Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Exodus 21

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40]

EX 21:1 "Tani këto janë ligjet që do t'u vësh para tyre:

EX 21:2 Në rast se blen një skllav hebre, ai do të të shërbejë gjashtë vjet; por vitin e shtatë do të shkojë i lirë, pa paguar asgjë.

EX 21:3 Në rast se ka ardhur vetëm, do të shkojë vetëm; po të kishte grua, e shoqja do të shkojë bashkë me të.

EX 21:4 Në qoftë se zotëria e tij i jep grua dhe kjo i lind bij e bija, gruaja dhe fëmijët e saj do të jenë të zotërisë, dhe ai do të shkojë vetëm.

EX 21:5 Por në qoftë se skllavi thotë haptazi: "Unë e dua zotërinë time, gruan time dhe fëmijët e mi, dhe nuk dua të shkoj i lirë",

EX 21:6 atëherë pronari e tij do t'ia afrojë Perëndisë dhe do ta avitë te dera ose te shtalka; pastaj pronari e tij do t'i shpojë veshin me një fëndyell; dhe ai do t'i shërbejë për gjithnjë.

EX 21:7 Në rast se dikush shet bijën e tij si shërbëtore, ajo nuk do të shkojë ashtu si shkojnë skllevërit.

EX 21:8 Në qoftë se ajo nuk i pëlqen zotërisë së saj, që e kishte marrë për vete, ai do ta lërë të shpengohet; por nuk do të ketë të drejtën tua shesë njerëzve të huaj, sepse kjo do t'ishte ta trajtosh me mashtrim.

EX 21:9 Dhe në qoftë se e marton me birin e tij, do ta trajtojë në bazë të së drejtës të të bijave.

EX 21:10 Në rast se merr një grua tjetër, ai nuk do të pakësojë ushqimin dhe veshmbathjen e saj, as edhe bashkëbanimin e saj.

EX 21:11 Në rast se nuk bën këto tri gjëra për të, ajo do të shkojë pa dhënë asgjë, pa paguar çmim.

EX 21:12 Kush rreh një njeri dhe për këtë shkak ky vdes, do të dënohet me vdekje.

EX 21:13 Në qoftë se nuk i ka ngritur kurrfarë prite, por Perëndia ka bërë që t'i bjerë në dorë, unë do të caktoj një vend ku ai mund të gjejë strehë.

EX 21:14 Në qoftë se ndokush vepron me paramendim kundër të afërmit të tij për ta vrarë me mashtrim, ti do ta shkëputësh edhe nga altari im, për të siguruar vdekjen e tij.

EX 21:15 Kush rreh atin ose nënën e tij do të dënohet me vdekje.

EX 21:16 Kush rrëmben një njeri dhe e shet, ose gjendet në duart e tij, do të dënohet me vdekje.

EX 21:17 Kush mallkon të atin ose të ëmën do të dënohet me vdekje.

EX 21:18 Në qoftë se dy njerëz zihen dhe njëri prej tyre godet tjetrin me gur ose me grusht dhe ky nuk vdes, por duhet të qëndrojë në shtrat,

EX 21:19 dhe në se pastaj ngrihet dhe ecën jashtë duke u mbështetur me bastun, ai që e ka goditur do të nxirret i pafajshëm; do ta zhdëmtojë vetëm për kohën e humbur dhe do ta kurojë deri në shërim të plotë.

EX 21:20 Në qoftë se dikush rreh skllavin ose skllaven e tij me bastun, dhe ai ose ajo i vdesin në dorë, zotëria do të dënohet;

EX 21:21 por në rast se mbijeton një ose dy ditë, nuk do të dënohet, sepse është pronë e tij.

EX 21:22 Në rast se disa grinden dhe rrahin një grua me barrë aq sa ajo të dështojë, por nuk pëson dëme të tjera, rrahësi do të gjobitet aq sa t'i kërkojë bashkëshorti i gruas; ai do të paguajë zhdëmtimin simbas përcaktimit të gjykatësve;

EX 21:23 por po të jetë se rrjedh ndonjë dëm, do të japësh jetë për jetë,

EX 21:24 sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë,

EX 21:25 djegie për djegie, plagë për plagë, mbretje për mbretje.

EX 21:26 Në rast se dikush godet syrin e skllavit ose të skllaves së tij dhe ai humbet, do t'i lërë të shkojnë të lirë si kompensim për syrin e humbur.

EX 21:27 Dhe në rast se shkakton rënien e një dhëmbi skllavit ose skllaves së tij, do t'i lërë të shkojnë të lirë si kompensim për dhëmbin e humbur.

EX 21:28 Në rast se një ka godet për vdekje me brirët e tij një burrë ose një grua, kau duhet të vritet me gurë dhe mishi i tij nuk do të hahet; por i zoti i kaut do të konsiderohet i pafajshëm.

EX 21:29 Por në qoftë se kau e kishte zakon prej kohësh të plagoste me brirët e tij dhe i zoti ishte paralajmëruar, por nuk e kishte mbajtur të mbyllur, dhe kau pastaj vret një burrë o një grua, kau do të vritet me gurë dhe i zoti gjithashtu do të vritet.

EX 21:30 Në qoftë se i caktohet një çmim për shpengim, ai duhet të japë për të shpenguar jetën e tij aq sa i kanë caktuar.

EX 21:31 Në qoftë se kau godet një bir ose një bijë, do të veprohet ndaj tij sipas po këtij ligji.

EX 21:32 Në qoftë se kau godet një skllav ose një skllave, i zoti i kaut do t'i paguajë të zotit të skllavit tridhjetë sikla argjendi dhe kau do të vritet me gurë.

EX 21:33 Në qoftë se dikush hap një gropë, ose dikush gërmon një gropë dhe nuk e mbulon, dhe një ka ose një gomar bien brenda,

EX 21:34 pronari i gropës do ta paguajë zhdëmtimin; ai do t'i paguajë me para pronarit vleftën e kafshës dhe kafsha e ngordhur do të jetë e tij.

EX 21:35 Në qoftë se kau i një njeriu godet për vdekje kaun e një tjetri, do të shitet kau i gjallë dhe do të ndahet çmimi i tij; edhe kau i ngordhur do të ndahet midis tyre.

EX 21:36 Por në qoftë se dihet se ky ka e kishte zakon prej kohe të godiste me brirët, dhe i zoti nuk e ka mbajtur të mbyllur, ky do të paguajë ka për ka dhe kafsha e ngordhur do të jetë e tij".

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase