Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Exodus 4

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40]

EX 4:1 Moisiu u përgjigj dhe tha: "Por ja, ata nuk do të më besojnë as do t'i binden zërit tim, sepse do të thonë: "Zoti nuk të është shfaqur"".

EX 4:2 Atëherë Zoti i tha: "Ç'është ajo që ke në dorë?". Ai u përgjegj: "Një bastun".

EX 4:3 Zoti tha: "Hidhe për tokë". Ai e hodhi për tokë, dhe ai u bë një gjarpër, para të cilit Moisiu iku me vrap.

EX 4:4 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Zgjate dorën dhe kape nga bishti". (Ai zgjati dorën dhe e mori, dhe në dorën e tij ai u bë një bastun).

EX 4:5 "Këtë ke për të bërë", tha Zoti, "me qëllim që të besojnë se Zoti, Perëndia i etërve të tyre, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit të është shfaqur".

EX 4:6 Zoti i tha akoma: "Tani vër dorën në gjirin tënd". Dhe ai vuri dorën e tij në gji dhe pastaj e tërhoqi, dhe ja, dora ishte lebrosur, e bardhë si bora.

EX 4:7 Zoti i tha akoma: "Vëre përsëri dorën në gjirin tënd". Ai e vuri përsëri dorën e tij në gji dhe pastaj e tërhoqi nga gjiri, dhe ja, ajo ishte bërë njëlloj si mishi i tij.

EX 4:8 "Tani ka për të ndodhur që, po të jetë se nuk të besojnë dhe nuk e dëgjojnë zërin e shenjës së parë, do të besojnë zërin e shenjës së dytë.

EX 4:9 Por, në rast se ata nuk do t'u besojnë as këtyre dy shenjave dhe nuk do t'i binden zërit tënd, ti atëhere merr ujë nga lumi dhe derdhe mbi tokë të thatë; dhe uji që do të kesh marrë nga lumi do të bëhet gjak mbi tokën e thatë".

EX 4:10 Atëherë Moisiu i tha Zotit: "Mjerisht, o Zot, unë nuk jam njeri i gojës; nuk isha i tillë në të kaluarën dhe nuk jam i tillë që kur i ke folur shërbëtorit tënd, sepse jam i ngathët në fjalë dhe kuvend".

EX 4:11 Zoti i tha: "Kush e ka bërë gojën e njeriut, ose kush e bën njeriun të pagojë, të shurdhër, me sy ose të verbër? A nuk jam unë vallë, Zoti?

EX 4:12 Dhe tani shko, unë do të jem me gojën tënde dhe do të të mësoj atë që duhet të thuash".

EX 4:13 Por Moisiu tha: "Oh! Zot, dërgo mesazhin tënd nëpërmjet kujt të duash!".

EX 4:14 Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër Moisiut, dhe i tha: "A nuk është ndofta Aaroni vëllai yt, Leviti? Unë e di që ai flet bukur. Ja tani, ai po del të të takojë; sa të të shohë do të ndjejë gëzim në zemër të vet.

EX 4:15 Ti do t'i flasësh dhe do t'i vësh fjalët në gojën e tij, dhe unë do të jem me gojën tënde dhe me gojën e tij dhe do t'ju mësoj atë që duhet të bëni.

EX 4:16 Ai do të jetë zëdhënësi yt në popull; kështu ai për ty do të jetë goja dhe ti për të do të jesh si Perëndia.

EX 4:17 Tani merr në dorë këtë bastun me të cilin ke për të bërë mrekullitë".

EX 4:18 Atëherë Moisiu iku, u kthye te Jethro, vjehrri i tij, dhe i tha: "Oh, lërmë të shkoj dhe të kthehem te vëllezërit e mi që janë në Egjipt, për të parë në se ende janë gjallë". Dhe Jethro i tha Moisiut: "Shko në paqe".

EX 4:19 Zoti i tha Moisiut në Madian: "Shko, kthehu në Egjipt sepse të gjithë ata që kërkonin jetën tënde kanë vdekur".

EX 4:20 Kështu Moisiu mori të shoqen dhe bijtë e tij, i hipi mbi gomar dhe u kthye në vendin e Egjiptit. Dhe Moisiu mori në dorë bastunin e Perëndisë.

EX 4:21 Zoti i tha pastaj Moisiut: "Kur të jesh kthyer në Egjipt, do të kujdesesh të bësh para Faraonit tërë mrekullitë që të kam dhënë pushtet të kryesh; por unë do ta ngurtësoj zemrën e tij dhe ai nuk do ta lërë popullin të shkojë.

EX 4:22 Dhe ti do t'i thuash Faraonit: "Kështu thotë Zoti: Izraeli është biri im, i parëlinduri im".

EX 4:23 Prandaj unë të them: Lëre birin tim të shkojë, që të më shërbejë; por në qoftë se ti nuk e lë të shkojë, ja, unë do të vras birin tënd, të parëlindurin tënd".

EX 4:24 Por gjatë udhëtimit, në vendin ku kishin fushuar, Zoti shkoi të takojë Moisiun dhe u përpoq ta bënte të vdiste.

EX 4:25 Atëherë Sefora mori një strall të mprehtë dhe preu prepucin e birit të saj dhe e hodhi në këmbët e Moisiut, duke thënë: "Ti për mua je një dhëndër në gjak!".

EX 4:26 Kështu Zoti e la. Atëherë ajo tha: "Ti je një dhëndër gjakatar", për shkak të rrethprerjes.

EX 4:27 Zoti i tha Aaronit: "Shko në shkretëtirë të takosh Moisiun". Dhe ai shkoi, e takoi atë në malin e Perëndisë dhe e puthi.

EX 4:28 Dhe Moisiu i tregoi Aaronit tërë fjalët që Zoti e kishte porositur të thoshte, dhe tërë shenjat e mahnitshme që i kishte urdhëruar të bënte.

EX 4:29 Atëherë Moisiu dhe Aaroni shkuan dhe mblodhën tërë pleqtë e bijve të Izraelit.

EX 4:30 Dhe Aaroni tregoi tërë fjalët që Zoti i kishte thënë Moisiut, dhe bëri mrekullitë në sy të popullit.

EX 4:31 Kështu populli i besoi. Ata kuptuan që Zoti kishte vizituar bijtë e Izraelit dhe kishte parë dëshpërimin e tyre; dhe u përkulën dhe e adhuruan.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase