuan dhe u bashkuan me Palin dhe Silën, si dhe një numër i madh Grekësh të përshpirtshëm dhe jo pak gra të rëndësishme.

ACTS 17:5 Por Judenjtë, të cilët nuk kishin besuar, patën smirë dhe morën me vete disa njerëz të këqij nga ata të rrugëve të tregut dhe, si mblodhën një turmë, e bënë rrëmujë qytetin; edhe sulmuan shtëpinë e Jasonit dhe kërkonin ata për t'i nxjerrë përpara popullit.

ACTS 17:6 Por, mbasi nuk i gjetën, e hoqën zvarrë Jasonin dhe disa vëllezër përpara krerëve të qytetit, duke thirrur: ''Ata që e kanë bërë rrëmujë botën, kanë ardhur edhe këtu,

ACTS 17:7 dhe Jasoni këta i priti; të gjithë këta veprojnë kundër statuteve të Cezarit, duke thënë se është një mbret tjetër, Jezusi''.

ACTS 17:8 Edhe nxitën popullin dhe krerët e qytetit, që i dëgjonin këto gjëra.

ACTS 17:9 Por ata, mbasi morën një dorëzani nga Jasoni dhe nga të tjerët, i lejuan të shkojnë.

ACTS 17:10 Atëherë vëllezërit menjëherë natën i nisën Palin dhe Silën për në Berea dhe ata, sapo arritën atje, hynë në sinagogën e Judenjve.

ACTS 17:11 Por këta ishin më fisnikë nga ndjenjat se ata të Thesalonikit dhe e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe, duke i shqyrtuar çdo ditë Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu.

ACTS 17:12 Shumë nga ata, pra, besuan bashkë me një numër jo të vogël grash fisnike greke dhe burrash.

ACTS 17:13 Por, kur Judenjtë e Thesalonikit morën vesh se fjala e Perëndisë ishte shpallur nga Pali edhe në Berea, shkuan edhe atje dhe e turbulluan turmën.

ACTS 17:14 Atëherë vëllezërit e nisën menjëherë Palin në drejtim të detit, por Sila dhe Timoteu qëndruan atje.

ACTS 17:15 Ata që i prinin Palit e çuan deri në Athinë; pastaj, mbasi morën porosi për Silën dhe Timoteun që të arrijnë sa më parë tek ai, u kthyen prapa.

ACTS 17:16 Ndërsa Pali po i priste në Athinë, po i ziente fryma përbrenda, kur pa qytetin plot me idhuj.

ACTS 17:17 Ai, pra, po diskutonte në sinagogë me Judenjtët dhe me njerëz të përshpirtshëm dhe çdo ditë në sheshin e tregut me ata që takonte.

ACTS 17:18 Diskutonin me të edhe disa filozofë epikurianë dhe stoikë. Disa thoshnin: ''Vallë ç'do të thotë ky llafazan''. Dhe të tjerë thoshnin: ''Ai duket se është një kasnec i perëndivë të huaja'', sepse u shpall atyre Jezusin dhe ringjalljen.

ACTS 17:19 Dhe e zunë dhe e çuan në Areopag, duke thënë: ''A mund ta marrim vesh ç'është kjo doktrinë e re për të cilën ti flet?

ACTS 17:20 Sepse ti sjell disa gjëra të huaja në veshët tanë, prandaj duam të dimë ç'kuptim kanë ato.

ACTS 17:21 Atëherë gjithë Athinasit dhe të huajt që banonin atje nuk e kalonin kohën më mirë sesa duke folur ose duke dëgjuar ndonjë fjalë të re.

ACTS 17:22 Atëherë Pali, duke qëndruar në këmbë në mes të Areopagut, tha: ''O burra athinas, unë shoh se në të gjitha gjërat ju jeni shumë fetarë''.

ACTS 17:23 Sepse, duke ecur e duke vënë re objektet e kultit tuaj, gjeta edhe një altar mbi të cilin është shkruar: "PERÉNDISÉ SÉ PANJOHUR". Atë, pra, që ju e adhuroni pa e njohur, unë po jua shpall.

ACTS 17:24 Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut,

ACTS 17:25 dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë;

ACTS 17:26 dhe ai ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut, dhe caktoi kohërat me radhë dhe caqet e banimit të tyre,

ACTS 17:27 që të kërkojnë Zotin, mbase mund ta gjejnë duke prekur, ndonëse ai nuk është larg nga secili prej nesh.

ACTS 17:28 Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: "Sepse jemi edhe ne pasardhës të tij".

ACTS 17:29 Duke qenë, pra, se ne jemi pasardhës të Perëndisë, nuk duhet të mendojmë që natyra e perëndishme është e ngjashme me arin ose me argjendin, ose me gurin ose me një vepër arti të latuar dhe të shpikur nga njeriu.

ACTS 17:30 Perëndia, pra, duke kaluar përmbi kohërat e padijes, i urdhëron të gjithë njerëzit dhe kudo që të pendohen.

ACTS 17:31 Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit''.

ACTS 17:32 Kur dëgjuan të flitej për ringjalljen e të vdekurve, disa e përqeshën dhe të tjerë thoshnin: ''Do të të dëgjojmë përsëri për këtë gjë''.

ACTS 17:33 Kështu Pali doli nga mesi i tyre.

ACTS 17:34 Por disa u bashkuan me të dhe besuan, ndër këta edhe Dionis areopagiti, një grua që quhej Damaris dhe ca të tjerë me ta.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase