Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Zechariah 11

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14]

ZECH 11:1 Hapi dyert e tua, Liban, me qëllim që zjarri të djegë kedrat e tu.

ZECH 11:2 Vajto, selvi, sepse kedri ka rënë, sepse drurët madhështorë janë shkatërruar. Këlthisni, lisa të Bashanit, sepse pylli i padepërtueshëm është rrëzuar.

ZECH 11:3 Dëgjohet vajtimi i barinjve, sepse shkëlqimi i tyre u shkretua; dëgjohet vrumbullima e luanëve të vegjël, sepse madhështia e Jordanit u shkretua.

ZECH 11:4 Kështu thotë Zoti, Perëndia im: "Kulloti delet që janë caktuar për thertore,

ZECH 11:5 blerësit e të cilave vrasin dhe nuk konsiderohen fajtorë dhe shitësit e të cilave thonë: "Qoftë bekuar Zoti, sepse unë po pasurohem" dhe barinjtë e të cilave nuk kanë kurrfarë mëshire.

ZECH 11:6 Nuk do të kem më mëshirë për banorët e vendit", thotë Zoti, "madje do të bëj që secili prej tyre të bjerë në dorë të të afërmit të vet dhe në dorë të mbretit të vet. Ata do ta shkretojnë vendin dhe nuk do të çliroj asnjë nga duart e tyre".

ZECH 11:7 Atëherë nisa t'i kullos delet që ishin caktuar për thertore, pikërisht më të mjerat e kopesë. Mora pastaj për vete dy shkopinj: njërin e quajta "Hir" dhe tjetrin "Bashkim", dhe nisa ta kullos kopenë.

ZECH 11:8 Brenda një muaj eliminova tre barinj. Unë isha i paduruar me ta, edhe ata gjithashtu më urrenin.

ZECH 11:9 Atëherë thashë: "Nuk do t'i kullos më; kush është duke vdekur, le të vdesë dhe kush është për të humbur, le të humbasë; pastaj ato që do të mbeten le të hanë njëra tjetrën".

ZECH 11:10 Mora pastaj shkopin tim "Hir" dhe e theva, për të shfuqizuar besëlidhjen që kisha lidhur me gjithë popujt.

ZECH 11:11 Po atë ditë ai u shfuqizua. Kështu delet më të mjera të kopesë që po më shikonin, e kuptuan se ajo ishte fjala e Zotit.

ZECH 11:12 Atëherë u thashë atyre: "Po t'ju duket e drejtë, më jepni pagën time; në se jo, lëreni". Kështu ata e peshuan pagën time: tridhjetë sikla argjendi.

ZECH 11:13 Por Zoti më tha: "Hidhja poçarit çmimin madhështor me të cilin ata më vlerësuan". Atëherë i mora tridhjetë siklat prej argjendi dhe i hodha në shtëpinë e Zotit për poçarin.

ZECH 11:14 Pastaj theva shkopin tjetër "Bashkimi", për të thyer vëllazërinë ndërmjet Judës dhe Izraelit.

ZECH 11:15 Atëherë Zoti më tha: "Merri edhe veglat e një bariu të pamend.

ZECH 11:16 Sepse ja, unë do të nxjerr në vend një bari që nuk do të kujdeset për delet që humbasin, nuk do t'i kërkojë ato që janë të reja, nuk do të shërojë të plagosurat, nuk do të ushqejë ato që rrijnë në këmbë, por do të hajë mishin e të majmeve dhe do t'u shkulë edhe thonjtë".

ZECH 11:17 Mjerë bariu i pavlerë që e braktis kopenë! Një shpatë do të jetë kundër krahut të tij dhe kundër syrit të tij të djathtë. Krahu i tij do të thahet krejt dhe syri i tij do të verbohet fare.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase