Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Romans 11

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16]

ROM 11:1 Unë, pra, them: A thua Perëndia e hodhi poshtë popullin e vet? Aspak, sepse edhe unë jam Izraelit, nga pasardhje e Abrahamit, nga fisi i Beniaminit.

ROM 11:2 Perëndia nuk e hodhi poshtë popullin e vet, të cilin e njohu që përpara. A nuk e dini ju ç'thotë Shkrimi për Elian? Si i drejtohet ai Perëndisë kundër Izraelit, duke thënë:

ROM 11:3 ''O Zot, profetët e tu i vranë dhe altarët e tu i prishën, dhe unë mbeta i vetëm, dhe ata kërkojnë jetën time''.

ROM 11:4 Por, çfarë i tha zëri hyjnor? ''Kam lënë për veten time shtatë mijë burra, që nuk kanë rënë në gjunjë përpara Baalit''.

ROM 11:5 Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit.

ROM 11:6 Dhe, po të jetë prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir, përndryshe vepra nuk do të ishte më vepër.

ROM 11:7 E çfarë, atëherë? Izraeli nuk e mori atë që kërkonte, kurse të zgjedhurit e morën, dhe të tjerët u verbuan,

ROM 11:8 siç është shkruar: ''Perëndia u dha atyre frymë hutimi, sy që të mos shohin dhe veshë që të mos dëgjojnë deri në ditën e sotme''.

ROM 11:9 Dhe Davidi thotë: ''Tryeza e tyre iu bëftë lak, një kurth, një pengesë dhe një shpagim.

ROM 11:10 Sytë e tyre u errësofshin që të mos shohin, dhe kurrizin e tyre kërruse përgjithnjë''.

ROM 11:11 Unë them, pra: ''Mos u penguan, që të rrëzohen? Aspak; por me anë të rrëzimit të tyre u erdhi shpëtimi johebrenjve, që t'i shtjerë ata në xhelozi.

ROM 11:12 Edhe nëse rrëzimi i tyre është fitim për botën dhe pakësimi i tyre është fitim për johebrenjtë, sa më tepër do të jetë mbushullia e tyre?

ROM 11:13 Sepse unë po ju flas juve, johebrenjve, duke qenë se jam apostulli i johebrenjve; dhe unë e nderoj shërbesën time,

ROM 11:14 për të provuar se në ndonjë mënyrë mund t'i provokoj se mos i shtie në zili ata që janë mishi im edhe shpëtoj disa prej tyre.

ROM 11:15 Sepse, në qoftë se refuzimi i tyre është pajtim për botën, ç'do të jetë ripranimi i tyre, përveç se kalimi prej vdekjes në jetë?

ROM 11:16 Edhe po të jenë pemët e para të shenjta, edhe e tëra është e shenjtë; dhe po të jetë rrënja e shenjtë, edhe degët janë të shenjta.

ROM 11:17 Edhe sikur të këputen disa degë, ti që ishe ullastër u shartove në vend të tyre dhe u bëre pjestar i rrënjës dhe i majmërisë së drurit të ullirit,

ROM 11:18 mos u mburr kundër degëve: por nëse mburresh kundër tyre, mos harro se nuk e mban ti rrënjën, po rrënja të mban ty.

ROM 11:19 Do të thuash, pra: ''Degët u prenë që të shartohem unë''.

ROM 11:20 Mirë, ato u prenë për mosbesimin, por ti qëndron për shkak të besimit; mos u kreno, por druaj.

ROM 11:21 Sepse nëse Perëndia nuk i kurseu degët natyrore, shiko se mos nuk të kursen edhe ty.

ROM 11:22 Shih, pra, mirësinë dhe rreptësinë e Perëndisë: rreptësinë mbi ata që u rrëzuan, dhe mirësinë ndaj teje, në qoftë se ti do të ngulmosh në mirësi, përndryshe edhe ti do të këputesh.

ROM 11:23 Kështu edhe ata, nëse nuk do të qëndrojnë në mosbesim, do të shartohen; sepse Perëndia është i fuqishëm t'i shartojë përsëri.

ROM 11:24 Sepse, në qoftë se ti u këpute nga ulliri i egër prej natyre dhe u shartove kundër natyrës në ulli të butë, aq më tepër këto, që janë degë prej natyre, do të shartohen në ullirin e vet.

ROM 11:25 Sepse nuk dua, o vëllezër, që ju të jeni të paditur këtë të fshehtë që të mos mbaheni me të madh në veten tuaj se i ka ndodhur një ngurtësim një pjese të Izraelit deri sa të ketë hyrë tërësia e johebrenjve,

ROM 11:26 dhe kështu mbarë Izraeli do të shpëtohet, sikurse është shkruar: ''Nga Sioni do të vijë Çlirimtari, dhe do të largojë pabesinë nga Jakobi.

ROM 11:27 Dhe kjo do të jetë besëlidhja ime me ta, kur unë t'ju heq mëkatet e tyre''.

ROM 11:28 Për sa i përket ungjillit ata janë armiq për hirin tuaj, por për sa i përket zgjedhjes, janë të dashur për hir të etërve,

ROM 11:29 sepse dhuntitë dhe thirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme.

ROM 11:30 Sepse, sikundër dhe ju dikur ishit të pabindur ndaj Perëndisë, por tani fituat mëshirën për shkak të pabindjes së tyre,

ROM 11:31 kështu edhe këta tani u bënë të padëgjueshëm, që, me anë të mëshirës që u tregua për ju, të fitojnë edhe ata mëshirë.

ROM 11:32 Sepse Perëndia i mbylli të gjithë në padëgjesë, që të ketë mëshirë për të gjithë.

ROM 11:33 O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij!

ROM 11:34 ''Sepse kush e njohu mendjen e Zotit? Ose kush u bë këshilltar i tij?

ROM 11:35 Ose kush i dha atij më parë, që të ketë për të marrë shpagim?''.

ROM 11:36 Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen!

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase