Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Mark 5

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16]

MK 5:1 Kështu arritën në bregun tjetër të detit, në krahinën e Gadarenasve.

MK 5:2 Dhe, sapo Jezusi zbriti nga barka, menjëherë i doli përpara nga varrezat një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë,

MK 5:3 i cili banonte në varreza dhe kurrkush s'kishte mundur ta lidhë, qoftë edhe me zinxhirë.

MK 5:4 Shpesh herë, pra, e kishin lidhur me pranga e zinxhirë; por ai gjithnjë i thyente zinxhirët dhe i këpuste prangat; dhe kurrkush nuk e kishte bërë dot zap.

MK 5:5 Vazhdimisht, natën dhe ditën, nëpër varre e mbi male, shkonte duke bërtitur dhe duke e rrahur veten me gurë.

MK 5:6 Tani kur e pa Jezusin prej së largu, ai u turr dhe ra përmbys përpara tij,

MK 5:7 dhe me një britmë të madhe tha: ''Ç'ka ndërmjet mes nesh dhe teje, o Jezus, Bir i Perëndisë të shumë të lartit? Unë të përgjërohem në emrin e Perëndisë, mos më mundo!;''.

MK 5:8 Sepse ai i kishte thënë: ''Frymë e ndyrë, dil prej këtij njeriu!''.

MK 5:9 Atëhere Jezusi e pyeti: ''Cili është emri yt?''. Dhe ai u përgjigj duke thënë: ''Unë quhëm Legjion, sepse jemi shumë''.

MK 5:10 Dhe i lutej me të madhe që ai të mos i përzinte nga ajo krahinë.

MK 5:11 Tani aty ishte, në brinjë të malit, një tufë e madhe derrash që kulloste.

MK 5:12 Atëhere gjithë demonët e lutën duke thënë: ''Na dërgo në derrat, që të hymë në ta''.

MK 5:13 Dhe Jezusi menjëherë u lejoi atyre; atëherë frymërat e ndyra mbasi dolën, hynë në derrat dhe tufa u hodh poshtë nga gremina në det; ishin afërsisht dymijë krerë, dhe u mbytën në det.

MK 5:14 Atëherë ata që i kullotnin derrat ikën dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra; dhe njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur.

MK 5:15 Kur erdhën te Jezusi, panë të idemonizuarin ulur, të veshur dhe me mendje në rregull, atë që ishte idemonizuar nga Legjoni, dhe kishin frikë.

MK 5:16 Dhe ata që e kishin parë ngjarjen u treguan atyre se çfarë i kishte ngjarë të idemonizuarit dhe çështjen e derrave.

MK 5:17 Atëhere ata filluan t'i luten Jezusit që të largohej nga krahina e tyre.

MK 5:18 Kur ai po hynte në barkë, ai që kishte qenë i idemonizuar i lutej që të mund të rrinte me të;

MK 5:19 por Jezusi nuk e lejoj, madje i tha: ''Shko në shtëpinë tënde, te të tut dhe u trego atyre çfarë gjërash të medha bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty''.

MK 5:20 Dhe ai shkoi dhe nisi të predikojë nëpër Dekapolis për të gjitha ato që i kishte bërë Jezusi; të gjithë u mrrekulluan.

MK 5:21 Dhe kur Jezusi kaloj përsëri në bregun tjetër me barkë, një turmë e madhe u mblodh rreth tij; dhe ai qëndroj në breg të detit.

MK 5:22 Atëhere erdhi një nga krerët e sinagogës, me emër Jair, që, kur e pa, i ra ndër këmbë,

MK 5:23 dhe ju lut me të madhe duke thënë: ''Ime bijë është duke dhënë shpirt; eja, vëri duart mbi të që të shërohet dhe të jetojë!''.

MK 5:24 Dhe ai shkoi me të. Një turmë e madhe e ndiqte dhe shtyhej rreth tij.

MK 5:25 Tani një grua që kishte një fluks gjaku që prej dymbëdhjetë vjetësh

MK 5:26 dhe kishte vuajtur shumë nga ana e mjekëve të ndryshëm duke shpenzuar gjithë pasurinë e vet pa kurrfarë dobie, madje duke u bërë më keq,

MK 5:27 kur dëgjoi të flitej për Jezusin, u fut në turmë dhe pas shpinës preku rrobën e Jezusit,

MK 5:28 sepse thoshte: ''Nëse vetëm ia prek rroben e tij, do të shërohem''.

MK 5:29 Dhe menjëherë rrjedha e gjakut iu ndal dhe ajo ndjeu në trupin e vet se u shërua nga ajo sëmundje.

MK 5:30 Por menjëherë Jezusi, duke e ndjerë në vete që një fuqi kishte dalë prej tij, u kthye midis turmës, tha: ''Kush m'i preku rrobat?

MK 5:31 Dhe dishepujt e vet i thanë: ''A nuk po e sheh që turma po të shtyhet nga të gjitha anët dhe ti thua: ''Kush më preku?''.

MK 5:32 Por ai vështronte rreth e qark për të parë atë që bëri këtë.

MK 5:33 Atëhere gruaja, plot frikë e duke u dridhur, duke ditur se ç'i kishte ndodhur, erdhi dhe i ra ndër këmbë dhe i tha gjithë të vërtetën.

MK 5:34 Dhe ai i tha: ''Bijë, besimi yt të shëroi; shko në paqe dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!''.

MK 5:35 Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën disa nga shtëpia e kryetarit të sinagogës duke thënë: ''Jote bijë ka vdekur; pse e bezdis akoma Mësuesin?''.

MK 5:36 Por Jezusi, sapo dëgjoi ç'u tha, i tha kryetarit të sinagogës: ''Mos ki frikë, vetëm ki besim!''.

MK 5:37 Dhe nuk lejoi që ta ndiqte kurrkush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit, dhe Gjonit, vëllait të Jakobit.

MK 5:38 Dhe mbasi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, pa një rrëmujë të madhe dhe njerëz që qanin dhe ulërinin me të madhe.

MK 5:39 Hyri dhe u tha atyre: ''Pse bërtitni e qani? Vajza nuk ka vdekur, por fle''.

MK 5:40 Dhe ata e përqeshën, por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, mori me vete atin dhe nënën e vajzës dhe ata që qenë me atë, dhe hyri atje ku dergjej vajza.

MK 5:41 E mori, pra, për dore vajzën dhe i tha: ''Talitha kumi'', që e përkthyer do të thotë: ''Vajzë, ty po të them: Çohu!''.

MK 5:42 Dhe menjëherë vajza u ngrit dhe filloi të ecë. Ajo ishte në fakt dymbëdhjetë vjeçe. Dhe ata u habitën me habi të madhe.

MK 5:43 Por ai urdhëroi rreptësisht që askush të mos e marrë vesh; pastaj urdhëroi që t'i japin vajzës të hajë.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase