Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Hosea 10

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14]

HOS 10:1 Izraeli ishte një vresht i harlisur, që jepte fryt për veten e tij; sa më tepër rritej fryti i tij, aq më tepër i shumonte altarët e tij; sa më i pasur ishte vendi i tij, aq më të bukura i bënte shtyllat e tij të shenjta.

HOS 10:2 Zemra e tyre është gënjeshtare; tani do të marrin ndëshkimin për të. Ai do të rrëzojë altarët e tyre, do të shkatërrojë shtyllat e tyre të shenjta.

HOS 10:3 Po, tani do të thonë: "Nuk kemi më mbret, sepse nuk kemi pasur frikë nga Zoti; por edhe mbreti çfarë do të mund të bënte për ne?".

HOS 10:4 Thonë fjalë, betohen me të rreme kur lidhin besëlidhjen; prandaj ndëshkimi lulëzon si kukuta në brazdat e arave.

HOS 10:5 Banorët e Samarisë do të drithërohen për viçin e Beth-avenit, sepse populli i tij do të mbajë zi për të dhe priftërinjtë e tij që gëzoheshin me të do të dridhen, mbasi lavdia u largua prej tij.

HOS 10:6 Vetë idhullin do ta çojnë në Asiri si një dhuratë për mbretin mbrojtës. Efraimi do të turpërohet dhe Izraeli do të koritet për planet e tij.

HOS 10:7 Sa për Samarinë, mbreti i saj do të zhduket si shkuma mbi ujë.

HOS 10:8 Edhe vendet e larta të Avenit, mëkati i Izraelit, do të asgjësohen; ferra dhe gjemba do të rriten mbi altarët e tyre. Atëherë do t'u thonë maleve: "Na mbuloni!", dhe kodrave: "Na bini përsipër!".

HOS 10:9 "Që nga ditët e Gibeahut ti ke mëkatuar, o Izrael. Atje u ndalën; në Gibeah beteja kundër të bijve të paudhësisë nuk i arriti.

HOS 10:10 Kur të më pëlqejë, do t'i ndëshkoj; popujt do të mblidhen kundër tyre, kur t'i lidh për të dy paudhësitë e tyre.

HOS 10:11 Efraimi është si një mëshqerrë e stërvitur mirë, së cilës i pëlqen të shijë grurin, por unë do të vë zgjedhën mbi qafën e saj të bukur; do ta lidh Efraimin me parmendën, Juda do të lërojë, Jakobi do të thërmojë plisat".

HOS 10:12 Mbillni për vete sipas drejtësisë, korrni sipas dhemshurisë, lëroni arën tuaj të lënë djerrë, sepse është koha për të kërkuar Zotin, derisa ai të vijë dhe përhapë mbi ju drejtësinë.

HOS 10:13 Ju keni lëruar ligësinë, keni korrur paudhësinë, keni ngrënë frytin e gënjeshtrës. Duke qenë se ti u ke besuar rrugëve të tua, në turmën e trimave të tu,

HOS 10:14 një trazirë do të lindë në mes të popullit tënd dhe të gjitha fortesat e tua do të shkatërrohen ashtu si Shalmani shkatërroi Beth-arbelin, ditën e betejës, kur nëna u bë copë-copë mbi bijtë.

HOS 10:15 Kështu do të ndodhë me ty, o Bethel, për shkak të ligësisë suaj të pamasë. Në mëngjes mbreti i Izraelit do të shkatërrohet krejt.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase