Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Hosea 9

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14]

HOS 9:1 Mos u gëzo, o Izrael, për të ngazëlluar si popujt e tjerë, sepse je kurvëruar duke u larguar nga Perëndia yt; ke dashur pagesën e prostitutës në të gjithë lëmenjtë e grurit.

HOS 9:2 Lëmi dhe trokulli nuk do t'i ushqejnë dhe mushti do t'i lërë të zhgënjyer.

HOS 9:3 Ata nuk do të banojnë në vendin e Zotit, por Efraimi do të kthehet në Egjipt dhe në Asiri do të hanë ushqime të papastra.

HOS 9:4 Nuk do t'i bëjnë më libacione vere Zotit dhe flijimet e tyre nuk do të pëlqehen prej tij. Do të jenë për ta si një ushqim zie; kushdo që do ta hajë do të ndotet, sepse buka e tyre do të vlejë për t'i mbajtur në jetë, nuk do të hyjë në shtëpinë e Zotit.

HOS 9:5 Çfarë do të bëni në ditët solemne dhe në ditët e kremtimit të Zotit?

HOS 9:6 Sepse ja, ndonëse i kanë shpëtuar shkatërrimit, Egjipti do t'i mbledhë bashkë, Mofi do t'i varrosë; gjërat e tyre të çmuara prej argjendi do t'i pushtojnë hithrat, dhe në çadrat e tyre do të rriten ferrat.

HOS 9:7 Kanë ardhur ditët e ndëshkimit, kanë ardhur ditët e shpagimit; Izraeli do ta mësojë. Profeti është një i pamend, njeriu i frymës flet përçart, për shkak të madhësisë së paudhësisë sate dhe të madhësisë së armiqësisë sate.

HOS 9:8 Roja e Efraimit është me Perëndinë tim, por profeti yt është një lak i gjuetarit të zogjve në të gjitha rrugët e tij; ka armiqësi në shtëpinë e Perëndisë së tij.

HOS 9:9 Ata u korruptuan thellë si në ditët e Gibeahut; por ai do ta mbajë mend paudhësinë e tyre, do të ndëshkojë mëkatet e tyre.

HOS 9:10 "Unë gjeta Izraelin si rrushi në shkretëtirë, pashë etërit tuaj si fiqtë e parë mbi një fik të ri. Por, mbasi arritën në Baal-peor, u dhanë pas poshtërsisë dhe u bënë të neveritshëm si ajo që ata donin.

HOS 9:11 Lavdia e Efraimit do të fluturojë si zog; nuk do të ketë më lindje, as barrë, as mbarsje.

HOS 9:12 Edhe sikur të rritin bijtë e tyre, unë do t'i lë pa ata, deri sa të mos mbetet më asnjë njeri; po, mjerë ata kur të largohem prej tyre!

HOS 9:13 Efraimi, duke shikuar nga Tiro, është vendosur në një vend të këndshëm; por Efraimi duhet t'ia çojë bijtë e tij atij që do t'i vrasë".

HOS 9:14 Jepu atyre, o Zot... Çfarë do t'u japësh atyre? Jepu atyre një bark që dështon dhe gji të shterura.

HOS 9:15 Gjithë ligësia e tyre është në Gilgal; atje fillova t'i urrej. Për shkak të ligësisë së veprimeve të tyre do t'i dëboj nga shtëpia ime, nuk do t'i dua më; tërë krerët e tyre janë rebelë.

HOS 9:16 Efraimi është goditur, rrënja e tij është tharë; ata nuk do të japin më fryt. Po, edhe sikur të kenë fëmijë, unë do të bëj që frytet e dashur të vdesin që në bark.

HOS 9:17 Perëndia im do t'i hedhë poshtë, sepse nuk e kanë dëgjuar. Dhe ata do të shkojnë duke u endur midis kombeve.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase