Main Index: Albanian Bible UTF8

 

2 Samuel 2

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24]

2SAM 2:1 Mbas kësaj, Davidi u këshillua me Zotin, duke thënë: "A duhet të shkoj në ndonjë nga qytetet e Judës?". Zoti iu përgjigj: "Shko". Davidi e pyeti: "Ku të shkoj?". Zoti u përgjigj: "Në Hebron".

2SAM 2:2 Kështu Davidi shkoi atje me dy gratë e tij, Jezreeliten Ahinoam dhe Karmelitën Abigail, që kishte qenë gruaja e Nabalit.

2SAM 2:3 Davidi çoi edhe njerëzit që ishin me të, secili me familjen e tij, dhe u vendosën në qytetet e Hebronit.

2SAM 2:4 Pastaj erdhën njerëzit e Judës dhe e vajosën Davidin mbret të shtëpisë së Judës. Pas kësaj i thanë Davidit se qenë njerëzit e Jabeshit të Galaadit ata që kishin varrosur Saulin.

2SAM 2:5 Atëherë Davidi u dërgoi lajmëtarë njerëzve të Jabeshit të Galaadit për t'u thënë: "Qofshi të bekuar nga Zoti për mirësinë që treguat ndaj Saulit, zotërisë suaj, duke e varrosur!

2SAM 2:6 Tani Zoti tregoftë mirësi dhe besnikëri ndaj jush. Edhe unë do t'ju bëj të mirë, sepse keni bërë një gjë të tillë.

2SAM 2:7 Prandaj le të marrin forcë duart tuaja dhe qofshi trima, sepse Sauli, zotëria juaj, vdiq, por shtëpia e Judës më ka vajosur mbret të saj".

2SAM 2:8 Ndërkohë Abneri, bir i Nerit, komandant i ushtrisë së Saulit, mori Ish-Boshethin, birin e Saulit, dhe e çoi në Mahanaim;

2SAM 2:9 dhe e bëri mbret të Galaadit, të Ashuritëve, të Jezreelit, të Efraimit, të Beniaminit dhe të tërë Izraelit.

2SAM 2:10 Ish-Boshethi, bir i Saulit, ishte dyzet vjeç kur filloi të mbretërojë mbi Izrael dhe mbretërimi i tij vazhdoi dy vjet. Por shtëpia e Judës shkonte pas Davidit.

2SAM 2:11 Koha që Davidi mbretëroi në Hebron mbi shtëpinë e Judës ishte shtatë vjet e gjashtë muaj.

2SAM 2:12 Ndërkaq Abneri, bir i Nerit, dhe shërbëtorët e Ish-Boshethit, birit të Saulit, lëvizën nga Mahanaim në drejtim të Gabaonit.

2SAM 2:13 Edhe Joabi, biri i Tserujahut dhe shërbëtorët e Davidit lëvizën dhe i takuan pranë hauzit të Gabaonit. Kështu u ndalën njera palë nga njera anë e hauzit dhe tjetra nga ana tjetër.

2SAM 2:14 Atëherë Abneri i tha Joabit: "Le të çohen të rinjtë dhe të dalin para nesh". Joabi u përgjigj: "Po, le të çohen".

2SAM 2:15 Kështu u ngritën dhe dolën përpara në numër të barabartë: dymbëdhjetë për Beniaminin dhe për Ish-Boshethin, birin e Saulit, dhe dymbëdhjetë nga shërbëtorët e Davidit.

2SAM 2:16 Secili kapi kundërshtarin e tij nga koka dhe i futi shpatën në ije; kështu ranë të gjithë bashkë. Ky vend u quajt për këtë arësye fusha e njerëzve të fortë; gjendet në Gabaon.

2SAM 2:17 Po atë ditë u zhvillua një betejë shumë e ashpër në të cilën Abneri me njerëzit e Izraelit u mund nga shërbëtorët e Davidit.

2SAM 2:18 Dhe aty ishin tre djemtë e Tserujahut: Joabi, Abishai dhe Asaheli; dhe Asaheli ishte i shpejtë si një gazelë fushe.

2SAM 2:19 Asaheli filloi të ndiqte Abnderin pa u kthyer as djathtas, as majtas pas Abnerit.

2SAM 2:20 Pastaj Abneri u kthye prapa dhe tha: "Je ti, Asahel?". Ai u përgjigj: "Jam unë".

2SAM 2:21 Abneri i tha: "Kthehu djathtas ose majtas, kap një nga të rinjtë dhe merrja armët!". Por Asaheli nuk deshi të hiqte dorë nga ndjekja e tij.

2SAM 2:22 Abneri i tha përsëri Asahelit: "Hiq dorë nga ndjekja. Pse më detyron të të shtrij për tokë? Si do të mund ta shikoj atëherë në fytyrë vëllanë tënd Joab?".

2SAM 2:23 Por ai nuk pranoi të ndërrojë rrugë; prandaj Abneri me pjesën e prasme të shtizës e goditi në pjesën e poshtme të barkut dhe shtiza i doli nga pas; ai ra për tokë dhe vdiq në vend; dhe tërë ata që kalonin nga vendi ku Asaheli kishte rënë dhe kishte vdekur ndaleshin.

2SAM 2:24 Por Joabi dhe Abishai e ndoqën Abnerin; kur perëndoi dielli ata arritën në qafën e Amahut, që ndodhet përballë Giahut, në rrugën e shkretëtirës së Gabaonit.

2SAM 2:25 Bijtë e Beniamnit u mblodhën pas duke formuar një grup të vetëm dhe u ndalën në majë të një kodre.

2SAM 2:26 Atëherë Abneri thirri Joabin dhe tha: "Shpata, vallë duhet të gllabërojë gjithnjë? Nuk e di ti që në fund do të ketë hidhërim? Vallë, kur do ta urdhërosh popullin të mos ndjekë më vëllezërit e tij?".

2SAM 2:27 Joabi u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Perëndia jeton, po të mos kishe folur ti, populli nuk do të kishte hequr dorë nga ndjekja e vëllezërve të tij deri në mëngjes".

2SAM 2:28 Atëherë Joabi i ra borisë dhe tërë populli u ndal, nuk e ndoqi më Izraelin dhe hoqi dorë nga luftimi.

2SAM 2:29 Abneri dhe njerëzit e tij ecën gjithë atë natë nëpër Abrahun, kapërcyen Jordanin, kaluan tërë Bithronin dhe arritën në Mahanaim.

2SAM 2:30 Edhe Joabi u kthye nga ndjekja e shërbëtorëve të Abnerit dhe mblodhi tërë popullin; Davidit i mungonin nëntëmbëdhjetë veta dhe Asaheli.

2SAM 2:31 Por shërbëtorët e Davidit kishin vrarë treqind e gjashtëdhjetë veta të Beniaminit dhe Abnerit.

2SAM 2:32 Pastaj çuan Asahelin dhe e varrosën në varrin e atit të tij, që ndodhet në Betlem. Pas kësaj Joabi dhe njerëzit e tij ecën tërë natën dhe arritën në Hebron në të gdhirë.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase