Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Nehemiah 13

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13]

NEH 13:1 po atë ditë u lexua në prani të popullit libri i Moisiut, dhe aty u gjet e shkruar që Amoniti dhe Moabiti nuk duhet të hynin kurrë në asamblenë e Perëndisë,

NEH 13:2 sepse nuk i kishin pritur me bukë e me ujë bijtë e Izraelit dhe kishin rekrutuar kundër tyre me para Balaamin për t'i mallkuar; por Perëndia ynë e ndëroi mallkimin në bekim.

NEH 13:3 Sa e dëgjuan ligjin, ata ndanë nga Izraeli tërë njerëzit e huaj që ishin përzier me ta.

NEH 13:4 Para kësaj, prifti Eliashib, që ishte caktuar në dhomat e shtëpisë të Perëndisë tonë dhe kishte lidhur krushqi me Tobiahun,

NEH 13:5 kishte përgatitur për këtë një dhomë të madhe, ku vinin më parë ofertat, temjanin, përdorëset, të dhjetat e grurit, të verës dhe të vajit, tërë ato që me ligj u përkisnin Levitëve, këngëtarëve, derëtarëve, si edhe ofertat e mbledhura për priftërinjtë.

NEH 13:6 Por gjatë kësaj kohe unë nuk isha në Jeruzalem, sepse në vitin e tridhjetë e dytë të Artakserksit, mbretit të Babilonisë, isha kthyer pranë mbretit. Pas një farë kohe mora leje nga mbreti

NEH 13:7 dhe u ktheva në Jeruzalem; kështu pashë të keqen që Eliashibi kishte bërë për të favorizuar Tobiahun, duke përgatitur për të një dhomë në oborret e shtëpisë së Perëndisë.

NEH 13:8 Më erdhi shumë keq për këtë gjë dhe kështu hodha jashtë dhomës tërë orenditë shtëpiake që i përkisnin Tobiahut;

NEH 13:9 pastaj urdhërova që të pastroheshin ato dhoma dhe të rivendoseshin përdorëset e shtëpisë së Perëndisë, ofertat dhe temjani.

NEH 13:10 Pastaj mësova gjithashtu që racionet që u detyroheshin Levitëve nuk u ishin dhënë atyre dhe që Levitët dhe këngëtarët, që kryenin shërbimin, kishin ikur secili në tokën e vet.

NEH 13:11 Atëherë qortova gjyqtarët dhe u thashë atyre: "Pse shtëpia e Perëndisë është braktisur?". Pastaj i mblodha dhe i vura përsëri në funksonet e tyre.

NEH 13:12 Tërë Juda solli pastaj në magazinat të dhjetat e grurit, të mushtit dhe të vajit.

NEH 13:13 Mbikëqyrjen e magazinave ia besova priftit Shelemiah, shkruesit Tsadok dhe Pedajahut, një nga Levitët; si ndihmësa të tyre, zgjodha Hananin, birin e Zakurit, bir i Mataniahut, sepse këta konsideroheshin si njerëz besnikë. Atyre u takonte detyra të bënin ndarjet midis vëllezërve të tyre.

NEH 13:14 Për këtë më kujto mua, o Perëndia im, dhe mos i fshij veprat e mira që kam bërë për shtëpinë e Perëndisë tim dhe për ruajtjen e saj.

NEH 13:15 Në ato ditë vura re në Judë disa që shtrydhnin rrushin ditën e shtunë dhe mbartnin thasë gruri, duke i ngakuar mbi gomarët, bashkë me verën, rrushin, fiqtë dhe gjithfarë ngarkesash të tjera që sillnin

NEH 13:16 Përveç kësaj disa jerëz të Tiros, që banonin në Jeruzalem, importonin peshk dhe lloj-lloj mallrash dhe ua shisnin bijve të Judës ditën e shtunë dhe në Jeruzalem.

NEH 13:17 Atëherë qortova parinë e Judës dhe i thashë: "Ç'është kjo e keqe që kryeni duke përdhosur ditën e shtunë?

NEH 13:18 A nuk vepruan njëlloj etërit tonë? A nuk bëri Perëndia ynë të pllakosë mbi ne dhe mbi qytetin tonë tërë kjo fatkeqësi? Por ju po sillni një zemërim më të madh mbi Izraelin, duke përdhosur të shtunën!".

NEH 13:19 Kështu, sapo portat e Jeruzalemit filluan të jenë në terr, para se të fillonte e shtuna, unë urdhërova që portat të ishin mbyllur dhe të mos hapeshin deri pas së shtunës; vendosa madje disa shërbëtorë të mi te portat, me qëllim që asnjë ngarkesë të mos hynte në qytet gjatë ditës së shtunë.

NEH 13:20 Por tregëtarët dhe shitësit e çdo lloj malli e kaluan natën jashtë Jeruzalemit një ose dy herë.

NEH 13:21 Atëherë unë i qortova dhe u thashë: "Pse e kaloni natën para mureve? Po ta bëni një herë tjetër, do të veproj kundër jush". Qysh prej atij çasti ata nuk erdhën më ditën e shtunë.

NEH 13:22 Urdhërova gjithashtu Levitët që të pastroheshin dhe të vinin të ruanin portat për të shenjtëruar ditën e shtunë. Edhe për këtë më kujto mua, o Perëndia im, dhe ki mëshirë për mua sipas madhësisë së dhembshurisë sate!

NEH 13:23 Në ato ditë pashë gjithashtu disa Judej që ishin martuar me gra të Ashdodit, të Amonit dhe të Moabit,

NEH 13:24 gjysma e bijve të tyre fliste gjuhën e Ashdodit dhe nuk dinte të fliste gjuhën judaike, por fliste vetëm gjuhën e këtij apo atij populli.

NEH 13:25 Atëherë unë i qortova, i mallkova, rraha disa prej tyre, iu shkula flokët; pastaj i vura që te betohen në emër të Perëndisë se nuk do t'ia jepnin bijat e veta bijve të atyre dhe nuk do të merrnin bijat e tyre për bijtë e vet, as për vete.

NEH 13:26 Dhe thashë: "A nuk mëkatoi, vallë, Salomoni, mbret i Izraelit, për këto gjëra? Megjithatë midis kaq kombeve nuk pati një mbret si ai; e donte Perëndia i tij, dhe Perëndia e kishte vendosur mbret mbi tërë Izraelin; por gratë e huaja e bënë edhe atë të mëkatojë.

NEH 13:27 A duhet, pra, të dëgjojmë për ju se kryeni këtë të keqe të madhe, se mëkatoni kundër Perëndisë tonë, duke u martuar me gra të huaja?".

NEH 13:28 Njeri nga bijtë e Joadas, birit të Elishibit, kryeriftit, ishte dhëndër i Sanballatit, Horonitit; unë e përzura larg vetes.

NEH 13:29 Mbaji mend ata, o Perëndia im, sepse kanë ndotur priftërinë dhe besëlidhjen e priftërisë dhe të Levitëve!

NEH 13:30 Kështu unë i pastrova nga çdo person i huaj dhe caktova detyrat e priftërinjve dhe të Levitëve, secili në detyrën e vet.

NEH 13:31 Dhashë gjithashtu dispozita lidhur me ofertën e druve në kohë të caktuara dhe lidhur me prodhimet e para. Më kujto, o Perëndia im, për të më bërë të mira!

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase